in

Markelian Kapidani: “Jazzi im ballkanik”

Pinjolli i bajrakut më të famshëm të Mirditës, protagonist i jetës kulturore shqiptare të pas-diktaturës, sot është një zë i njohur i panoramës së jazz-it italian. Apo edhe shqiptar? Pasi Kapidani, besnik ndaj emrit të vet e në kërkim të përhershëm, sjell edhe harmonitë e veçanta të përftuara nga ndërthurja e ritmeve dhe melodive të mirëfillta të jazz-it me traditën muzikore mesdhetare e shqiptare

markelian_kapidani2.gifEmri i Markelian Kapidanit shumëkujt mund t’i kujtojë vitet ’90, kohën kur diktatura shqiptare sapo ishte shpërbërë, Shqipëria sapo ishte hapur me botën dhe shqiptarët ishin të etur për gjithçka që kishte ndodhur përtej mureve hermetike të Shqipërisë gjatë pothuaj gjysmë shekulli izolimi. Ishte koha e entuziazmit kur të gjithë eksperimentonin, rock-u dhe jazz-i u bënë të ligjshëm dhe shpërthyen madje edhe dyert e festivalit të përvitshëm të muzikës së lehtë shqiptare, duke tronditur e revolucionuar gjithë ç’kishte qenë më parë. Ndër figurat kryesore të asaj që ndodhte ishte edhe Kapidani, djali flokëgjatë që shfaqej festivaleve përpara orkestrës me kompozimet e dhjetëra këngëve të atyre viteve, duke u bërë një figurë e gjithëpranishme sa herë që flitej për festivalin e dhjetorit.

Por kapitulli i entuziazmit dhe i festivalit të dhjetorit është mbyllur e është lënë pas prej kohësh. Vazhdon të mbijetojë në të kundërt pasioni, entuziazmi, e thjeshtë kurioziteti për të zbuluar muzikën, jazz-in në gjithë nyjëtimet e tij, të panumërta, të larmishme, e gjeografikisht të shumëartikullueshme, që lëkundën sa në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, aq në Amerikën Latine, në Afrikë e përmbyllen të gërshetuara me ritmet ballkanase, mesdhetare që bartin vulën e qytetërimeve të së kaluarës së largët e të afërme. Gjithë kjo përzierje eklektike arti, është ngjizur në një compact disk, të quajtur BallkanPiano, dhe së shpejti është në dalje edhe një tjetër që do të quhet Balkan Bopp.

Kapidani, ka lindur në ’70, në kohën kur Shqipëria ishte një fortesë graniti në breg të Adriatikut, prej nga as hyhej e as dilej, në një familje arti, që do të shënojë pastaj edhe rrugën e tij në muzikë e në zhanret përkatës. Por rrënjët e familjes së tij, thellë në histori e ne gjeografinë e Shqipërisë, në krahinën e Mirditës, në historinë e lashtë të askujt më pak se Lek Dukagjinit, dhe fisit të Gjonmarkajve, që të shquar në luftën kundër turqve ku prinin luftëtarët e maleve të veriut të Shqipërisë, morën emrin Kapedan, që mbijeton edhe kohëve të sotme.

Ndërsa muzika ka hyrë në jetën e Kapidanit që në moshë shumë të re, jazz-i ka fjetur i heshtur në partiturat e të atit, edhe ai muzikant i një Shkodre të vjetër, të përçudnuar nga vala përhumbëse e traditave që kaploi Shqipërinë bashkë me komunizmin për vite të gjata izolimi. Ndërsa pas rënies së regjimit, eksperimentimi u bë i ligjshëm, i tolerueshëm, dhe dukej se brezi i Kapidanit kishte detyrën të kryente atë që nuk ishte e mundur në vitet e gjata të izolimit. Duke rizbuluar jazz-in por duke rizbuluar edhe muzikën e larmishme e të tejpasur shqiptare e ballkanike, duke u zhytur thellë në të, dhe duke i gjetur rrënjët, ritmet, përtej klisheve që qarkullojnë rëndom, në historinë e largët e të përbashkët, të Ballkanit e Lindjes së mesme.

