Ndalohet një 35 vjeçar tunizian që për të mbijetuarit e tjerë është “komandanti” i anijes së mbytur. Nesër në ishullin e Lampedusës Barroso e Malmström, që kërkon që agjencia Frontex të organizojë një operacion shpëtimi e sigurie për gjithë Mesdheun
Romë, 8 tetor 2013 – Vazhdon edhe sot puna e zhytësve të forcave të ndryshme të rendit për të rikuperuar viktimat që gjenden në fund të detit në barkun e anijes së mbytur të enjten e shkuar në afërsi të ishullit të Lepujve pranë Lampedusës. Me trupat e pajetë të nxjerrë deri tani numri i viktimave ka shkuar në 249, por dhjetëra të tjerë janë akoma në anije.
Ndërkaq, prokuroria e Agrigentos ka ndaluar Kaled Ben Salam, 35 vjeç nga Tunizia që sipas të mbijetuarve të marrë në pyetje ka qenë “komandanti” i anijes së mbytur. Akuzohet për vrasje të vullnetshme të shumëfishtë, favorizim të imigracionit klandestin dhe për shkaktimin e mbytjes. Sipas dëshmitarëve 35 vjeçari kishte edhe “një ndihmës”, një adoleshent që ndoshta nuk ka mbijetuar.
Nesër, kryeministri Letta, zëvendëskryeministri Alfano do të shoqërojnë në ishullin e Lampedusës presidentin e Komisionit evropian, José Manuel Barroso, dhe komisaren evropiane për Çështjet e Brendshme, Cecilia Malmström.
Kjo e fundit ka lajmëruar se do t’u kërkojë ministrave evropianë në Luksemburg një operacion sigurie e shpëtimi, të shtrirë në të gjithë Mesdheun, nga Qipro në Spanjë. Do të kërkojë gjithashtu “fonde të menjëhershme për shpëtimin e sa më humb migrantëve të jetë e mundur”.