in

Sot heshtje, nesër zgjedhjet

Gjithçka duket se shkon qetë  me përjashtim të KQZ-së që edhe vetëm pak orë nga zgjedhjet është ende i cunguar dhe e ka të pamundur të marrë vendime me shumicë të cilësuar

Të dielën mbahen në Shqipëri zgjedhjet parlamentare të radhës, nga ku do votohet për 140 deputetët e rinj të Kuvendit. Sipas Kodit Zgjedhor, qendrat e votimit do të hapen në orën 07.00 dhe do të mbyllen në orën 19.00.

Të regjistruara si subjekte elektoralë janë 66 parti politike, të grupuar në dy koalicione, ndërsa dy parti më vete. “Aleanca për Punësim, Mireqenie dhe Integrim” është koalicioni i djathtë, i drejtuar nga PD, me Kryetar Sali Berishën, njëkohësisht Kryeministër i vendit dhe “Aleanca për Shqipërinë Europiane” i drejtuar nga PS, me kryetar Edi Ramën. Gjithnjë sipas kodit zgjedhor (neni 77), që të gjitha partitë kanë mbyllur të premten fushatën elektorale duke ia lënë vendin heshtjes zgjedhore. 

Për këto zgjedhje janë regjistruar 3.271.885 zgjedhës, bazuar mbi të dhënat e regjistrit kombëtar elektronik. Në 12 qarqet e vendit janë ngritur 5.508 qendra votimi dhe procesi do të administrohet nga 89 komisionet zonale të administrimit zgjedhor (KZAZ). 

Edhe vetëm pak orë nga zgjedhjet mbetet problematike Çështja e KQZ-së, që në vend të shtatë ka vetëm katër anëtarë, të gjithë të mazhorancës. Problemi do të mprehet edhe më, pas procesit të zgjedhimit, për certifikimin e zgjedhjeve, kur për shumë çështje ligji parashikon që KQZ të marrë vendime me shumicë të cilësuar (pra nuk do të mjaftojnë më 4 votat, por do të nevojiten pesë). Në nenin 24, pika 1 të Kodit Zgjedhor parashikohet vendim me votë të cilësuar për çështje si: shpërndarja e mandateve për çdo zonë zgjedhore, vendimet për miratimin e tabelës përmbledhëse për rezultatin e zgjedhjeve për çdo zonë zgjedhore, deklarimi i pavlefshëm i zgjedhjeve në një ose disa qendra votimi, shpallja e pavlefshme e zgjedhjeve në zonën zgjedhore apo në të gjithë vendin, aktet me karakter normativ etj.

Ja ç’shkruhet mes të tjerash në Kodin zgjedhor:

Neni 24

Vendimmarrja në KQZ

1. Konsiderohen të miratuara, kur votojnë “pro” jo më pak se 5 anëtarë të KQZ-së, vendimet lidhur me:

a) shpërndarjen e mandateve për çdo zonë zgjedhore, sipas neneve 162, 163 dhe 166, pika 3 të këtij Kodi;

b) pranimin e ankimit kundër vendimit për miratimin e tabelës përmbledhëse për rezultatin e zgjedhjeve të zonës zgjedhore, sipas nenit 123 të këtij Kodi dhe vendimet lidhur me ankimet kundër vendimeve të KZAZ-ve për rezultatin e zgjedhjeve për qeverisjen vendore;

c) kërkesat për deklarimin e pavlefshëm të zgjedhjeve në një ose disa qendra votimi, sipas nenit 160 të këtij Kodi;

ç) shpalljen e pavlefshme të zgjedhjeve në zonën zgjedhore apo në të gjithë vendin dhe përsëritjen e tyre;

d) aktet me karakter normativ dhe që kanë për qëllim rregullimin e çështjeve që lidhen me zgjedhjet;

dh) propozimin për shkarkimin e anëtarit të KQZ-së, sipas pikës 2 të nenit 18 të këtij Kodi;

e) miratimin e strukturës organike të KQZ-së, si dhe rregulloren e funksionimit të KQZ-së;

ë) caktimin e mandateve për çdo zonë zgjedhore, sipas nenit 76 të Kodit;

f) caktimin e zonave të administrimit zgjedhor, sipas nenit 27 të Kodit.

Vendimet e tjera miratohen me shumicën e votave të të gjithë anëtarëve të KQZ-së.

 

Presidenti Nishani: “Votoni. Bëjeni për Shqipërinë e të ardhmen e saj”

23 qershor 2013, Shqipëria në zgjedhje