Por Shqipëria është e fundme, nuk mjafton për ata që duan të arrijnë të tjera horizonte, përtej borderosë së sigurt. Dhe si shumë kolegë e shokë të tij edhe Kapidani, në ’97-ën e trazuar e pa veten të pavend e të pastimuluar në Shqipëri, dhe iu desh të merrte rrugën drejt shtigjeve të reja, në Itali. Duke bërë tabula rasa të ekzistencës së tij të mëparshme, siç u ndodh rëndom migruesve, e duke ndërtuar një të re, nëpërmjet një procesi të dhimbshëm, por produktiv që ka sjellë artistin e afirmuar e të suksesshëm që njihet sot.

Shqiptari i Italisë: Pse kjo zgjedhje për të ndërthurur muzikën folkloristike shqiptare dhe ballkanase me muzikën jazz?

Markelian Kapidani: Kryesisht është ideja për të krijuar diçka të re, që më intereson. Nuk ka muzikë që nuk mund të kombinohet me një tjetër për të arritur diçka të re. Për një pikë të tillë të fuzionit duhet njohje e madhe qoftë e folklorit qoftë e muzikës së kultivuar. Mua me interesonte folklori si rrënjë e muzikës që më përket, dhe jazz-i si shprehje e lartë e lirisë së improvizimit dhe krijimit muzikor. Këto dy aspekte i kam pasur gjithmonë me vete. Pas shumë vitesh studimi të muzikës klasike, të jazz-it dhe të folklorit shqiptar por edhe pas shumë vitesh eksperience në fusha të ndryshme të muzikës ku kam punuar më në fund arrita tek ndërthurja e këtyre botëve të ndryshme të muzikës. Është interesant fakti që vetë jazz-i lind nga folklori, i amerikanëve të zezë, që quhet pastaj edhe Blues dhe gërshetohet me muzikën e kultivuar të popullit të bardhë evropian. Unë duke njohur këto dy tradita, përdor folklorin shqiptar dhe e ndërthur atë me muzikën jazz.

Por ju jeni formuar në Shqipëri, në vitet kur kjo e fundit ishte vendi më i izoluar në Evropë. Si e keni zbuluar jazz-in?

Jazzin e kam zbuluar në moshën 14 vjeç. Im at luante rreth viteve ’60 jazz, tek Kafja e Madhe në Shkodër ku kishte një orkestër të vogël. Pas viteve ’60 jazz-i u ndalua në Shqipëri dhe në gjithë vendet komuniste si një muzikë amerikane, si imperialiste dhe për shkak të plot epiteteve të tjera politike. Në ’84, në moshën 14 vjeç duke kërkuar mes partiturave të tim eti gjej disa revista jazz-i ku në fund të secilës nga ato kishte të shkruar nota e tema, me improvizime dhe me akorde. Në këtë mënyrë e kam zbuluar jazz-in. Jo për dëshirë të tim eti, por rastësisht, madje im atë kishte frikë – më vonë edhe ma ka shprehur këtë – ngaqë ishte muzikë e ndaluar se mos unë shkoja dhe e luaja këtë muzikë në shkollë apo në shoqëri dhe mund të na krijonte probleme.

Nisur nga fakti që Shqipëria ka dhe ka pasur shkëmbime shumë minimale me fqinjët e saj ballkanas veçanërisht nga pikëpamja kulturore dhe njerëzore gjatë 50 viteve të fundit. Si ka ardhur interesi juaj për pjesën tjetër të Ballkanit?

