Ilia Kareli është një nga të shumtit që lindin e rriten këtej në kushtet e një arsimimi të vobektë dhe pa asnjë të ardhme, e që më pas katapultohen tek fqinjët si të ishte problem i tyri. Edhe kur janë të lindur andej, ata mbartin problemet e familjeve shqiptare ku janë lindur e rritur.
Nga Koloreto Cukali
Sa më shumë që dalin në sipërfaqe detaje nga jeta e Ilia Karelit, aq më shumë ai person fillon e merr para nesh trajta njerëzore. Në fillimi ishte shqiptari kriminel që vrau një polic. Pastaj ishte shqiptari që nuk e lanë të takonte nënën, pastaj doli letra e tij, dhe shpërpjestimi i ndëshkimit me krimet që kishte bërë, pastaj detajet fatale, torturat si të Gestapos. Ai që ishte një kriminel, në fund, nuk paskësh qenë tjetër veç një nga djemtë tanë në tokën e fqinjit, që na vjen që andej në kuti.
Fati tragjik i Karelit, është momenti i katharsisit, për të parë brenda nesh dhe brenda tyre.
Një djalë si mijëra të tjerë
Ngjarja e Ilias nuk lë më asnjë pikë dyshimi për situatën ku ndodhen disa mijëra shqiptarë në burgjet greke. Nëse një person i vënë në fokus rastësisht mund të jetë i keq-gjykuar e keqtrajtuar, kushdo mund të jetë. Secili nga ata mijëra mund të ketë marrë një dënim të shpërpjesëtuar me krimin, secilit prej tyre mund të mos i jetë dhënë asnjë shans të rindërtojë një jetë. Secili prej tyre, mund të jetë hipur pa dashjen e tij në një tren që shkon vetëm në një drejtim, që nuk ndalon në asnjë stacion. Janë mijëra jetë njerëzore të çuara dëm, dhe ndaj të cilëve shoqëria mund të jetë në borxh. Ky është së pari problem i shoqërisë greke. Një shoqëri perëndimore e cila mburret edhe si djep i demokracisë, nuk mund të sillet me ata mijëra shqiptarë si me qenie të dorës së dytë.
Por ky është po aq shumë dhe një problem shqiptar. Në këtë rast, Shqipëria është një prind i papërgjegjshëm, praktikisht inekzistent. Shqipëria vetëm prodhon kriminelë, sa rriten i hedh matanë, dhe nuk i quan më për të vetët.
Djali pa prind
Shqipëria ka një ambasadë dhe madje dhe konsullatë në Greqi. Unë nuk e di se çfarë bëjnë atje. Por një gjë është e dukshme, ata nuk kanë ndihmuar apo në ndikuar në përmirësimin e jetës së këtyre mijëra Iliave që vuajnë në burgjet greke. Do të thonë s’ka fonde. S’ka fonde? Mund t’i vënë drynin Ambasadës e të kthehen. Por deri më sot, sado ankohen, nuk kam dëgjuar për një Ambasador që të japë dorëheqjen sepse nuk i kanë mundësuar fonde apo mjete për të bërë punën e vet. Thjesht, asnjë prej tyre nuk e lidh punën me fatin e shqiptarëve si Ilia.
Funksioni kryesor i Shqipërisë do duhej të ishte si pikë tokëzimi për qindra mijëra emigrantë, të larguar pikërisht se kjo tokë e ka të pamundur t’i mbajë. Historia e secilit nga ata të burgosur do duhej të ishte një dosje në atë Ambasadë apo konsullatë. Me përjashtim të Avokatit ë Popullit, nuk u ndje njeri, përveç një deklarate të vakët të shtetit. Por, ambasada e konsullata janë vetëm një nga format që shteti shqiptar ka në dispozicion për t’u kujdesur për shtetasit e vet. Greqia nuk është në fund të botës. Është fqinji ynë i drejtpërdrejtë, me të cilin na lidhin mijëra fije. Por fqinji, sillet si i fortë. Fqinjit, i dukemi më të dobët, dhe na fyen e na godet sa herë kalojmë para derës së tij.
Një fqinj, me duar me gjak
Historia e Ilias është vetëm një nga historitë e tmerrit që dalin nga burgjet greke. Nuk është se papritur, disa gardianëve grekë u iku truri dhe vendosën të luajnë lodra prej Gestapoje me një kriminel. Që nga periudhat e hershme të fshesave greke, sistematikisht, në mënyrë institucionale ose brenda suazave të institucioneve, grekët i kanë trajtuar në mënyrë çnjerëzore ata me gjak, pasaportë apo gjuhë shqiptare. Shteti shqiptar nuk arriti kurrë të gjejë ekuilibrat politikë, mekanizmat ndërkombëtarë e kombëtarë për të mbrojtur qytetarët e vet nga dhimbja. Nuk është punë dijeje e as punë fondesh e strukturash. Thjesht, shteti ynë funksionon si një anije pirate që e merr më i forti për një periudhë kohe dhe e përplas sa andej-këtej. NUk ka asnjë strategji, as moral, as vizion e as dhimbsuri.
Shqipëria është një mjet që vlen vetëm për pasionin për pushtet të më të fortëve, ndaj dhe nuk ka ndërtuar asnjë mekanizëm për t’u mbrojtur nga fqinji ynë me duart me gjak. Fundja, këtu brenda, ka njerëz që u kanë bërë e bëjnë shqiptarëve më shumë se ç’u bën “greku” shqiptarëve nëpër burgje…
Lexo artikullin të plotë në Revistën Klan: Djali ynë në dorë të fqinjit