in

Referendum i Radikalëve: “Qëndrim më i shkurtër në CIE dhe sanatore”

Radikalët italianë depozitojnë në Gjykatën e Lartë dy çështje për referendum: një për heqjen e normave të futura me Bossi-Finin dhe nga paketat e sigurisë së vitit 2009. “Janë kriminale dhe detyrojnë emigrantët të bien pre e punëdhënësve”. Nis mbledhja e firmave

Romë, 10 prill 2013 – Të kufizohet në gjashtëdhjetë ditë qëndrimi i emigrantëve të parregullt në qendrat e identifikimit dhe të dëbimit (CIE) dhe të zhduket marrëveshja e integrimit dhe kontrata e qëndrimit, duke thyer lidhjen, e futur nga ligji Bossi-Fini, mes kontratës së punës dhe qëndrimit në Itali.

Është ky objektivi i dy prej gjashtë referendumeve të depozituar sot më 10 prill nga Radikalët italianë në Gjykatën e Lartë. Të tjerët kanë të bëjnë me shfuqizimin e financimit publik të partive, futjen e divorcit të shpejtë, depenalizimin e veprave penale të lidhura me përdorimin e drogave të lehta dhe ndarjen mes besimeve fetare të 8 për mijë të shumës së taksapaguesve që nuk kanë shprehur një zgjedhje.

“Mbi emigracionin – shpjegojnë Radikalët italianë – kërkojmë të jemi si Europa. Duam të shfuqizojmë ato norma kriminale që angazhojnë një pjesë të madhe të forcave tona të policisë, duke e nisur nga qendrat e identifikimit dhe të dëbimit që duhet të identifikojnë e jo të kthehen në burg të ri që e bëjnë të paqëndrueshëm e pre të shantazheve statusin e punonjësit emigrant”.

“U bëjmë apel të marrin “armët” demokratike të gjithë atyre që duan të reformojnë Shtetin duke vënë në qendër personat e jo partitë, duke eliminuar ligje që bllokojnë drejtësinë dhe kriminalizojnë dukuri sociale si emigracioni e konsumi i drogave e që të detyrojnë të presësh tre vjet për të kërkuar një divorc” ka shpjeguar sekretari i Radikalëve italianë Mario Staderini.

Në veçanti, çështja e parë e referendumit dëshiron të zhdukë normat, e sjella në fuqi nga qendra e djathtë, që kanë zgjatur nga dy deri në tetëmbëdhjetë muaj mbajtjen e emigrantëve në CIE. “Me kosto tejet të lartë për shtetin, 18 milionë e 607 mijë euro vetëm gjatë vitit 2012 vetëm për shërbimet në brendësi të qendrave, me rezultate dështimi të plotë dhe shkeljen e të drejtave njerëzore” nënvizojnë promotorët, sipas të cilëve 60 ditë janë “të mjaftueshme në pjesën dërrmuese të rasteve për të kuptuar nëse identifikimi është realisht i mundshëm”.

Çështja tjetër godet normat “që detyrojnë qindra mijëra emigrantë të jenë pre e shantazheve të vazhdueshme të punëdhënësve (duke krijuar efektin e “konkurrencës së pandershme” me punonjësit italianë) apo që i shtyjnë drejt punës në të zezë ose në shërbim të mkrokriminalitetit”.

Në fakt, referendumi parashikon shfuqizimin e neneve 4 dhe 5 bis të tekstit unik për emigracionin (marrëveshja e integrimit dhe kontrata e qëndrimit) “që të dy ndikojnë mbi lejen e qëndrimit sepse e lidhin në mënyrë të pazgjidhshme mundësinë e qëndrimit në vendin tonë – edhe të qytetarëve prej vitesh në Itali – me kontratën e punës”. Nëse në referendum, italianët përgjigjen “PO” , sipas Radikalëve italianë do të jetë e mundur “një sanatore për 500 mijë punonjës të huaj pa leje qëndrimi, që janë tashmë në Itali”.

Rrugëtimi i dy propozimeve për referendum sapo ka nisur, rruga është e gjatë e nuk është e thënë që të arrijnë deri në fund. Tani që kërkesat për referendum janë depozituar në Gjykatën e Lartë, do të nisë mbledhja e firmave: nevojiten 500 mijë për çdo kërkesë që referendumi të mbahet vërtet.

Elvio Pasca

Operacion europian antidrogë. Urdhër-arreste për 37 shqiptarë

Fatkeqësi në punë në Marghera. Humbet jetën 33 vjeçari Tavani