in

Lejeqëndrimi i ri elektronik sipas modelit BE. Edhe me shenjat e gishtërinjve

Mbërrin lejeqëndrimi i ri elektronik italian, i ngjashëm me letërnjoftimin elektronik shqiptar. Përmban një sërë të dhënash të mbajtësit, përfshirë shenjat e gishtërinjve. Për ministrinë e Brendshme, “inovacioni teknologjik i detyrueshëm për t’iu përshtatur direktivave të Bashkimit Europian mbi karakteristikat teknike, elementet biometrike dhe të sigurisë së dokumenteve të udhëtimit të lëshuara nga shtetet anëtare”

Romë, 8 nëntor 2013 – Leja e qëndrimit në format elektronik, që kanë në xhep pjesa dërrmuese e të huajve në Itali shumë shpejt do të ndryshojë. Do të bëhet dokument më i sigurt dhe do të përmbajë të gjitha të dhënat e mbajtësit (fotografi, emër, mbiemër, data e vendi i lindjes, gjinia, kombësia, numri i pasaportës, kodi fiskal, emrat e fëmijëve), motivin e lëshimit të lejes së qëndrimit, datën e vendin e lëshimit, kohëzgjatjen e dokumentit dhe siglën e shtetit që e ka lëshuar, si edhe një microchip ku veç të dhënave të mësipërme do të regjistrohen edhe shenjat e gishtërinjve.

Kjo risi parashikohet nga dekreti i ministrisë së Brendshme mbi “rregullat e sigurisë lidhur me lejet e qëndrimit” që më 6 nëntor është botuar në Gazetën Zyrtare.

“Pasi u mor pëlqimi i Garantit për mbrojtjen e të dhënave personale, ky hap përbën në thelb një seri inovacionesh teknologjike dhe proceduriale që përshtasin modelin ekzistues të lejes së qëndrimit që përdoret në Itali, me atë të Bashkimit Europian” thuhet në një komunikatë të ministrisë së Brendshme.

Praktikisht, lejeqëndrimi i ri do të jetë shumë i ngjashëm me atë ekzistues, me përmasat e një karte krediti. Do të përmbajë një microchip “contactless” që mund të lexohet për shembull gjatë kontrollit të Policisë thjesht duke e afruar në një aparat leximi. Në kujtesën e microchip-it do të jenë të regjistruara elemente biometrike parësore (si fotografia e fytyrës) dhe dytësore (shenjat e dy gishtërinjve, zakonisht të dy gishtave tregues), dhe të gjithë elementët identifikues të dokumentit.

Të dhënat personale dhe identifikuese të lejes së qëndrimit, bashkë me foton e mbajtësit do të regjistrohen edhe në arkivin e informatizuar të lejeve të qëndrimit pranë Qendrës elektronike  kombëtare. Nëse është fjala për një lejeqëndrim CE për qëndrues afatgjatë, të dhënat do të ruhen për të gjithë kohëzgjatjen e tij, për llojet e tjera të lejeve, maksimumi dhjetë vjet.

Në të njëjtin arkiv do të përfundojnë edhe shenjat e gishtërinjve, por kundrejt më shumë masave mbrojtëse. Në fakt, siç lexohet në dekret, shenjat e gishtërinjve do të mbahen në arkiv, vetëm “për kohën e nevojshme për përmbylljen e procedurave administrative të lishimit apo të përtëritjes së lejes së qëndrimit”.

Akoma nuk ka një datë të saktë mbi futjen e lejes së re elektronike të qëndrimit. Me siguri do të kalohet përmes një faze eksperimentimi në një a më shumë provinca italiane, e më pas dokumenti do të shtrihet gradualisht në të gjithë Italinë. Një gjë është e sigurt, të gjitha dokumentet e qëndrimit që të huajt kanë në xhep do të jenë të vlefshme deri në datën e tyre të skadencës.

Dekreti i Ministrisë së Brendshme së 23 korrikut, botuar më 6 nëntor 2013 në Gazetën Zyrtare, dhe skeda e elementeve të sigurisë që përmban

Lexo edhe: Lejet e qëndrimit: model i ri anti-falsifikim për ato në letër

 

Rezoluta e Idrizit dhe vizita e Papuliasit në Shqipëri

Savona. Var veten 38 vjeçari, ndoshta për arsye familjare