Agjenti akuzohet për gjashtë raste të ndryshme ndaj dy grave
Romë, 22 mars 2013 – Gjykata e Bolonjës ka dënuar me process të përshpejtuar me gjashtë vjet e tetë muaj burg policin Claudio D’Orazi, i shpallur fajtor për mashtrim seksual: kur ishte krye asistent me punë në Zyrën e imigracionit të kuesturës së Bolonjës kërkonte favoreseksuale nga gra të huaja në këmbim të përshpejtimit të praktikave për lëshimin e lejeve të qëndrimit.
Sipas hetimeve të drejtuara nga prokurori Valter Giovannini e zëvendës prokurori Lorenzo Gestri, agjenti ka përfituar në gjashtë raste nga dy gra të ndryshme, njëra prej të cilave është paraqitur në gjyq si paditëse civile.
D’Orazi, 46 vjeç, nga Cesena, u arrestua më 13 mars 2012 e më pas u pezullua nga puna. Verifikimet kishin nisur që në shtator të një viti më parë pas një sinjalizimi pranë shefit të zyrës së tij. Kishte dalë në dritë që, duke përfituar nga detyra, D’Orazi kishte kontaktuar e u kish bërë vizitë në shtëpi dy grave të huaja, të cilave u premtonte ndihmë për marrjen e dokumentit të qëndrimit me kusht që ato të kishin marrëdhënie seksuale me të.
“Është një sentencë shumë e ashpër – komentoi prokurori Giovannini – me të cilën, natyrisht, prokuroria është dakord. Urojmë që të vlejë si paralajmërim për të gjithë ata që mendojnë të përsërisin fakte të tilla duke abuzuar me detyrën”.