“Absurde mbivendosja mes veprës penale dhe shkeljes administrative. Për të reaguar ndaj tragjedisë së Lampedusës nevojiten më shumë fonde për pritjen dhe Qendrat e Identifikimit e të Dëbimit si edhe një ligj i ri i ndihmës në det”
Romë, 7 tetor 2013 – Të shfuqizohet vepra penale e klandestinitetit, të shtohen resurset për qendrat e pritjes dhe të identifikimit, të miratohet një ligj që të favorizojë patrullimet dhe ndihmën në det. Janë këto tre propozimet (sipas tij “të përgjegjshe dhe të mundshme” të bëra nga Carlo Giovanardi “për të reaguar ndaj tragjedisë së Lampedusës”. E sipas senatorit të Popullit të Lirive përcaktojnë një rrugë ndryshe nga demagogjia e ditëve të fundit.
Giovanardi shkruan që duhet para së gjithash “të kthehemi në normat origjinale të Turco-Napolitanos të konfirmuara nga Bossi-Fini, me abrogimin e krimit të klandestinitetit që u fut me ligjin 94 të vitit 2009 (i ashtuquajturi “paketa e sigurisë”, që sanksionon vetëm hyrjen e qëndrimin e parregullt të të huajit”. Vepra penale e klandestinitetit krijon në fakt “një mbivendosje absurde mes shkeljes administrative dhe shkeljes penale, që edhe asokohe kundërshtova pa rezultat, si përgjegjës për politikat familjare të qeverisë Berlusconi”.
“Nuk duhen shkruar libra ëndrrash por duhen gjetur menjëherë burimet financiare, është propozimi i dytë – për të zgjeruar Qendrat e pritjes dhe për të përmirësuar CIE-t, qoftë nga këndvështrimi i një trajtimi dinjitoz i personave që mbahen në to, qoftë përsa i përket efikasitetit të dëbimeve, duke dalë nga logjika e çoroditur e kursimit që na solli qeveria Monti, që na detyron pastaj të shpenzojmë miliona euro për të mbyllur e ristrukturuar ambientet e shkatërruara gjatë protestave”.
Së fundi, nevojitet të formulohet një ligj detar që të lejojë vënien në dispozicion të mjeteve detare për të patrulluar me efikasitet brigjet tona, qoftë në funksion të sigurisë qoftë për ndërhyrjet humanitare, me një koordinim të menjëhershëm më të madh të Marinës, të Rojes Bregdetare dhe të mjeteve detare të forcave të ndryshme të policisë të angazhuara në këto ngjarje”.