Ndoshta të punësuar në të zezë e të frikësuar nga ndonjë kontroll i mundshëm, pas një aksidenti në punë punëtorët largohen nga vendngjarja pa i ofruar as ndihmën e shpejtë shokut. I plagosuri, shqiptar, gjendet në gjendje të rëndë në spital por nuk rrezikon jetën
Romë 14 shtator 2011 – Në mëngjesin e të martës, 13 shtator në një kantier në Rimini ka ndodhur një aksident i rëndë. Një 50 vjeçar shqiptar, pa dokumente qëndrimi ka mbetur i shtypur nën shtyllat e skelës që po çmontonte.
Lajmi do të ishte vetëm një hallkë e zinxhirit të kobshëm të aksidenteve në punë, nëse nuk do të kishte një vazhdim akoma më të hidhur.
Ndihma mjekësore u thirr nga kalimtarët të cilët kanë dëshmuar se punëtorët e tjerë ishin larguar me nxitim, si të kishin ndonjë gjë për të fshehur. Hipoteza është se në kantier edhe punonjësit e tjerë kanë qenë në të zezë, ndoshta edhe pa dokumente qëndrimi. Prandaj të gjithë ishin larguar duke lënë kolegun nën hekura. Për të çliruar punëtorin nga pesha u desh ndërhyrja e zjarrfikësve. Ata bënë të ditur se ai po hiqte skelat nga një godine trekatëshe ku sapo kishin përfunduar punimet. Një punë që natyrisht nuk mund të kryhej nga një njeri i vetëm.
Punëtori i plagosur ndodhet tani në spital me prognozë të rezervuar, por jo në rrezik jete. Po shqyrtohet ende nëse ka dëmtime të brendshme apo jo.
Me sa dihet firma që po punonte në kantier e ka selinë në Rimini dhe është pronë e një shqiptari. Si inspektorët e Asl-it ashtu dhe karabinierët po mundohen të zbulojnë se si kanë rrjedhur ngjarjet e se cilët janë përgjegjësit e këtij aksidenti. Deri tani i plagosuri nuk është marrë në pyetje për shkak të kushteve shëndetësore.