Nga Papa te Obama, të gjithë të prekur nga vdekja e ish presidentit të Afrikës së Jugut, çmimit Nobel për paqen, Nelson Mandela
Nelson Mandela, simbol i aparteidit vdiq më 5 dhjetor në mbrëmje vonë në moshën 95-vjeçare në shtëpinë e tij në Johanesburg. Lajmin e dha presidenti afrikanojugor, Jacob Zuma në një transmetim të drejtpërdretë televiziv. “Kombi ynë humbi një nga djemtë e tij më të mëdhenj”, tha Zuma. “Ajo që e bëri Nelson Mandelën të madh ishte ekzaktësisht ajo që e bëri atë njerëzor. Ne pamë tek ai, atë që duam të shohim te vetvetja”, shtoi Zuma. “Të dashur afrikano-jugorë, Nelson Mandela na bëri bashkë, ndaj dhe po së bashku do t’i japim atij lamtumirën”, iu drejtua presidenti aktual bashkëkombasve të tij. Ai shtoi se Mandelës do t’i bëhen të gjitha nderimet me një funeral shtetëror, më 15 dhjetor, ndërsa flamujt u ulën në gjysmështizë.
Papa Françesku: “Shembulli i Mandelës të frymëzojë brezat e afrikanojugorëve që të vënë drejtësinë dhe të mirën e përbashkët para aspiratave të tyre politike. Nelson Mandela do të mbahet mend për angazhimin e tij në promovimin e dinjitetit njerëzor të të gjithë qytetarëve. Është njeriu që ngriti një Afrikë të Jugut të re mbi themelet e forta të pajtimit dhe të të vërtetës”.
Barack Obama, president i Shteteve të Bashkuara: “Kemi humbur njërin prej njerëzve më me influencë, më të guximshëm dhe një nga qeniet njerëzore më thellësisht të mira në këtë planet”.
Ban Ki-moon, sekretar i përgjithshëm i OKB-së: “Ai ka patur një ndikim shumë personal mbi jetët tona”.
Presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani: “Me këtë humbje, njerëzimi i jep lamtumirën njërit prej udhëheqësve më të shquar moralë dhe ikonës së qëndrueshmërisë dhe luftës për drejtësi dhe dinjitet njerëzor. Zoti Mandela nuk u gjunjëzua në betejën e ij kundër aparteidit as nga 27 vjet heqje lirie”.
Kryeministri Edi Rama: “Miliona njerëz në botë humbën një njeri të madh, një njeri të madh të rezistencës ndaj aperteidit. Humbën njeriun e sakrificës pa fund për ideale e vlera të patjetërsueshme njerëzore për lirinë, paqen sociale, demokracinë”, thuhet në mesazhin ngushëllues të Kryeministrit. Modeli i Nelson Mandelës do na frymëzojë pareshtur dhe do inkurajojë në vazhdimësi miliona njerëz në botë për një jetë më të drejtë”.
Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi: “Ish presidenti Nelson Mandela një jetë të tërë e kuptimësoi në shërbim të arritjes së lirisë së vendit të tij. Ai u bë simbol universal dhe vlerë mbarëplanetare e kuptimit human të lirisë dhe përkushtimit konkret për këtë ideal sublim të njerëzimit. Nelson Mandela ishte personaliteti me integritetin më të fortë moral, duke dëshmuar se individi sintetizon fuqinë e historisë njerëzore, si përpjekje për emancipim, liri të plotë, barazi dhe drejtësi universale, pa dallim vendi, race dhe kulture”.
Këshilli i Sigurimit të OKB-së: Nelson Mandela “do të mbetet përgjithmonë në kujtesën e njerëzve si një njeri që ka sakrifikuar një pjesë të madhe të jetës së tij që miliona të tjerë të mund të kenë një të ardhme më të mirë”.
Komiteti norvegjez i çmimit Nobel: Mandela, “një nga emrat më të mëdhenj të historisë së gjatë të çmimit Nobel të Paqes”.
Vladimir Putin, president i Rusisë: Mandela ishte një nga politikanët “e shquar të epokës sonë”.
Dalai Lama: “Nderimi më i mirë që mund t’i bëjmë atij është të bëjmë gjithçka që mundemi për të kontribuar në respektimin e unitetit të njerëzimit dhe për të punuar për paqen dhe pajtimin siç ka bërë ai”.
David Cameron, Kryeministri britanik: “Një dritë e madhe u shua në botë”.
François Hollande, president i Francës: Nelson Mandela ishte: “mishërimi i kombit afrikanojugor, zinxhiri i unitetit të tij dhe krenaria e të gjithë Afrikës”.
Angela Merkel, kancelare e Gjermanisë: emri i Mandelës do të mbetet “përgjithmonë i lidhur me luftën kundër shtypjes”.
Enrico Letta, kryeministër i Italisë: “një shembull angazhimi bujar në favor të të drejtave dhe të integritetit”.
Bill Clinton, ish-presidenti amerikan: “një kampion i dinjitetit njerëzor dhe i lirisë”.
Jacob Zuma, president i Afrikës së Jugut: “Kombi ynë ka humbur birin e tij më të shquar. Populli ynë ka humbur një baba”.