Kjo ka ardhur si një pjekje e personalitetit tim. Vitet e fundit duke studiuar jazz, njoha jazz-in e Karaibeve, jazz-in kuban, atë të Republikës Dominikane, jazz-in brazilian që e njihja që më parë dhe kjo njohje me jazz-in e Amerikës Latine, e zhvendosi vëmendjen time në strukturat ritmike që muzikantët e këtyre vendeve përdorin në muzikën e tyre. Këto struktura vijnë nga Afrika, dhe si rezultat u mora edhe me studimin e folklorit afrikan, i cili më çoi tek muzika ritmike antike, të Egjiptit, dhe Marokut. Nuk është thjeshtë për tu shpjeguar por është diçka shumë interesante. Qytetërimi i Egjiptit ka ndikuar gjithë Mesdheun, Greqinë, e pastaj nëpërmjet pushtimeve të Aleksandrit të madh gjithë Ballkanin e Lindjen e mesme. Ekziston një lidhje shumë e fortë nga ana shpirtërore dhe muzikore e gjithë Ballkanit, dhe e Mesdheut duke përfshirë këtu edhe Spanjën, me meloditë dhe ritmet moreske, flamenkon etj. Të gjithë këto ritme e kanë zanafillën nga Afrika, ashtu siç e ka edhe jazz-i nga Afrika perëndimore, Bregu i Fildishtë. Ky udhëtim imagjinar që bëra këto vitet e fundit më solli tek Ballkani dhe tek Mesdheu dhe më bëri që të mundohem të sintetizoj folklorin e Ballkanit tek muzika ime.

Cilat janë ritmet folkloristike të Ballkanit që parapëlqeni më shumë të zgjidhni?

Është interesante sepse ritmet që përdorin si shqiptarët, si sllavët, si turqit, i kanë rrënjët tek Egjipti dhe tek Greqia. Për shembull një nga ritmet më interesant është kallamatiani, që vjen nga Kallamata, një qytet bregdetar në Greqi. Nëpërmjet këtij ritmi luftëtarët vallëzonin rreth heshtës së Akilit. Apo ritmi Karsilamas është shumë i përhapur në pjesën e Turqisë dhe në Palestinë. Për shembull në muzikën folklorike shqiptare kënga “A kanë ujë ato burime” i përket këtij lloj ritmi. Apo ritmi Malfouf, që vjen nga Afrika, por e përdorin shumë edhe shqiptarët edhe sllavët në muzikën e tyre popullore. Por një pjesë e mirë e atyre që bëjnë e që merren me muzikë në Ballkan nuk i njohin këto emra as strukturat e ndërtimit të këtyre ritmeve. Siç thuhet, në të tilla raste, i bien me vesh. Nuk ekzistojnë as tekste për të tilla gjëra. Sepse askush nuk i ka studiuar në mënyrë të thellë dhe serioze. Studimi i folklorit është marrë seriozisht nga shumë pak studiues, dhe janë të rralla studimet që në të vërtetë vlejnë. Pjesa më e madhe e folklorit në botë, në përgjithësi në botë mësohet nga muzikantët që krijojnë muzikë ndërsa një teori mbi zanafillën dhe zhvillimin e folklorit nuk ekziston.

Si ndodhi që u transferuat në Itali?

Ndodhi në ’97-ën, në kohën e krizës së madhe. E gjeta veten në një pikë ku nuk kisha më ç’të bëja pasi gjendja në Shqipëri u degjenerua. Punoja në radiotelevizion në atë kohë në departamentin e spektakleve. U prish klima, dhe për artistin nuk ka më vend në momente të tilla. Kur njerëzit kanë probleme mbijetese për të zgjidhur, nuk është momenti i mirë për muzikën. Fillimisht në Itali kam ardhur në Milano, pastaj kam lëvizur nëpër hinterlandin milanez dhe në Venecia, ku kam qenë edhe në Caffè Quadri, një prej kafeve më të vjetra në Evropë. Mu desh ta nisja nga zeroja, mes vështirësive të ndryshme. Shumë muzikantë që kanë ardhur këtu në perëndim e kanë lënë muzikën, janë bërë bojaxhinj, muratorë, sepse muzika nuk të jep të jetosh. Ose më mirë të jetuarit me muzikë arrihet vetëm atëherë kur hyn në disa qarqe, afirmohesh dhe arrin të fitosh duke bërë muzikë.

