Lajmi i pranimit të humbjes në zgjedhjet parlamentare dhe e tërheqjes së Sali Berishës nga postet drejtuese të PD-së, është përcjellë shkurtimisht edhe në mediat elektronike italiane.
“Pas humbjes në zgjedhjet e të dielës së fundit, kryeministri i Shqipërisë Sali Berisha ka dhënë dorëheqjen nga kreu i partisë së tij. E ka deklaruar personalisht Berisha në një konferencë shtypi në selinë e partisë. “Ne kemi humbur zgjedhjet. Përgjegjësia është vetëm imja”, deklaroi ai, lider historik i qendrës së djathtë shqiptare që nga fillimi i viteve Nëntëdhjetë”. Kështu ka dhënë lajmërimin e tërheqjes së kryetarit të Partisë Demokratike, agjencia e lajmeve ANSA.
Lajmin e kanë përcjellë edhe media të ndryshme elektronike, me të njëjtat fjalë.
Disi më ndryshe Lapresse që po aq shkurtimisht shkruan: “Kryeministri i Shqipërisë, ka pranuar humbjen e partisë së tij Demokratike në zgjedhjet parlamentare të të dielës, duke njohur fitoren e socialistëve të Edi Ramës. Duke folur para mbështetësve, Berisha ka pohuar se disfata zgjedhore është vetëm përgjegjësi personale dhe ka dhënë dorëheqjen nga udhëheqës i Partisë Demokratike, parti e qendrës së djathtë”. Sipas rezultateve të fundit të botuara, socialistët kanë marrë 53% të votave, kundrejt 36% të preferencave që shkuan për forcën e udhëhequr nga kryeministri. 68-vjeçari Berisha kishte hedhur kandidaturë për mandat të tretë në zgjedhjet e të dielës”.