Desmond Tutu, arqipeshkvi anglikan, çmimi Nobel për paqen: “Gjatë 24 viteve (që prej çlirimit), Madiba na ka mësuar se si të jetojmë së bashku dhe të besojmë tej vetja jonë dhe tek secili”.
Frederik De Klerk, president i aparteidit: “Tata (Babai, shën. përkth), do të na mungoni. Por, dijeni se shpirti dhe shembulli juaj do të jenë gjithmonë këtu për të na udhëhequr drejt vizionit të një Afrike Jugore më të mirë dhe më të drejtë”.
Macky Sall, president i Senegalit: “Asnjë njeri i kohës sonë nuk ka dhënë kaq shumë nga vetja për kauzën e popullit tonë, të Afrikës, për të mirën e mbarë njerëzimit”.
Mahamadou Issoufou, president i Nigerisë: “Afrika ka humbur një gjigand. Është mbresëlënëse aftësia e tij për të falur”.
Kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu: “Do ta kujtojmë atë si babain e një Afrike të re të Jugut”.
Goodluck Jonathan, president i Nigerias: “Mbarë njerëzimi do ta kujtojë gjithmonë Mandelën dhe do ta nderojë atë si një liberatorët më të mëdhenj”.
Dilma Rousseff, president i Brazilit: “Shembulli i këtij udhëheqësi të madh do të drejtojë të gjithë ata që luftojnë për drejtësinë sociale dhe paqen në botë”.
Nicolas Maduro, president i Venezuelës: “Iku një gjigand tjetër i popujve të botës. Madiba, ti je gjithmonë i gjallë!”
Nabil Fahmy, ministër i Jashtëm i Egjiptit : “Historia e Mandelës do të mbetet një pikë e shndritshme jo vetëm për rolin e tij në luftën kundër aparteidit, por edhe për parimet e tolerancës dhe të faljes që ai mishëronte”.
Mahmud Abas, presidenti palestinez: “Mandela ishte një drejtues dhe një luftëtar për lirinë e popullit të tij dhe një simbol i çlirimit nga kolonializmi dhe nga pushtimi për të gjithë popujt që aspirojnë për liri”.
Mohammed VI, mbreti i Marokut: “Përshëndes kujtimin e një burri shteti të pashoq, i nderuar nga populli i tij dhe i respektuar njëzëri në botë.”
Mariano Rajoy, kryeministër i Spanjës: “një gjigand hyri në histori”.
Abdullah Gül, president i Turqisë : “një burrë i madh shteti që frymëzoi popujt në përpjekjet e tyre për liri, dinjitet dhe barazi”.
Xi Jinping, president i Kinës: “Populli kinez do të ruajë gjithmonë në kujtesë kontributin e jashtëzakonshëm që ai ka dhënë për zhvillimin e njerëzimit”.
Shinzo Abe, Kryeministër i Japonisë: Nelson Mandela “ia arriti të ndërtojë një vend themeli i të cilit ishte pajtimi”.
Manmohan Singh, kryeministër i Indisë: “Ai ishte një Gandian i vërtetë” (duke iu referuar Gandit, shën. përkth.).
Enrique Peña Nieto, president i Meksikës: “Njerëzimit humbi një mbrojtës të palodhur të paqes, lirisë dhe barazisë”.
Tony Abbott, kryeministër i Australisë: Nelson Mandela ishte “me të vërtetë një njeri i madh”.
Irina Bokova, drejtoresha e përgjithshme e UNESKO-s: “Nelson Mandela ishte me të vërtetë një gjigand mes njerëzve. Ai ndryshoi jo vetëm historinë e Afrikës së Jugut, por të gjithë botën dhe e bëri më të mirë”.
Thomas Bach, president i Komitetit ndërkombëtar olimpik : “ai e kishte kuptuar potencialin e e sportit si faktor gjithëpërfshirës”.
Pele, futbollist brazilian: “Ai ishte heroi im, miku, shoku im në luftën për kauzën e popullit dhe për paqen në botë”.
David Beckham, ish-kapiten i ekipit të futbollit britanik: “Kemi humbur një xhentëlmen të vërtetë dhe një qenie njerëzore të guximshme”.
Aung San Suu Kyi, lidere e opozitës birmaneze dhe fituese e çmimit Nobel të paqes: “Ai na bëri gjithashtu të kuptojmë se ne mund ta ndryshojmë botën”.
Lech Walesa, fitues i çmimit Nobel për Paqen: “Një njeri i madh vdiq”.
Mohamed el Baradei, fitues i çmimit Nobel për Paqen: “Njerëzimi humbi birin e tij më të shquar”.
Bill Gates, themelues i Microsoft: “Falja e tij dhe guximi që ai tregoi ndryshuan botën”.
Morgan Freeman, aktor i cili ka personifikuar Nelson Mandelën në filmin “Invictus” (“I pathyeshmi” të Clint Eastwood në vitin 2009: “Nelson Mandela ishte një sshenjtor për shumë vetë dhe një hero për të gjithë ata që duan lirinë dhe dinjitetin njerëzor”.
Bono, këngëtari i grupit U2 dhe bashkëthemelues i OJF-së ONE: “Nelson Mandela na tregoi mbi të gjitha se si ta duam njëri-tjetrin në vend që ta urrejmë”.
Lexo edhe: Lamtumirë Nelson Mandela, njeriu që mundi aparteidin