in

Pas “Nëntorit të dytë”, katër filma të tjerë në pritje të restaurimit

Projekti i Kinemasë Shqiptare në bashkëpunim me Arkivin Qendror Shtetëror të Filmit dhe “Colorlab Corp” po mundëson restaurimin e 5 filmave shqiptarë brenda 5 vjetëve

Tiranë, 29 qershor 2013 – Pas “Nëntori i dytë” janë në pritje për t’iu nënshtruar procesit të restaurimit filmat “Ballë për Ballë”, “Tomka dhe shokët e tij”, “Kapedani” dhe “Ngadhënjim mbi vdekjen”.
Restaurimi për këta filma do të kryhet falë bashkëpunimeve me të huajt. Ashtu si “Nëntori i dytë”, edhe këto filma së shpejti do t’i nënshtrohen një procesi restaurimi shumë të rëndësishëm për jetëgjatësinë e tyre. Shumë prej filmave ruhen në magazina me kushte jo të përshtatshme dhe tani janë në rrezik për të humbur përgjithmonë. 

Qëllimi përfundimtar i Projektit të Kinemasë Shqiptare (ACP) në bashkëpunim me Arkivin Qendror Shtetëror të Filmit (AQShF) dhe “Colorlab Corp” është që të ndërtojë një hapësirë të re arkivimi dhe ekspozimi në Tiranë. Për të arritur këtë, ACP ka partneritet me laboratorë filmikë dhe festivale filmi në të gjithë botën për të bërë të mundur restaurimin e 5 filmave shqiptarë brenda 5 vjetëve. Filmat në radhën kronologjike të restaurimit, pas “Nëntorit të Dytë” janë: “Ballë për Ballë” (Kujtim Çashku, Piro Milkani, 1979); “Tomka dhe shokët e tij” (Xhanfise Keko, 1977); “Kapedani” (Fehmi Hoshafi, Muharrem Fejzo, 1972) dhe “Ngadhnjim mbi vdekjen” (Gëzim Erebara, Piro Milkani, 1967). Çdo film i restauruar do të shfaqet më parë në festivalet e filmave dhe pastaj për një publik më të gjerë. 

Projekti i Kinemasë Shqiptare i është përkushtuar ruajtjes, restaurimit dhe promovimit të trashëgimisë filmike shqiptare. Kopjet e restauruara në 35 mm do të jenë pjesë e programeve kulturore brenda dhe jashtë vendit, me qëllim që publiku i huaj të njihet me kinemanë e vjetër shqiptare e cila është ende pak e njohur në botë. Filmi i parë restauruar “Nëntori i dytë”, pas premierës në Tiranë u shfaq edhe në kinematë amerikane, duke kaluar kështu për herë të parë kufijtë e Shqipërisë.

 

Marrëveshja PS-LSI: Rama do të drejtojë qeverinë, Meta Kuvendin

Kosova drejt hapjes së negociatëve për MSA-në, Serbia drejt BE-së