in

Rekord gjermanësh me origjinë të huaj mes të sapozgjedhurve në Bundestag

Ndër 630 deputetët e zgjedhur para pak ditëve, 34 kanë prejardhje të huaj. Krejt ndryshe situata në Itali ku deputetët me prejardhje të huaj numërohen me gishtat e dorës. Nga ana tjetër, ndryshe nga Shqipëria, Gjermania u njeh të drejtën e votës vetëm një pjese të gjermanëve që jetojnë jashtë, por u siguron atyre ta ushtrojnë aty ku jetojnë.

Romë, 27 shtator 2013 – Në zgjedhjet gjermane të të dielës së shkuar, të ndjekura me interes nga e gjithë Europa, ka fituar sërish CDU e kancelares Angela Merkel. Tani për tani, qeveria ende nuk është krijuar por është e sigurt që do të jetë gjithnjë Merkel që do të udhëheqë Gjermaninë në katër vjetët e ardhshëm.

Një aspekt që bie në sy në Bundestag-un e sapozgjedhur është fakti që mes 630 deputetëve, 34 janë me origjinë të huaj, apo 5,4% e dhomës së ulët të Parlamentit janë bij imigrantësh. Gjatë legjislaturës së shkuar ishin 17.

Nga parlamentarët me origjinë të huaj, njëmbëdhjetë janë me origjinë turke, që është edhe komuniteti më i madh i të huajve në Gjermani. Për herë të parë, këtë vit do të ulen në parlament edhe dy deputetë me origjinë afrikane. Nga 34 gjermanët e rinj të Bundestag-ut, dy nuk kanë lindur në Gjermani: njëri ka ardhur nga Senegali e tjetri nga Jugosllavia. Një kuriozitet: CDU, partia social-demokratike e kancelares Merkel këtë vit sjell në parlament një një myslimane, Cemile Giousouf, 35-vjeçare me prindërit turq.

Edhe në këtë drejtim Italia është akoma larg për sa u përket shifrave. Deputetët e huaj në Montecitorio numërohen me gishtat e një dore: Chaouki, Kyenge të PD-së dhe Sorial (M5S). Por nga këta të tre, dy kanë lindur në Afrikë dhe vetëm i fundit në Brescia.

Hendeku i thellë mes dy vendeve evropiane justifikohet me nivelin e integrimit të komuniteteve të huaja dhe dallimet në ligjet e shtetësisë.

Këtu për të marrë shtetësinë italiane nevojiten 10 vjet rezidencë e më pas, edhe disa vjet për përmbylljen e praktikës (gjithnjë më shumë se dy të parashikuar nga ligji). Në Gjermani nga 6 eri në 8 vjet: pas 5 vjetëve rezidencë merr kartën e qëndrimit e pas një viti kërkon shtetësinë që e merr brenda dy vjetëve.

Por ndryshimi më i madh me Italinë qëndron në faktin që bijtë e imigrantëve të rregullt me disa kushte të caktuara (një numër i caktuar vite rezidence e prindërve) marrin shtetësinë gjermane me të mbushur 8 vjeç, ndërsa në Itali akoma sot diskutohet mbi këtë pikë pa u arritur asgjë.

E meqë së fundi Shqipëria është konsideruar “e dyta në Evropë për ritme rritjeje ekonomike pas Gjermanisë” është e udhës që politikanët tanë të sigurojnë që ta ndjekim këtë vend edhe në ndonjë aspekt tjetër. Të gjithë gjermanët që kanë të drejtën e votës, e ushtrojnë këtë të drejtë ku jetojnë: ose duke shkuar pranë qendrave të votimit nëse jetojnë në Gjermani, ose duke e nisur votën e tyre me postë nëse jetojnë jashtë shtetit. Gjermania u njeh të drejtën e votës gjermanëve me rezidencë jashtë shtetit, me kusht që në 25 vjetët e fundit e kur kanë qenë mbi 14 vjeç të kenë jetuar të paktën tre muaj rresht në Gjermani. E pra, pa hipokrizinë tonë sipas së cilës “të gjithë shqiptarët kanë të drejtën e votës”, Gjermania ua njeh këtë të drejtë vetëm një pjese të gjermanëve që jetojnë jashtë, por në të njëjtën kohë u mundëson atyre ushtrimin e kësaj të drejte.

Keti Biçoku

Një foto nga… Edi Rama

Lamtumirë Dik Shelton