Do të mund të ndjekin kurse formimi profesional dhe të bëjnë stazhe. Në konsullata kërkesat për viza
Romë, 27 gusht 2013 –Edhe këtë vit 10 mijë të huaj do të mund të vijnë për të marrë një zanat në Itali, e më pas për të qëndruar këtu nëse mundësia e formimit transformohet në një vend të mirëfilltë pune.
E thotë dekreti i nënshkruar nga ministri i Punës Enrico Giovannini, i botuar më 26 gusht në Gazetën Zyrtare, që përcakton një numër maksimal hyrjesh të njëjtë me vitin e shkuar.
Dekreti dallon dy kategori hyrjesh:
– Pesë mijë hyrje do të jenë për ata që marrin pjesë në kurse formimi, të organizuara nga ente të akredituara, që mund të zgjasin 2 vjet e që duhet të parashikojnë lëshimin e një kualifikimi apo të një dëshmie mbi kompetencat e fituara.
– Pesë mijë hyrjet e tjera (të ndara sipas Krahinave e provincave autonome) do të jenë për ata që duan të bëjnë stazhe, që duhet të zhvillohen sipas një projekti të miratuar nga autoritetet kompetente, të ndryshme nga Krahina në Krahinë.
Të huajt që duan të përfitojnë nga ky dekret fluksesh duhet të paraqiten në konsullatën italiane në vendlindje ku, bashkë me kërkesën e vizës, të dorëzojnë edhe dokumentacionin lidhur me kursin apo stazhin që do të ndjekin në Itali, që duhet të jetë i aprovuar nga zyra kompetente krahinore.
Kush vjen në Itali përmes këtij kanali ka të drejtën e një lejeje qëndrimi për studime që mund të konvertohet në leje për punë vetëm nga ata, që në fund të kursit apo të stazhit do të gjejnë një punëdhënës të gatshëm për ta punësuar.
Programimi i këtij tipi hyrjesh po ndryshon. Këtej e tutje, siç parashikohet nga Dekreti i Punës i miratuar nga qeveria në qershor, numri maksimal i vizave që mund të lëshohen do të përcaktohet çdo tre vjet.
EP