Në referendumin e promovuar nga lëvizja nacionaliste e djathtë, të mbajtur të dielën, kanë fituar ata që duan kufizimin e imigracionit në Zvicër
Romë, 11 shkurt 2014 – Referendumi i mbajtur të dielën, 9 shkurt në Zvicër kundër imigracionit masiv, sipas rezultateve zyrtare, ka marrë 50,3% të votave në favor. Praktikisht, zvicerianët kanë votuar pro kufizimit të imigracionit, kryesisht evropian, rezultat ky që mund të ketë pasoja të rënda në marrëdhëniet me BE-në.
Referendumi i organizuar me iniciativë të partisë Lëvizjes nacionaliste të djathtë, Partia popullore Zvicerane, ka marrë qoftë mazhorancën e kantoneve qoftë atë elektoratit.
Konkretisht, ky referendum do të rikthejë nivelin tavan për kontingjentet vjetore për të huajt që duhen pranuar në vend, “që duhen përcaktuar në funksion të interesave globale të ekonomisë zviceriane dhe në respektim të parimit të preferencave të vendasve” duke i dhënë fund marrëveshjes se qarkullimit të lirë të personave të nënshkruar me BE-në, dhe që solli një imigracion masiv të evropianëve në Zvicër.
Evropa e shqetësuar
Me votimin pro vendosjes së kuotave të imigracionit për të huajt, zgjedhësit e zhytën Zvicrën e begatë në një krizë shumë të madhe, duke shprehur një lloj kundërshtimi ndaj presioneve që i bëhen vendit të tyre nga të gjitha anët. Gjermania, Franca dhe BE-ja protestuan kundër këtij votimi, që do të ketë pasoja të drejtpërdrejta tek qytetarët e shumtë evropianë të cilët dëshirojnë të punojnë në Zvicër, një procedurë që në të ardhmen do të bëhet shumë më e vështirë se sa tani.
“Rezultati i referendumit në Zvicër nuk është i lehtë për Bashkimin Evropian. Aktualisht si në Komisionin Evropian, po ashtu edhe në Këshillin Evropian po punojmë për të arritur një marrëveshje se si do të procedohet pas referendumit zvicerian mbi imigracionin, rezultati i të cilit ka marrë një drejtim të caktuar, që sipas një perspektive evropiane, nuk mund të konsiderohet një rrugë e lehtë”, u shpreh kryediplomatja evropiane, Catherine Ashton.
“Qeveria zvicerane duhet të analizojë se çfarë konkluzionesh do të nxjerrë nga rferendumi dhe të shohë nëse është e mundur të marrë vendimin që përputhet me angazhimet e saj ndërkombëtare, sidomos marrëveshjet e saj me BE-në”, deklaroi presidenti i Parlamenti Evropian, gjermani Martin Schulz. Sipas tij, “votimi kërkon një analizë të arsyeshme dhe reagime të matura dhe racionale”.
Por, paralajmëroi Joseph Daul, kryetari i grupit grupit parlamentar të djathtë evropian PPE, grupimi kyesor i Parlamentit Evropian, “nuk ka vend për bisedime mes Zvicrës dhe BE-së, sepse rregullat nuk mund të ndryshohen njëanshmërisht”.
“Zvicra është e lidhur me një marrëveshje dypalëshe me Bashkimin Evropian. Si e tillë, ajo duhet të pranojë dhe garantojë qarkullimin e lirë të të gjithë qytetarëve të BE-së”, shpjegoi ai.
“Qeveria federale u njoh me këtë rezultat dhe e respekton atë, por nga pikëpamja jonë, është e qartë se ai paraqet probleme të konsiderueshme”, deklaroi Steffen Seibert, zëdhënësi i kancelares gjermane Angela Merkel gjatë një konference shtypi të qeverisë. “Marrëdhëniet e ngushta mes Zvicrës dhe Bashkimit Evropian u sjellin qytetarëve të të dyja palëve avantazhe të mëdha dhe lëvizja e lirë është në qendër të këtyre marrëdhënieve”, shtoi ai.
“Qarkullimi i lirë është për ne pasuri me shumë vlerë, kancelarja e ka theksuar gjithmonë, i takon tashmë Zvicrës, qeverisë së saj, që, pas rezultatit të këtij referendumi, t’i shpjegojë BE-së se si mendon t’i përshtasë politikat e saj këtij rezultati”, vazhdoi ai, duke shtuar: “Vetëm pas kësaj, institucionet evropiane do të nxjerrin të gjitha konkluzionet politike dhe juridike të këtij votimi”.
Për shefin e diplomacisë gjermane, Frank-Walter Steinmeier, “është Zvicra ajo që do të penalizohet në radhë të parë nga rivënia në dyshim e marrëveshjeve”. “Sepse Zvicra përfiton ekonomikisht nga imazhi i saj si vend në zemër të Evropës dhe i hapur për botën”.
“Votimi mund të ketë pasoja shumë të rënda në marrëdhëniet mes BE-së dhe Zvicrës”, deklaroi ministri i Jashtëm belg, Didier Reynders.
“Duke vënë në dyshim parimin e qarkullimit të lirë, sigurisht që vendimi na imponon të rishikojmë të gjitha marrëveshjet BE-Zvicër të arritura në vitin 1999 dhe të zbatuara që prej 2002-it”, tha ministri francez, Thierry Repentin.
“BE do të duhet të rishikojë marrëdhëniet me Zvicrën”, shtoi ai.
“Është një votim shqetësues sepse ai do të thotë se Zvicra kërkon të mbyllet në vetvete dhe kjo është paradoksale, sepse 60% e tregtisë së saj të jashtme realizohet me Bashkimin Evropian”, theksoi ministri francez.
Disa ministra u treguan të kujdesshëm, duke u shprehur se presin reagimin e autoriteteve zvicerane.
“Ka kohë, sepse bisedimet janë parashikuar për tre vjet”, theksoi Ëilliam Hague, ministri i Jashtëm britanik. Votimi zvicerian në favor të kufizimit të imigracionit reflekton “shqetësime të thella dhe gjithmonë në rritje” lidhur me qarkullimin e lirë në Evropë, deklaroi edhe zëdhënësi i kryeministrit britanik, David Cameron.
“Ajo çka votimi në Zvicër nxjerr qartë në dukje është ekzistenca e shqetësimeve në rritje lidhur me impaktin që kjo mund të ketë kjo në qarkullimin e lirë në brendësi të BE-së”, u shpreh zëdhënësi gjatë një konference për shtyp. “Është kjo arsyeja për të cilën kryeministri dhe disa ministra të kabinetit e kanë ngritur këtë çështje dhe do të vazhdojnë shqyrtimin e saj me kolegët evropianë në BE”, përfundoi zyrtari britanik.
(Ndiqni Shqiptariiitalise.com edhe në Facebook dhe Twitter)