Stalking – aktet persekutuese si telefonata, sms, e-mail, “vizita të papritura” e deri edhe dërgimi i luleve apo dhuratave, që ndonjëherë mund të kthehen në forma të mirëfillta persekutimi që mund të kufizojnë lirinë e një personi dhe të cenojnë sferën e tij private aq sa ta trembin seriozisht, është vepër penale. Mund të mos njihet si emër i një krimi, por duhet thënë që në kronikat e kohëve të fundit, shpesh qytetarë shqiptarë janë akuzuar, arrestuar apo dënuar për këtë gjë.
1 tetor 2009 – Padova
Policia e Padovës arreston një 48 vjeçar shqiptar me akuzën e stalking dhe për dhunë ndaj të shoqes. Nga hetimet doli se prej vitesh emigranti keqtrajtonte gruan, edhe në prani të fëmijëve 10 e 7 vjeç. Asaj i kishte ndaluar mundësinë e çdo marrëdhënieje shoqërore me këdo.
10 shkurt 2010 – Antegnate
Arrestohet njëzetvjeçari shqiptar M.A., punëtor krahu, me lejeqëndrim të rregullt, me akuzën e stalking ndaj ish-të dashurës, edhe ajo shqiptare. Persekutimi kishte filluar që në gusht të vitit të mëparshëm. I riu ishte paralajmëruar nga karabinierët, por pa rezultat. Për të hapen dyert e burgut.
2 mars 2010 – Monza
Me padi të një studenteje italiane, e dëshpëruar nga persekutimet e një ish-të dashuri të saj shqiptar, arrestohet një i ri shqiptar, E.D. 22 vjeç. Ai gjëmonte këmba këmbës vajzën, së cilës i dërgonte pa pushim sms dhe e-mail-e herë me kërcënime e herë me tone dashurie.
23 mars 2010 – Poggibonsi
Arrestohet një shtetas 34-vjeçar shqiptar, E.D. me origjinë nga Vlora sepse persekutonte një vajzë, shitëse në një dyqan në qendër të qytezës. Me të shqiptari nuk kishte pasur kurrë asnjë lidhje dhe njohje personale, por kjo nuk e kishte penguar ta kërcënonte dhe fyente pa arsye. Policëve që e arrestuan emigranti shqiptar u deklaroi se ishte i rrëmbyer nga bukuria e vajzës.
26 mars 2010 – Fidenza
Persekutonte vjehrrën së cilës gjykata i kishte besuar fëmijët dhe arrestohet nga policia e Fidenza. Kosovari Severdjan Uka, 38 vjeç nga Prishtina kishte arritur të kërcënonte me vdekje gruan. Qëllimi i persekutimit ishte që t’i impononte vjehrrës edukimin e fëmijëve siç donte ai. Miq të kosovarit ndodheshin vazhdimisht afër shtëpisë së gruas për t’i bërë asaj edhe presion psikologjik.
18 qershor 2010 – Modica
Karabinierët e Modica arrestojnë shtetasen shqiptare Y.F, 39 vjeç e akuzuar për stalking ndaj një bashkëkombëseje e cila nuk kishte pranuar të kishte marrëdhënie me të. Gruaja ishte arrestuar me të njëjtën akuzë dhe në tetor të vitit 2009. Në atë kohë gjykatësi i kishte ndaluar t’i afrohej dhe t’i fliste viktimës. Por kjo nuk kishte mjaftuar për ta ndaluar persekutimin, me kërcënime dhe sharje, e që kishte shkaktuar tek viktima një gjendje ankthi. Duke mos pasur rrugë tjetër, viktima i është drejtuar sërish forcave të rendit
2 shtator 2010 – Firenze
Dy të rinj njihen nëpërmjet Facebook e pas shkëmbimit të numrave të telefonit, për një vajzë 22 vjeçare shqiptare fillon persekutimi. Pas një periudhe presionesh, fizike dhe psikologjike, e reja i drejtohet forcave të rendit. Arrestohet me akuzën e stalking një emigrant 25 vjeçar shqiptar pa dokumente qëndrimi. Emigranti shqiptar kapet në autobus nga policë pa uniformë, ndërsa po ndiqte vajzën e ëndrrave të tij.
23 shtator 2010 – Sanremo
Shtetasi shqiptar Mikel Rroku arrestohet me akuzën për stalking ndaj një avokateje. Në pak muaj ai i kishte dërguar viktimës 1.700 sms (me një rekord prej 38 sms në dy orë). Fillimisht ishte paralajmëruar dhe i ishte ndaluar të banonte në Komunën e Sanremos. Por pa rezultat. Gjatë marrjes në pyetje, Mikel Rroku ka deklaruar se “ai dhe avokatja janë një njeri i vetëm dhe i lidh diçka e pandashme”. Prandaj ka premtuar që nuk do heqë kurrë dorë prej saj. Është vendosur që shtetasi shqiptar t’i nënshtrohet një ekspertize psikiatrike.
Përgatiti Irida Cami, Bota Shqiptare 244
Lexo edhe: Psikologu: “Emigrantja është viktima e përkryer e persekutimit”
Ç’është stalking dhe si të mbrohemi