Sa ndikim ka pasur në këto vështirësi të qenit shqiptar?

Jashtëzakonisht, si për gjithë shqiptarët në ato vite, ka pasur shumë probleme, pastaj edhe vetë profesioni im kërkon që të jesh i lirë, të mos varesh nga askush. Në përgjithësi shkoja në orkestrat e sallave ku bëheshin ballot, kam punuar për pesë vjet dhe pastaj kam hyrë në disa qarë muzike më interesante, kam bashkëpunuar edhe për një album të Fausto Lealit.

Aktualisht varem nga etiketa Jazz “RED RECORDS” të zotit Sergio Veschi për të cilën kam regjistruar diskun “BALKAN PIANO”. Të jesh muzikant është një punë që kërkon shumë sakrifica, më është dashur shumë durim. Por kur del përpara publikut dhe ata të duartrokasin sepse u pëlqen muzika jote, ky është maksimumi i kënaqësisë.

Po me Shqipërinë ç’marrëdhënie keni?

E vetmja marrëdhënie artistike që kam me Shqipërinë, është festivali i Jazz-it që zhvillohet në Shkodër. Shkoj gati çdo vit, rri një javë apo 10 ditë, pastaj shkoj në Tiranë për të parë prindërit e mi dhe takoj ndonjë shok muzikant për të kujtuar kohët e kaluara. Mbaj lidhje me ndonjë shok muzikant që është jashtë Shqipërisë, si për shembull me Elton Dedën që është në Amerikë. Kemi një lloj plani për të bërë diçka por mbetet për t’u parë.

E ndiqni skenën muzikore shqiptare të viteve të fundit?

Më tepër mbaj lidhjet me persona me të cilët kam pasur miqësi edhe nga ana muzikore edhe nga ana personale mbaj lidhjet. Për sa u përket festivaleve nuk kam shumë interes, sepse me sa më kanë thënë e me sa kam parë, më duket se kanë ndryshuar pak a shumë pikësynimet artistike. Nuk janë më ato kohëra kur synonim të fusnim diçka të re, të krijonim. Tani është ndryshe, të gjithë duan të bëhen muzikantë, të gjithë mendojnë të fitojnë para, pa u kujdesur shumë për cilësinë e muzikës që nxjerrin. Kjo përsa i përket muzikës së e lehtë, kurse muzika klasike vazhdon të jetë e lidhur me institucionet, dhe vazhdon të jetë e kontrolluar, dhe cilësore. Nuk më vjen mirë ta them por muzika e lehtë ka dalë jashtë çdo parimi.

Nga se vjen kjo?

Ndoshta nga liria e tepruar, nga dëshira për të bërë shumë, dhe veçanarisht nga padituria. Nuk mund të bëhesh artist, muzikant ose piktor pa studiuar në mënyrë profesionale për të marrë zanatin. Në Shqipëri ka shumë artistë që janë diletantë. Dilentatizmi është në masë në gjithë botën. Por ngaqë ne jemi vend i vogël e ndjejmë më shumë peshën e tij, Edhe këtu në Itali ka shumë diletantë, mirëpo në një popullsi prej 60 milionësh, kjo duket më pak se në një popullsi prej vetëm tre milionësh.

Por në vitet ’90 pati disi prurje të reja, muzike që më parë nuk njihej, rock, e alternativa të tjera. Ku janë këto grupe?

Të gjithë janë shpërndarë sepse Shqipëria nuk stimulonte më. Kuptohet, lidhjet mbeten sepse është vendi i lindjes dhe nuk mund të fshihet nga kujtesa, por ekziston një pikë pas së cilës Shqipëria nuk mund të të japi më. Sepse nuk ekzistojnë as strukturat, që të të mbështesin e të të stimulojnë. Nga ana artistike, nga organizmi është shumë e varfër. Artistët e vërtetë nuk mund të joshen. Ka artistë shumë të mirë, por ata që arrijnë një farë pikë, pastaj flenë me atë që kanë arritur sepse mungojnë stimujt, ballafaqimet me të tjerët me prurjet e reja, nëpër festivale apo koncerte. Po të kishte një klimë të tillë në Shqipëri, 80% e tyre që mendojnë se sot bëjnë muzikë do të merrnin kazmën për të hapur kanal në vend që të bënin muzikë!

