Kishte arritur t’i hiqte armën nga dora fqinjit që e kërcëonte. Fillimisht u akuzua e dënua për vrasje të mbetur në tentativë, dhe iu deshën gjashtë vjet për të treguar se ishte viktima e jo agresori
Romë, 28 nëntor 2013 – Më në fund, pas gjashtë vjetëve nga ngjarja, i njihet pafajësia e 56-vjeçarit Vilson Çifliku i akuzuar fillimisht për tentativë vrasjeje e mbajtje të paligjshme arme dhe për këto vepra penale i dënuar me 3 vjet e gjysmë burg.
“Vilson Çifliku nuk tentoi të vriste pensionistin Francesco Maserin, përkundrazi ishte ky i fundit që nxorri pistolën e kërcënoi shqiptarin dërsa ky i fundit arriti të çarmatosë”. Në këtë përfundim arriti Gjykata e Apelit të Triestes që ka lëshuar sentencën e katërt në këtë histori absurde, duke njohur pafajësinë e Çiflikut, i detyruar të paguajë vetëm një gjobë prej 50 eurosh për kërcënime. Ndërkaq në një proces tjetër gjyqësor është dënuar me 2 vjet e 5 muaj burg Maserin, që është njohur fajtor për episodin. Duhet edhe të dëmshpërblejë me 10 mijë euro Vilson Çiflikun.
Ngjarja është e marsit 2007 kur në Maniago të provincës së Pordenones arrestohet Çifliku me akuzën e tentativës së vrasjes së Francesco Maserin, sepse kishte shtënë me një pistoletë Beretta të vetë viktimës. Pas dy javëve hetime, rindërtimi i ngjarjes nga prokurori nuk arrin të dëshmojë me siguri fajësinë e Çiflikut. Por në shkallën e parë të gjykimit, edhe pse organi i akuzës kërkon lënien të lirë të Çiflikut, gjykatësi e ka dënuar me 3 vjet e 6 muaj burg për tentativë vrasjeje dhe mbajtje të paligjshme të armës.
Më pas edhe Gjykata e Apelit e Triestes e nxjerr fajtor për tentativën e vrasjes por jo për mbajtjen e paligjshme të armës dhe i redukton me dy muaj dënimin.
Avokati i Çiflikut e çon çështjen në Gjykatën e Lartë dhe aty arrin të tregojë që Çifliku nuk ishte agresori por viktima e marsit 2007. Ishte duke shkuar në punë me biçikletë kur është sulmuar nga fqinji Maserin me pistoletë. Çifliku ka arritur ta çarmatosë dhe kur Maserin është futur në një bar i trembur nga reagimi i mundshëm i shqiptarit që e kërcënonte.
Gjykata e lartë ka pranuar versionin e avokatit, ka anuluar sentencën e Apelit dhe ka kthyer çështjen mbrapsht për një gjykim të ri. Më në fund, gjyqi i ri në Apel ka njohur pafajësinë e Vilson Çiflikut për krimin e vrasjes së mbetur në tentativë, por e ka konsideruar fajtor për kërcënimet ndaj Maserinit, e për këtë duhet të paguajë një gjobë prej 50 eurosh.