Intervistë me Ambasadoren e Shqipërisë në Itali, zonjën Anila Bitri Lani
Pas muajve të vështirë të mbylljes për emergjencën shëndetësore, Italia ka nisur tashmë të ashtuquajturën “fazë 3” për t’iu kthyer normalitetit. E ashtu si italianët, edhe shqiptarët e Italisë po i kthehen dalëngadalë jetës së zakonshme, me një sërë problemesh e pikëpyetjesh. Shumë prej të cilave janë të njëjta me ato të vendasve, por disa, nuk mund të marrin zgjidhje apo përgjigje pa pa një bashkëpunim Shqipëri-Itali.
Për të pasur një ide mbi ecurinë e disa çështjeve të komunitetit që përfshijnë angazhimin e ambasadës sonë në Romë dhe konsullatave në Milano e Bari, bisedojmë me Ambasadoren e Shqipërisë në Itali, Anila Bitri Lani.
E nisim me pranverën që sapo lamë pas, dhe Ambasadorja, nga njëra anë, tregon për situatat më të vështira me të cilat u përball edhe ambasada e konsullatat, shpjegon se është punuar në kushte të jashtëzakonshme, në bashkëpunim të ngushtë me shtetin italian, dhe kërkon mirëkuptimin e qytetarëve për pamundësinë për të përmbushur të gjitha kërkesat e tyre. Nga ana tjetër, thekson solidaritetin e mbështetjen e ofruar nga Shqipëria e nga mbarë komuniteti shqiptar në Itali.
“Ajo që doja të thoja që në fillim është se pandemia e COVID 19, me përmasat e saj tragjike në Itali dhe dramatike në Shqipëri, i afroi më shumë dy vendet tona. – nis bisedën Ambasadorja Anila Bitri Lani – Gjesti domethënës i Shqipërisë për të sjellë në Itali dy kontigjente mjekësh dhe infermierësh në kulmin e pandemisë u vlerësua lart nga populli italian. Besoj se edhe gjysmë milioni shqiptarë që jetojnë dhe punojnë në të katër anët e Italisë u ndjenë mirë nga ky akt solidariteti dhe mirënjohjeje që vendi amë tregoi.
Më duhet të them se jemi ndeshur me një situatë të jashtëzakonshme, kur pas mbylljes së kufijve, na kanë mbërritur thirrjet për ndihmë të qytetarëve shqiptarë të bllokuar në Itali, në qytete të ndryshme, në situata të vështira, të cilët me të drejtë kërkonin të ktheheshin në atdhe. Pamundësia për të lëvizur fizikisht na e vështirësonte punën të gjithëve. Megjithatë, ia arritëm të ndihmonim mjaft qytetarë shqiptarë, të cilët kishin mbetur pa asnjë mjet jetese. Besoj se është rasti që këtu në gazetën tuaj të përmend solidaritetin e treguar nga tre personalitete shqiptare të njohur, Igli Tare, Lorik Canaj dhe Kledi Kadiu, të cilët kontribuan financiarisht për mbështetjen e disa bashkatdhetarëve tanë.
Solidariteti nuk mungoi as nga shoqatat e shqiptarëve në Itali, të cilat bënë gjithçka mundën në këtë situatë të vështirë. Dhe nuk kanë munguar shumë e shumë shembuj solidariteti dhe angazhimi sipërmarrësish e individësh shqiptarë ndaj komunitetit vendas, pjesë e të cilit ndjehen.
Por, e kuptoj se pavarësisht se çfarë mundën të bëjnë përfaqësitë e Shqipërisë në Romë, Milano dhe Bari, jo të gjithë mbetën të kënaqur. E kemi thënë në rrjetet sociale, por dua ta përsëris, kërkojmë mirëkuptimin e të gjithë atyre që nuk mundëm t’u përgjigjeshim, por ka pasur ditë kur në inbox-in tonë kishte gati 2000 email-e.
Roma, Milano dhe Bari ishin të parët që filluan operacionet e riatdhesimit me AIR Albania, operacione që në rastin e Italisë ishin edhe më komplekse për shkak se çdo qytetar duhej pajisur me leje te posacme për të levizur brenda Italisë dhe gjithçka duhej bërë në distancë dhe në një kohë të shkurtër. Gjej këtu rastin të theksoj bashkëpunimin e shkëlqyer me autoritetet italiane, që na u përgjigjën në çdo hap të këtij operacioni. Më duhet të shtoj gjithashtu se Italia ishte e para që njoftoi se qytetarët shqiptarë që kishin tejkaluar afatin 90 ditor të qëndrimit në zonën Shengen nuk do të penalizoheshin dhe e verteta është se nuk kemi pasur asnjë rast që ata të jenë gjobitur apo penalizuar.