Kjo vlen edhe për Festivalin e dhjetorit?

Po normalisht. Një pjesë e muzikantëve (siq e thashë edhe më parë), flenë sepse kanë arritur një siguri ekonomike, dhe nuk kanë stimul artistik. Një pjesë kanë ikur nëpër botë, dhe ka mbetur një brez i ri që është duke u formuar tani i cili nuk ka studimet e duhura dhe përgatitjen e nevojshme për të bërë muzikë. Bëjnë prodhime me ritme të gatshme, nuk ia kanë idenë arranxhimit dhe prodhimet pastaj dalin si qoftet ne qebaptore.

Një fenomen shumë interesant i kohëve të fundit, është për shembull nacionalizmi, patriotizmi, qoftë në muzikën e lehtë qoftë në atë popullore. Madje në festivalin e dhjetorit, ndër këngët fituese ishte edhe ajo e West side family, hip hop nacionalist… është interesant fakti që i njëjti fenomen është shumë i pranishëm edhe në Serbi, Maqedoni, Kroaci etj, vende të Ballkanit.

Këto janë fenomene që ndodhin. Duhet të ndodhin sepse ekziston së paku arsyeja e momentit ku këto fenomene marrin jetë, dhe këto forma artistike janë pasoja. Por gjenerata e re është e pashkolluar. Rap-i lind nga brezi i ri i zezakëve, të pashkolluar, të emargjinuar dhe është më e thjeshtë për tu asimiluar e për tu kënduar nga ai që e dëgjon. Unë nuk do ta quaja muzikë, por thjesht tekst i recituar në një farë mënyre. Për sa i përket rap-it lidhur me nacionalizmat e ndryshme, nuk ka një shkak social të fortë, se sa është më shumë një formë e thjeshtë për tu afirmuar. Kush bën tekste të tilla ia arrin qëllimin me rrugën më të thjeshtë. Si përfundim nuk më duket se këto këngë kanë domethënie të rëndësishme politike.

Po a duhet lejuar që një zhanër i tillë, të hyjë e të fitojë në festivalin e dhjetorit?

Festivalet e këngës janë muzikore. Ato janë të lidhura me tekstet dhe poezinë, me arranxhimin por edhe me situatën politike. Kur unë punoja në radiotelevizion kërkonim që ata që sillnin këngë, të mos përmbanin ekstremizma, mundoheshim t’i limonim. Për të vetmin fakt sepse festivali nuk është politikë. Nëse dikush dëshiron të bëjë politikë nëpërmjet muzikës mjafton që të nxjerrë një disk. Kurse festivali është një shfaqje e muzikës së lehtë, ndërthurur me poezinë lirike kryesisht. Prandaj jam kundër këtyre shtysave.

markelian_kapidani.gifMegjithatë në Shqipëri ka edhe disa prurje interesante të viteve të fundit, Festivali i Jazz-it të Shkodrës, ai i Tiranës… Si i vlerësoni këtë lloj fenomeni të ri?

