in

Ç’është stalking dhe si të mbrohemi

Sjellje dhe veprime si telefonata, sms, e-mail, “vizita të papritura” e deri edhe dërgimi i luleve apo dhuratave, mund të jenë shenja të mirëpritura dashurie. Por ndonjëherë mund të kthehen në forma të mirëfillta persekutimi që mund të kufizojnë lirinë e një personi dhe të cenojnë sferën e tij private aq sa ta trembin seriozisht.
Kthehet në “bezdisës torturues” apo e thënë me fjalën angleze që përdoret tashmë “stalker”, një person i njohur me të cilin viktima mund të ketë pasur ndonjë lloj marrëdhënieje ose ndonjë i panjohur me të cilin është ndeshur rastësisht, ndoshta edhe për arsye pune.
Aktet e mësipërme të persekutimit, këto dinamika psikike dhe të sjelljes, të njohura në nivel ndërkombëtar me termin “stalking”, nga viti i shkuar përbëjnë vepër penale në Itali dhe si të tilla ndëshkohen.


Stalking në legjislacionin italian

stalking skeda legaleStalking konsiderohet vepër penale në vende të ndryshme të botës. Normat kundër persekutimit kanë për qëllim të mbrojnë viktimat e akteve të persekutimit që, për karakteristikën e tyre përsëritëse dhe të zgjatur në kohë, provokojnë tek këta persona gjendje ankthi dhe frike për sigurinë e tyre ose i detyrojnë të ndryshojnë në mënyrë të ndjeshme mënyrën e jetesës.
Në Itali  sjelljet tipike të stalking-ut përbëjnë veprën penale të “akteve persekutuese” (neni 612-bis i kodit penal), i futur me dekretligjin nr. 11 të 23 shkurtit 2009, i njohur si dekreti Maroni.
Dekreti fut në kodin penal nenin 612-bis, me titull “akte persekutuese”, që në paragrafin 1 thotë: “Me përjashtim të rasteve kur fakti përbën krim më të rëndë, ndëshkohet me heqjen e lirisë nga gjashtë muaj deri në katër vjet kushdo, që me sjellje të përsëritura, kërcënon ose bezdis dikë deri në atë pikë sa i shkakton për kohë të gjatë një gjendje të rëndë ankthi ose frike aq sa trembet për sigurinë e vet apo të të afërmve sa ta detyrojë të ndryshojë stilin e vet të jetesës”.
Kësaj norme i shtohen të tjera plotësuese, si rritja e dënimit në rast ripërsëritjeje të krimit apo nëse subjekti i persekutuar është në moshë të mitur, fakti që stalking përbën rrethanë rënduese në rast vrasjeje apo dhune seksuale dhe mundësia për të ndërmarrë masa hetimesh paraprake të parashikuara për krime më të rënda, si përgjime telefonike dhe çështje gjyqësore anësore për përftimin e  provave që kanë për qëllim marrjen e dëshmive të të miturve. Në këtë lloj vepre penale normalisht procedohet pasi dikush ngre një padi, por parashikohet edhe procedimi i drejtpërdrejtë nga prokuroria nëse viktima është i mitur, person me probleme invaliditeti, kur vepra penale lidhet me një krim tjetër për të cilin procedohet edhe pa pasur padi dhe kur stalker-i është paralajmëruar një herë nga kuestori.
Vepra e re penale është një lloj përpunimi i normës së mëparshme mbi dhunën private: në fakt tani norma përcakton në mënyrë më specifike sjelljen tipike të veprës penale dhe parashikon që një sjellje e tillë të jetë e përsëritur në kohë  dhe e tillë që “t’i shkaktojë për kohë të gjatë një gjëndje të rëndë ankthi ose frike” viktimës.

Ndjekja, bezdisja, persekutimi
Prej rreth tetëmbëdhjetë muajsh flitet për stalking në të gjitha mënyrat, jepen shifra, organizohen veprimtari formuese, ngrihen grupe “të specializuara” të forcave të rendit, bëhen fushata publicitare, përpilohen profile, shkruhen artikuj, shumëfishohen studiot televizive e radiofonike ku flitet e flitet pa fund duke rrezikuar që të ushqehen më shumë se të parandalohen këto sjellje.
Stalking–akte persekutuese, janë sjellje absolutisht të veçanta, transversale dhe pa gjini. Kushdo mund të jetë stalker–persekutues, një i njohur, një mik, një fqinj, një koleg pune apo shkolle, një i afërm i familjes, një partner apo ish partner, rrallë një i panjohur dhe i sëmurë psikik.
Ndjekja, bezdisja dhe persekutimi mund të manifestohen në forma nga më të ndryshmet. Ato mund të jenë të rastësishme ose manifestime këmbëngulëse të një dukurie psikologjike dhe shoqërore të njohur kryesisht me emrin stalking, por edhe “sindromë e bezdisësit torturues”,  “ndjekje e ankthshme”. Bezdisësi torturues manifeston një sërë sjelljesh që me dy fjalë mund të përmblidhen me togfjalëshin “zë pritë” që përmbledh pritjen, ndjekjen, mbledhjen e informacioneve mbi viktimën dhe lëvizjet e saj, sjellje këto që janë tipike të të gjithë persekutuesve, pavarësisht veçorive të situatave të ndryshme.

