Mënyra e vetme për ta bërë kryeministrin e ri të përgjigjet për angazhimet që ka marrë dhe jo për pastrimin e bodrumeve, është të mos bëhesh pjesë e ekspozitës së tij. Vetëm ashtu ai do ta lërë aparatin dhe do të kapi shatin. Për të treguar jo me foto, por me punë se sa i aftë është të qeverisë Shqipërinë.
Nga Armand Shkullaku
Qeveria e re po ia del ta zhvendosë debatin publik në tema krejt të parëndësishme, ndërkohë që çështje mjaft të ndjeshme që lidhen me emërimet e nivelit të lartë, qëndrimin ndaj administratës civile, premtimet elektorale dhe transparencën në vendimmarrjet e para të ekzekutivit, po kalojnë pa vëmendjen e duhur. Vetë Edi Rama po e aplikon me aq zell këtë strategji, sa në afshin e nxehtë të fotomanisë po i bën bashkë presidentin Obama, minjtë e bodrumeve, Bonon e U2-ve dhe bagëtitë e oborrit të spitaleve. Nën shembullin e tij, herë me foto e herë me aksione leifeniste, është përfshirë gjithë ekipi qeveritar duke e sjellë prezantimin e qeverisë së re në kufijtë e qesharakes. Dhe kjo strategji do të kishte mbetur vërtet një naivitet i çunave të qeverisë, sikur të mos merrte përmasat e një debati, madje konflikti, që po mbizotëron politikën në vend. Në këtë kuptim, kryeministri Rama, një lojtar i sprovuar në lojën e figurave, e ka arritur në një farë mase qëllimin e tij.
Gjithë këto ditë, qytetarët që presin shenjat e para të ndryshimit të premtuar, janë bombarduar me foto gjithfarësoj që tregojnë kaosin e “të këqijve” dhe stërmundimin e “të mirëve” për të vënë rregull. Ky bombardim e ka kaluar masën, aq sa për shumë njerëz kryeministri nuk përfytyrohet më në karrigen e tij duke u marrë me malin e punëve që e presin, por si një arush fotograf që bredh me aparat në dorë nga një ministri në tjetrën. Pasi ndërroi mustaqet e Nishanit me mjekrën e Ismail Qemalit, tani ka dalë vetë në terren për të plotësuar ekspozitën e Rilindjes. Në gjurmët e tij, përsëri me foto e video, shfaqen dy Artanët mëngëpërveshur e çorapezbathur që po ia zbardhin faqen kryeministrit. Kur ai të kthehet nga përtejdetit gjithçka do të shkëlqejë. Një tjetër ministër, që nuk ka talent në punën e meremetimeve, nxiton për të çuar me krahët e tij në urgjencën e spitalit një fëmijë rom të lënduar, por nuk harron të thërrasë përsëri kamerat e fotografët për të fiksuar këtë akt human. Ndërsa një tjetër, kur ndërhyrja ndaj krimit po bëhet emergjencë, shkarkon policët rrugorë dhe demonstron forcën (gjithnjë vizualisht) ndaj ndërtimeve pa leje që vetë kryetarët e bashkive socialiste i kanë çuar në prokurori për bllokim. Situata bëhet gjithnjë e më komike. Një deputet i zgjedhur nga populli deklaron se po merret me rregullimin e kryeministrisë vullnetarisht, një tjetër thotë se ka gjetur një burrë që pret hekurat me 7 mijë lekë, një tjetër se njeh një shofer që ia bën transportin e gardhit falas deri në Butrint. Kolegu Sokol Shameti i bën thirrje ministrit se vuan nga rrufa dhe kërkon ta shoqërojë në spital, ndërsa një oficer i policisë rrugore thotë se e kanë larguar pasi i ka vënë gjobë dikur ministrit aktual. Dhe kulmi arrin kur kryetari i bashkisë së Vlorës, Shpëtim Gjika, deklaron i habitur se Policia e Shtetit po bën show për mediat duke bllokuar ato ndërtime që i ka bllokuar ndërkohë Inspektorati Ndërtimor i Bashkisë.
Këto reagime krejtësisht qesharake janë pasojë e politikës së fotove dhe spektaklit mediatik. Ato do të mbeteshin aty sikur strategjia e Ramës të mos i zhvendoste në qendër të debatit publik. Megjithëse e njohin stilin e tij, tashmë të pagëzuar si stili i fasadës, në këtë lojë hynë thuajse të gjithë. Kryetari i opozitës, ish kryeministri, ish ministra e ish funksionarë të administratës së shkuar, ia nisën publikimit të fotove, statuseve në facebook, konferencave të shtypit e intervistave në media, duke e shndërruar lojën e Ramës në një fenomen politik. Emisione televizive, debate, faqe të para të gazetave, editoriale e analiza, e kanë kthyer në çështjen kryesore të ditës fotomaninë e qeverisë së re. Bodrumet e ministrisë zënë më shumë vend se sa aksionet e policisë. Nëse nuk do të fliste Shpëtim Gjika askush nuk do ta kuptonte bllofin e ndërtimeve pa leje në Vlorë. Minjtë dhe plehrat e spitaleve mbuluan lajmin për emërimin e më pas pezullimin e drejtuesve në QSUT. Fotot që Edi Rama postonte nga SHBA për të denoncuar qeverinë e shkuar, kaluan në heshtje transparencën për shpenzimet e delegacionit të stërmadh të qeverisë së sotme në Nju Jork. E kështu për shumë raste të tjera që kanë humbur nga vëmendja e publikut për shkak të kapjes në çarkun e aparatit propagandistik të Edi Ramës.
Me shumë gjasë kjo strategji do të shndërrohet në boshtin e qeverisjes që sapo ka nisur. Zelli me të cilin po aplikohet nga mjeshtri kryeministër dhe fanatizmi me të cilin po e ndjekin disa ministra imitues të tij, janë shenja të qarta se Rama do të kërkojë ta mbajë në këto nivele debatin rreth qeverisjes së tij. E përsa kohë edhe opozita edhe media e ndjekin në këtë lojë, ai nuk ka arsye të heqë dorë. Mënyra e vetme për ta bërë kryeministrin e ri të përgjigjet për angazhimet që ka marrë dhe jo për pastrimin e bodrumeve, është të mos bëhesh pjesë e ekspozitës së tij. Vetëm ashtu ai do ta lërë aparatin dhe do të kapi shatin. Për të treguar jo me foto, por me punë se sa i aftë është të qeverisë Shqipërinë.