Fenomeni është sporadik. Është shumë i mirë, por janë këto dy fenomene që janë të izoluara dhe nuk kanë jehonë. Fuqia ekonomike e këtyre festivale do duhej të mbështetej nga bashkitë, për të pasur një pjesëmarrje edhe më të madhe. Përse jazz-i të ngelet njohje e vetëm një elite? Këtë muzikë duhet ta njohë edhe populli, për këtë nevojitet përkrahja. Ashtu si dikur ekzistonin festivalet, ku merrnin pjesë orkestra e ansamble, si për shembull dikur festivali i Gjirokastrës. Këto manifestime do duhej të krijoheshin edhe për Jazz-in, koncerte, muzikë në shesh … Ashtu siç bëhej festivali i pranverës jashtë nëpër gjithë Shqipërinë, mund të bëhet kështu një iniciativë nëpër të gjitha qytetet kryesore. Një ngjarje e tillë do të gjallëronte jetën artistike, të njerëzve. Është interesant fakti që në Shqipëri nuk ekzistojnë festat e komuniteteve. Si në Itali, në Gjermani, në ketë pjesë të Evropës ekziston festa e birrës, festa e verës, e kështu me radhë. Këto, në Shqipëri nuk ekzistojnë. I vetmi moment kur shqiptarët mblidhen të festojnë së bashku është nëpër dasma. Kjo të bën të mendosh se ne shqiptarët nuk jemi shumë dashamirës me njëri-tjetrën, nuk kemi vende të përbashkëta, ku të shoqërohemi e të festojmë. Problemi është komunizmi, humbja e traditave që më parë duhet të kenë ekzistuar.

Cilat janë projektet për të ardhmen, pas diskut të parë Balkanpiano?

Do të nxjerr albumin tim të dytë Balkanbop për etiketën RED RECORDS. Ky disk i përmbahet një stili jazz shumë të ngrohtë amerikan të viteve ‘40, ’60. Tani kam dëshirën të ndërthur këtë lloj jazz-i të ngrohtë me ritmet folkloristike të Ballkanit. Kjo është sfida ime e momentit.

Bën pjesë Shqipëria në projektet tuaja, edhe për të kontribuar në këtë drejtim?

Bën pjesë vetëm në mënyrë sporadike. Unë marr pjesë rregullisht në Festivalin e Jazz-it në Shkodër. Në 2010 do të marr pjesë në një turne të një orkestre spanjolle që do të ndalet edhe në Shqipëri. Kam disa ide për të bërë diçka në Tiranë por problemi është gjithmonë tek mënyrë se sis bëhen gjërat. Në Shqipëri ekziston një menefregizëm i tmerrshëm. Gjithçka bëhet me ritme shumë të ngadalta, shumë të paorganizuar. Prandaj jam gjithmonë shumë i tërhequr përpara propozimeve që kanë të bëjnë me Shqipërinë. Por do të më pëlqente të bëja disa koncerte në Shqipëri.

Çfarë lloj muzike dëgjonit para se të binte sistemi?

Unë gjithmonë kam dëgjuar jazz, përveç muzikës klasike që e studioja në shkollë. Me shumë vështirësi kuptohet, sepse duhej dëgjuar fshehurazi. Kam pasur një magnetofon në shtëpi dhe regjistroja, festivalin e Sanremos, që në atë kohë na dukej si i një cilësie të jashtëzakonshme. Pastaj në atë periudhë, regjistroja emisionet muzikore të kanalit 1 të Jugosllavisë, apo të Rai 1. Jugosllavia ka pasur traditë jazz-in, kishte emra të rëndësishëm, që kishin krijuar një lloj zhanri të tyren. Në atë periudhë Rai ishte shumë më i mirë nga ç’është tani, koncertet ishin cilësore. Unë i regjistroja, pastaj i dëgjoja dhe i analizoja sërish. Pastaj materialet më të mëdha erdhën rreth viteve ’90, ’91, ’92. Kur kam dalë për herë të parë jashtë shtetit kam pasur mundësi të marrë disqe e libra që tek ne nuk gjendeshin.

Në vitet ’90, pati një ringjallje të muzikës, erdhën Elita 5 nga Maqedonia, Agron Berisha nga Kosova, të tjera grupe u krijuan në Shqipëri. Çfarë shijeje ju ka lënë ajo periudhë?

