Enti i Aviacionit Cilvil Italian i pezullon lejen e fluturimeve kompanisë Small Planet Airlines. Prej një muaji ofronte fluturime që lidhnin Rinasin me Barin, Genovan dhe Napolin. Kush ka një biletë në xhep, duhet të kërkojnë rimbursimin në info[at]flyplanet.com
Romë, 24 janar 2014 – Duket se nuk mund të rrinë të qetë shqiptarët që kanë një biletë fluturimi Itali-Shqipëri. Nga data 20 janar, edhe Small Planet Airlines ka lënë në tokë pasagjerët e saj sepse ENAC, Autoriteti i Aviacionit Cilvil Italian, ka vendosur t’i pezullojë lejen e fluturimeve kësaj kompanie. Vetëm një muaj më parë ajo kish nisur fluturimet për dhe nga Rinasi.
Në faqen internet flynet.com ku deri pak ditë më parë mund të bëheshin biletat, lajmërohet “Për shkak të një vendimi të Drejtorisë së licencave të Entit të Aviacionit Cilvil Italian, ENAC, jemi të detyruar të ndërpresim përkohësisht aktivitetin e kompanisë dhe për rrjedhojë të pezullojmë të gjitha fluturimet nga data 20 janar deri në një vendim të ri”.
Vetë presidenti i Small Planet Airlines Srl, Stefano Canessa, më 18 janar ka lëshuar një komunikatë shtypi me të cilën shpjegon se vendimi i pezullimit të lejes së fluturimeve është marrë “ekskluzivisht për arsye ekonomike dhe financiare” dhe se nuk ka aspak të bëjë me “ushtrimin e operacioneve të fluturimit që gjithnjë janë kryer në respekt të normave, duke garantuar vazhdimisht sigurinë nën monitorimin e ENAC-ut”.
E ata që kanë blerë një biletë ç’duhet të bëjnë për të pasur mbrapsht paratë?
“Nëse keni blerë biletë me datë nisjeje nga 20 janari e tutje, jeni të lutur të kontaktoni Flynet Srl në info[at]flyplanet.com për të dhënë koordinatat bankare ku të mund t’ju kthejmë shumën e çmimit të biletës. – sqarohen disi udhëtarët e kompanisë – Për më shumë informacione mund të telefononi në Call Center Flyplanet.com në numrin +39.06.983.794.02 (e hënë – e premte 09:30-17:30)”.
Në Call Center, konfirmojnë për Shqiptariiitalise.com se do të rimbursojnë paratë e biletave. Kërkojnë t’u nisen me mail, përveç koordinatave bankare, edhe një kopje e biletës.
E nëse dikush dëshiron të përdorë biletën me një kompani tjetër, kundrejt edhe një pagese ekstra? “Nuk kemi marrëveshje me asnjë kompani tjetër për fluturimet për e nga aeroporte jashtë Italisë – deklarojnë nga Call Center. Me pak fjalë asnjë kompani nuk ofron një “biletë mbrojtëse” për pasagjerët e Small Planet Airlines. – E vetmja mundësi që u jepet atyre që kanë një biletë tonën është të kërkojnë rimbursimin”.
Të shpresojmë që kompanitë e tjera si Alitalia, Air One, Blu Express, FlyAlbania të kenë jetë më të gjatë.
Keti Biçoku
(Ndiqni Shqiptariiitalise.com edhe në Facebook dhe Twitter)
Komunikata Small Planet Airlines Srl: