Rritja e numrit të azilkërkuesve nga njëra anë dhe fushatat elektorale në disa vende anëtare, mund të shtyjnë Europën të rivendosë regjimin e vizave për vendet e Ballkanit perëndimor
“Lëvizja e lirë për disa vende të Ballkanit Perëndimor mund të pezullohet”. Kështu ka deklaruar eurodeputetja Tanja Fajon.
Sipas saj kjo mund të jetë pasoja e shqetësimit të disa vendeve për rritjen e numrit të kërkesave për azil dhe veçanërisht rritjen e numrit të azilkërkuesve të rremë.
“Sipas informatave në lidhje me numrin e azilkërkuesve të rremë, ata janë më shpesh qytetarët e Serbisë, Maqedonisë dhe Bosnjës. Problemi më i madh ka qenë për gjithë kohën me pakicat, kryesisht rome. Kjo është një situatë shumë e ndjeshme dhe ne kemi nevojë ta zgjidhim së bashku dhe në dialog me Brukselin”- tha ajo. Fajon theksoi se informacionet e fundit në lidhje me numrin e azilkërkuesve nga vendet e Ballkanit Perëndimor jane alarmante, por se ajo shpresonte se qeveritë dhe qytetarët do të bëjnë gjithçka në fuqinë e tyre për të përmirësuar situatën dhe se të drejtat e njeriut nuk do të shkelen.
Ajo shpjegoi se pezullimi i regjimit të liberalizimit të vizave mund të ndodhë edhe për shkaqe të brendshme të disa shteteve antëare të BE-së, si është, për shembull, fushata zgjedhore në Gjermani e cila do të ketë zgjedhje parlamentare në pranverë.
Agjencia turke e lajmeve Anadolu thotë se një gjë e tillë mund të ndodhë për ballkanin perëndimor në fillim të vitit 2013.
“Është e vështirë të vlerësohet kur dhe si do të dalim në një përfundim. Vitin e ardhshëm do të kemi një raund të dytë të negociatave. Kjo varet se sa kohë do të marrë tërë procedura”- tha Fajon.