Viktima dhe lidhja me persekutuesin e saj
stalking rastetShumë persona që bien viktima të persekutimit torturues janë gra me moshë nga 18 deri në 24 vjeç. Megjithatë, disa lloje persekutimesh, si për shembull, ato të lidhura me fyerjen e frikën e humbjes së humbjes së marrëdhënies që lind nga të refuzuarit, kanë zakonisht për viktima gra nga 35 deri në 44 vjeç.
Disa studime të dukurisë kanë nxjerrë rezultate interesante që shërbejnë për të reflektuar më tej mbi karakteristikat e viktimave të Stalking-ut dhe mbi rëndësinë e marrëdhënies ndërpersonale. Është vërejtur, për shembull, që ekziston një “kategori shoqërore që rrezikon persekutimin” e përbërë nga ata që u përkasin të ashtuquajturave “profesione të ndihmës”, që janë mjekë, psikologë, infermierë. Dhe kjo ka dy shpjegime: nga njëra anë këta profesionistë hyjnë në kontakt me nevojat më të thella për ndihmë të personave e mund të kthehen në viktima të afektit të sëmurë të pacientëve; nga ana tjetër shpresat e tepruara të disa pacientëve mund të tradhtohen nga përditshmëria profesionale dhe stalking kthehet në një kërkesë vëmendjeje dhe kërkim hakmarrjeje ndaj mjekut, psikologut apo infermierit.  

Teknika anti-stalking
Duke qenë se situatat e stalking-ut nuk janë të gjitha njësoj, është e pamundur të përgjithësohen lehtë mënyrat e mbrojtjes që t’u përshtaten të gjitha llojeve të persekutimit.
Megjithatë ekzistojnë disa rregulla të dobishme në çdo rast.
1. Para së gjithash, nuk duhet mohuar problemi. Shpesh, meqë askujt nuk i pëlqen të konsiderohet “viktimë”, mundohemi të mos e pranojmë rrezikun, duke e nënvlerësuar dhe duke ndihmuar në këtë mënyrë persekutorin. Kështu, gjithnjë, hapi i parë është pranimi i problemit dhe marrja e masave paraprake më të mëdha se ato të një personi që nuk ka probleme të tilla. Duhen marrë informacione mbi argumentin dhe të kuptohen rreziqet reale, duke u përpjekur të sillemi në mënyrë të tillë që të shkurajojmë, kur është e mundur, aktet e bezdisjes torturuese.
2. Nëse bezdisja konsiston në kërkesa për fillimin apo ristabilizimin e një marrëdhënieje të padëshirueshme, duhet të jemi të prerë kur themi “jo”, vetëm një herë e në mënyrë të qartë. Përpjekje të tjera për të bindur persekutorin këmbëngulës, qoftë edhe interpretime psikologjike të sajuara aty për aty që tregojnë se ai/ajo ka nevojë për ndihmë e kurim, do të kuptohen si reagim ndaj sjelljeve të tij/saj ndaj dhe do të merren si përkujdesje. Edhe kthimi mbrapsht i një dhurate të papëlqyer, një telefonatë inati apo përgjigje negative ndaj një letre janë sinjale vëmendjeje që përforcojnë stalking-un.
3. Sjellje të efektshme mbrojtjeje nga rreziku i sulmimeve janë ato të kujdesshmet si dalja pa ndjekur zakonet e përditshme dhe të parashikueshme, në orare kur mund të kemi më shumë njerëz përreth, në vende jo të izoluara, pse jo edhe duke marrë një qen të stërvitur për mbrojtje. Kjo e fundit është një mënyrë e mirë qoftë mbrojtjeje reale qoftë edhe vetëm për t’u ndier më të sigurt.
4. Nëse bezdisjet janë telefonike, nuk duhet ndërruar numër. Edhe në këtë rast, zhgënjimi do të rriste motivimin për stalking. Është më mirë të merret një numër i dytë duke lënë që i vjetri të përdoret nga persekutori duke iu përgjigjur telefonatave gjithnjë e më rrallë.
5. Për të mund t’i treguar policisë sa më shumë prova të persekutimit, nuk duhet të lëmë veten të biem pre e inatit dhe e frikës por të mbledhim sa më shumë të dhëna të jetë e mundur për shqetësimin e pësuar.
6. Është mirë të mbajmë një celular më shumë për të telefonuar në raste të jashtëzakonshme.
7. Nëse mendojmë se po ndiqemi apo jemi në rrezik, nuk duhet shkuar kurrë me vrap në shtëpi apo te ndonjë mik, por drejt e te forcat e rendit.

Bota Shqiptare 244

Lexo edhe: Shqiptarë protagonistë të veprës penale stalking

Psikologu: “Emigrantja është viktima e përkryer e persekutimit”

Psikologu: “Emigrantja është viktima e përkryer e persekutimit”

2 tetor, dita e parë e shkollës shqipe në Parma