Ka qenë një periudhë shumë e bukur. Me shumë dëshirë për të bërë muzikë, gjithkush kishte dëshirë për të realizuar diçka, për të shtuar pjesën e vetë në muzikën shqiptare pas hapjes së Shqipërisë. Për sa i përket muzikës së lehtë pjesa më e madhe ishte e etur për rock. Erdhi Agron Berisha, doli Elton Deda, Aleksandër Gjoka. Ka qenë një periudhë shumë krijuese që më ka vlejtur nga ana profesionale sepse duke punuar me këngëtarë rock kam pasur mundësinë të zbuloj shijet muzikore të tyre, prirjet e tyre dhe kjo më ka vlejtur nga ana profesionale. Sot nuk ekziston më ajo valë. Në atë kohë, në vitet ’90 dëshira për të bërë diçka e kalonte dëshirën për të fituar, gjë që është gabim sepse muzikanti për të bërë muzikë cilësore duhet t’i kushtohet asaj, dhe të jetë i përgatitur prandaj duhet edhe të fitojë jetesën me të bërit muzikë. Sot është e kundërta. Muzika është e cilësisë së dobët dhe qëllimi kryesor është shitja e saj, pa shumë kujdes për cilësinë. Nuk më pëlqen atmosfera e sotme.

Duke i parë me syrin e tanishëm, sa cilësi kishte ajo lloj skenë? Për atë periudhë ndonjë rocker kosovar thotë “shqiptarët e Shqipërisë nuk marrin vesh nga rock-u”…

Problemi është se sa nga muzikantët që mendojnë se janë të tillë, dinë dhe kanë studiuar duke fituar njohuritë e duhura për të bërë atë lloj muzike. Në Shqipëri ekzistojnë muzikantë që mund mos njohin elementet teknike, por kanë dëgjuar aq shumë rock sa që janë rocker brenda. Për shembull Aleksandër Gjoka, është rocker brenda, edhe pse mund të mos jetë ekspert i arranxhimit. Ka pasur cilësi por ata pak që kanë qenë kanë ikur. Për sa i përket kosovarëve, ata këngëtarë që vërtetë vlejnë nuk janë të njohur siç do të meritonin. Muzikantët e Kosovës kanë pasur mundësi të njohin elementët elektronike para nesh duke qenë të hapur me botën, ndërsa ne ishim plotësisht të izoluar. Për të qenë rocker duhet të kesh disa karakteristika vokale tipike për këtë lloj muzike. Jo të gjithë këngëtarët e kanë këtë cilësi. Ndoshta kosovarët e dinë këtë gjë dhe për këtë arsye janë më bindës në këtë stil. Ne, shumë nga këto njohuri muzikore i arritëm me vonesë.

Ndërsa për sa i përket cilësisë së tanishme të muzikës, duhet thënë se muzika e lehtë (si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë), po përjeton një periudhë pasigurie artistike të përgjithshme. Kopjohet gjithandej për të prodhuar “klone” muzikore, pa fantazi dhe origjinalitet. Do të isha i lumtur sikur Rock-u shqiptar të bëhej i famshëm edhe jashtë atdheut, por për të arritur një rezultat të tillë nevojitet një jetë artistike më e gjallë dhe një kultivim më i gjerë i ambienteve muzikore.

Është interesante, që në të gjitha biografitë tuaja përmendet fakti se jeni pinjolli i familjes së Markagjonajve, pra i Lekë Dukagjinit. Çfarë do të thotë kjo për ju?

Unë jam “Soktar i vuajtur”. Hahh …

Familja ime është një nga familjet e vjetra që daton që në 1100-ën. Nga pikëpamja historike është shumë e pasur, por nga pikëpamja materiale kjo familje e madhe është plaçkitur nga komunistët. Familja e GjoMarkajve është një nga dyert më fisnike të mbarë Shqipërisë.. Jam shumë i lumtur, sepse në një farë mënyre ndihem pjesë e historisë tonë. Fisnikëria është një cilësi që nuk trashëgohet. Janë gjestet personale të cilat e fisnikërojnë individin, kështu që, fisnik mund të quhet edhe një person që vjen nga shtresat e varfra të shoqërisë, Si rrjedhim, koncepti i fisnikërisë ka një kuptim më të gjerë se sa trashëgimitë e titujve familjare. Më pëlqen që historia e familjes sime është një pjesë e rëndësishme e historinë së Shqipërisë.

