in

Frattini hyn mik te Belgjika për heqjen e vizave shqiptarëve

Ministri i Jashtëm italian Franco Frattini dhe homologu i tij slloven, Samuel  Žbogar i kërkojnë ministrit të Jashtëm të Belgjikës, Steven Vanackere, përmbylljen e liberalizimit të vizave për Shqipërinë dhe Bosnje-Hercegovinën brenda vjeshtës
Frattini dhe Zbogar

Tiranë, 22 shtator 2010 – Ministrat e Jashtëm të Italisë dhe të Sllovenisë, Franco Frattini dhe Samuel Žbogar i kanë kërkuar përmes një letre ministrit të Jashtëm të Belgjikës, Steven Vanackere, mbështetjen për integrimin e Ballkanit Perëndimor në BE dhe përmbylljen e liberalizimit të vizave për Shqipërinë dhe Bosnje-Hercegovinën në fund të vjeshtës 2010. 

Burime zyrtare të ministrisë së Jashtme shqiptare bëjnë të ditur për ATSh-në se në letër kërkohet nga BE të ndihmojë këto dy vende në ecjen e tyre përpara drejt integrimit evropian.

Dy ministrat theksojnë se është thelbësore përmbyllja e procesit të liberalizimit të vizave për Shqipërinë dhe Bosnjen, në përputhje me propozimin e lëshuar nga Komisioni më 27 maj. “Një rezultat pozitiv dhe një zbatim i shpejtë i procesit të liberalizimit të vizave do t’u dërgonte një mesazh të fuqishëm Shqipërisë dhe Bosnjes dhe do të shërbente si një nxitje për reforma të mëtejshme të orientuara drejt BE”, shkruajnë ministrat. “Procesi i integrimit në BE, ka provuar të jetë me të vërtetë mjeti më i fuqishëm për të sjellë paqen, demokracinë, stabilitetin dhe zhvillimin ekonomik të vendeve të rajonit, duke i ndihmuar ato të tejkalojnë përfundimisht problemet e së shkuarës”.

Më tej dy ministrat theksojnë se shpresojnë që Presidenca të vazhdojë procedimin në përputhje me rrugën e përcaktuar në Selanik, konfirmuar gjatë rinovimit të konsensusit mbi zgjerimin më 2006-ën dhe të ritheksuar së fundmi në Sarajevë.

Një paragraf i letrës i kushtohet rëndësisë që gjatë takimit të tetorit të Këshillit, t’i kalohej Komisionit aplikimi i Serbisë për anëtarësim në BE dhe të fillojë planifikimi nga ana e BE rreth lehtësimit në mënyrë të suksesshme një proces dialogu mes Beogradit dhe Prishtinës.

Letra përfundon me vlerësimin se, progresi i integrimit të Ballkanit Perëndimor është një prioritet strategjik i BE-së në tërësi.

Me Alitalia-n duhet udhëtuar ‘lehtë’

Alemanno: “Një shesh për Nënë Terezën në Romë”