Fëmijët e lindur vitin e shkuar në Itali janë mbi gjysmë milioni. Çdo pesë prej tyre, njëri ka të paktën njërin prind të huaj. 10.546 fëmijë kanë të paktën njërin prind shqiptar, pjesa dërrmuese i kanë të dy prindërit shqiptarë. Në krye të listës së emrave të përdorur nga prindërit shqiptarë për bijtë e sapolindur, Kevin e Andrea djemve, Melissa e Noemi vajzave
Romë, 27 novembre 2013 – Mbi gjysmë milioni fëmijët e lindur gjatë vitit të shkuar në Itali, mbi 107 mijë kanë të paktën një prind të huaj. 10.546 fëmijë kanë të paktin njërin prind shqiptar, shifër thuajse e njëjtë me të vitit 2011 kur ishin 10.563. Ajo që bie në sy janë emrat që prindërit e tyre zgjedhin për fëmijët. Vendet e para nuk zihen nga emra shqiptarë por të huaj si Kevin dhe Melissa.
Janë këto disa nga të dhënat mbi shqiptarët e raportit më të fundit të ISTAT – Instituti Statistikor Italian, mbi lindjet në Itali për vitin 2012.
Sipas raportit, gjatë vitit të shkuar kanë lindur në Itali 534.186 fëmijë, mbi 12 mijë më pak se në vitin 2011, rënie që është pasojë e lindjeve më të pakta të çifteve italiane. Bijtë e lindur nga çiftet e imigrantëve apo të përziera, pra ata që kanë të paktën njërin prind të huaj janë 107.339, rreth dy mijë më shumë se një vit më parë. Plot 80.128 fëmijë të lindur vitin e shkuar, apo 15% e të gjithëve, i kanë të dy prindërit imigrantë dhe për ligjin italian të shtetësisë, këta të fundit konsiderohen të huaj.
Po të merret në konsideratë shtetësia e nënave të huaja, në vend të parë renditen rumunet (19.415 të sapolindur në vitin 2012), në të dytin marokenet (12.829) dhe në vend të tretë shqiptaret (9.843).
Më në hollësi, për komunitetin shqiptar mund të thuhet që gjatë vitit 2012 kanë lindur 8.673 i kanë që dy prindërit shqiptarë, 703 që kanë vetëm babanë shqiptar dhe 1.170 që kanë vetëm nënën shqiptare, gjë që konfirmon prirjen e shqiptarëve për të krijuar familje mes bashkëkombës.
Emrat e fëmijëve? Mes shqiptarëve janë në modë Kevin e Melissa
Një kureshti e trajtuar në raportin ISTAT janë emrat që të huajt u japin fëmijëve të tyre që lindin në Itali. Më të pëërdorurit rezultojnë Adam (710 të sapolindur janë quajtur kështu), Rayan (416) Matteo (334) për djemtë dhe Sara (627), Sofia (446) e Malak (310). Por preferencat e prindërve në zgjedhjen e emrave, mes tradicionalëve dhe atyre italianë apo perëndimorë, ndryshojnë shumë sipas kombësive. Kështu, indianët, për shembull, u japin fëmijëve edhe emra indianë si Armaan e Gumoor për djem dhe Gurleen e Jasmeen, edhe marokenët u japin djemve emra si Adam, Rayan, Youssef e vajzave Malak, Sara, Aya, emra që përdorin edhe në vendlindje.
Veprojnë krejt ndryshe kinezët – e kuptohet pse – që zgjedhin emra italianë si Matteo, Andrea, Kevin apo Sofia, Elena e Elisa.
E shqiptarët? Njësoj si kinezët, zgjedhin t’u vënë fëmijëve të tyre emra të huaj. Ata që hasen më shpesh mes të sapolindurve në Itali nga prindër shqiptarë janë Kevin (122 fëmijë të lindur vitin 2012), Andrea apo Gabriel (103), Alessio (91), Matteo (89), Enea (78) për djemtë dhe Melissa (148) Noemi (136), Aurora (117), Sara (94), Martina (84) e Emma (80) për vajzat. E? Me siguri do të ketë edhe Arbër, Gent, Ilir, Rozafa, Teuta, por janë më të paktë se të parët.
Janë të shumtë faktorët që ndikojnë në zgjedhjen e emrit të fëmijës që sapo lind. Më parë peshkohej shpesh mes emrave të gjyshërve ose të ndonjë të afërmi tjetër, apo mes emrave shqiptarë (edhe atyre që dukeshin si të tillë), gjë që nuk reflektohet në përzgjedhjen e emrave të mësipërm. Në emigrim mund të parapëlqehet zgjedhja e një emri të huaj për t’i shprehur mirënjohjen dikujt që të ka ndihmuar dhe e ke për zemër, përpjekja për t’u integruar (apo asimiluar?), por edhe dëshira për t’i ofruar fëmijës diçka që të mos e dallojë atë shumë nga bashkëmoshatarët e tjerë, (edhe pse ndonjëherë emri i vënë pranë mbiemrit të bën të vësh buzën në gaz, Giorgio Gjergji, për shembull).
Keti Biçoku
Lexo edhe: Djali im quhet Benz!