Por unë sot jetoj me celular, me kompjuter, me fjalën e fundit të teknologjisë, kohët evoluojnë. Ndërsa nga Lek Dukagjini ka ngelur më tepër Kanuni, që është një problem sot në 2009-ën. Kush ka lexuar të drejtën romane, vëren një ngjashmëri të jashtëzakonshme me kanunin e Lekë Dukagjinit, por në kundërshtim me realitetin ku zhvillohej e drejta romane, dhe ku zhvillohet sot kanuni. Është absurditet që kanuni zbatohet ende. Do të kishte logjikë në Mesjetë por jo sot. Kjo tregon se në Shqipëri nuk ka ekzistuar një shtet i vërtetë, që të drejtonte gjithë popullin shqiptar. Kjo e ka detyruar shqiptarin të lidhet me kanunin (duke e interpretuar atë në mënyrë sa personale po aq edhe të gabuar) dhe të bëjë drejtësi vetë, vetë zot e vetë shkop. Kjo më indinjon sepse një gjë e tillë shpreh vetëm padituri.

Nuk duhet harruar fakti se Dera e Gjomarkajve thërritet nga populli “Reza e Kanus”, pra: familja e cila qëndron në bazën e Kanunit si trashëgimtare e drejtpërdrejtë e Lek Dukagjinit i cili e formuloi Kanunin. Tek neni 150, paragrafi 1126 i Kanunit thuhet: Dera e Gjomarkut asht themeli i Kanus… Dhe më poshtë… 1131: Përtej kësaj dere s’ka vazhdim çashtjesh… 836: Është në kundërshtim me Kanunin kushdo që hakmerret mbi gratë dhe fëmijët … Apo 1154: Kreu i një fisi nuk ka të drejtë të djegë, të çrrënjosë … apo të detyrojë të tjerët në mërgim.

Nga vetë Kanuni rrjedh që: kush kërkon ta zbatojë atë në mënyrë “personale” e pa respektuar përmbajtjen e tij, shkel ligjet e vetë Kanunit i cili pa Familjen e Gjomarkajve nuk ka mundësi të drejtë zbatimi. Kush vepron në këtë mënyrë të pandërgjegjshme sot, është dyfish fajtor, karshi ligjit të shtetit demokratik shqiptar dhe karshi Kanunit. Kanuni i Lekës është mesjetar, ka vlerë legjislative vetëm për një shoqëri mesjetare.

Por më mesjetarë më duken ata persona që mundohen akoma sot të vendosin drejtësi nëpërmjet Kanunit në të shumtën e rasteve pa e njohur aspak atë! Sot vendi i kanunit është në muze, në librat e historisë apo në veprat e artit. Jeta e qytetarit shqiptar duhet t’i bindet ligjeve të një shteti demokratik. Për këtë arsye u takon të ndërhyjnë me dinamizëm organeve kompetente të shtetit shqiptarë për të zbatuar “ligjin”, për të dal një herë e përgjithmonë nga tuneli i mesjetës dhe për tu drejtuar nga Europa e qytetëruar moderne.

Në përgjithësi malazezët krenohen me origjinat e tyre që i llogarisin nga prijësit mesjetarë si Lek Dukagjini, apo Gjergj Kastrioti. Fenomeni është shumë interesant. Ju si e vlerësoni?

Nuk kanë pasur motiv tjetër përveç Lekë Dukagjinit, apo Gjergj Kastriotit, ishin figura e princit, e dukës, kapedanit, fjala e të cilit ishte ligj bashkë me fjalën e zotit.

Sot, në epokën moderne jeta ecën me hapin e kohës dhe ligjet e dikurshme i lënë vendin ligjeve të reja që i përkasin kohës sonë.

Marjola Rukaj

Shqiptari i Italisë i muajit prill 2009

 

 

Kovaçhanat e dijes shqiptare

Genti Tavanxhiu mbledh skulptorët në simpozium në Korçë