Por, dhe gjithmonë ka një “por”, të mos harrojmë që kemi jetuar dhe vazhdojmë të përjetojmë situata të jashtëzakonshme, në të cilat nuk mund të sillemi sikur nuk ka ndodhur asgjë. Nëse i qëndrojmë metaforës së shumëpërdorur të luftës, atëherë nuk mund t’i kërkojmë gjërat si në paqe. Janë krijuar vështirësi, janë shtyrë takime, disa praktika janë të mundshme vetëm online, protokollet anti-COVID i ngadalësojnë disa procese. Kjo kërkon sigurisht kreativitet dhe përgjegjësi nga ne, por edhe durim dhe mirëkuptim nga qytetarët”.
Si po i kthehet normalitetit veçanërisht “pritja në sportel e qytetarëve” në zyrën konsullore në Romë e në konsullatat e Milanos dhe Barit?
“Prej datës 3 qershor, në zyrat tona ka rifilluar ofrimi i të gjitha shërbimeve konsullore. Pavarësisht se zyrat tona konsullore kanë qenë ndër të fundit që kanë pezulluar shërbimet normale në Itali (për të kaluar në ofrimin e shërbimeve emergjente, të cilat nuk u ndërprenë asnjëherë) dhe ndër të parat që kanë rifilluar aktivitetin normal, fluksi i kërkesave të qytetarëve ka qenë dhe vijon të mbetet i jashtëzakonshëm. Përveç faktit të njohur se kemi të bëjmë me një komunitet shumë të madh në numër, ky fluks i madh vjen, në mënyrë të pashmangshme, edhe si pasojë e situatës së krijuar nga emergjenca COVID-19. Kjo e fundit solli shtyrjen e mbi 2000 takimeve për marrjen e shërbimeve që kërkojnë paraqitjen fizike të qytetarëve në mjediset tona. Për më tepër, rritja e jashtëzakonshme e kërkesave të qytetarëve lidhet edhe me faktin se viti 2020 përkon si me përfundimin e afatit 10-vjeçar të vlefshmërisë së një pjese të madhe të dokumenteve biometrike (pasaporta dhe letërnjoftime) të lëshuara për qytetarët shqiptare, ashtu edhe me vendimin e ndërmarre prej autoriteteve italiane për të mundësuar legalizimin e marrëdhënieve të punes dhe të qëndrimit.
Për t’u ardhur në ndihmë qytetarëve, të gjitha takimet e periudhës së emergjencës po rikuperohen, në sajë edhe të zgjatjes së orarit të shërbimit për qytetarët. Gjithashtu, është vendosur që një pjesë e shërbimeve që kërkonin paraqitjen e qytetarëve pranë zyrave tona (si tërheqja e dokumenteve biometrike) tashmë të ofrohen edhe në distancë, nëpërmjet shërbimeve të ndryshme postare. Për më tepër, Këshilli i Ministrave të Republikës së Shqipërisë, me Aktin Normativ Nr. 23, datë 3 qershor 2020, ka vendosur shtyrjen e afatit të vlefshmërisë së pasaportave që skadojnë brenda vitit 2020, deri në datën 31 dhjetor 2020, çka krijon një hapësirë më të madhe për të gjithë”.
Ju përmendni vendimin e Qeverisë shqiptare për shtyrjen e afatit të vlefshmërisë së pasaportave deri në fund të këtij viti. Ky është një vendim i rëndësishëm veçanërisht për diasporën, dhe jo vetëm për të kaluar kufirin, për të hyrë në Shqipëri. A e mban parasysh administrata italiane këtë vendim kur është fjala për të aplikuar për përtëritje dokumentesh qëndrimi, për të aplikuar për legalizimin e marrëdhënieve të punës dhe të qëndrimit (të parashikuar nga Decreto Rilancio-Dekreti Rinisja), për t’u rikthyer nga Shqipëria?
“Vendimi i Qeverisë sonë u është komunikuar menjëherë autoriteteve italiane dhe është ndjekur deri në dhënien e efektit të menjëhershem për udhëtimin e shqiptarëve drejt Shqipërisë, duke mos pasur më nevojë për pajisje me Leje Kalimi.
Ashtu si çdo vend tjetër që ka shtyrë vlefshmërinë e dokumenteve të veta në këtë kohë të pandemisë COVID 19 edhe ne, pas njoftimit të palës italiane, e konsiderojmë këtë si një fakt të dhënë ose të mirëqenë. Rinovimi i dokumenteve italiane të qëndrimit nga qytetaret tanë këtu, për të cilat ju pyesni, nuk do pengohet nga fakti që pasaportat shqiptare kanë vlefshmëri të shtyrë. Por, sigurisht, më vonë, pasi qytetari ynë ta ketë rinovuar pasaportën e tij shqiptare, do të duhet t’i drejtohet përsëri autoritetit përkatës italian për të ndryshuar të dhënat dhe plotësuar dosjen përkatëse, sipas asaj që quhet integrimi i praktikës. Padyshim, kjo do të thotë edhe një takim i dytë në zyrat përkatëse të migracionit, por kujtoj se vazhdojmë të jemi në situatë të jashtëzakonshme dhe zgjidhjet janë gjithashtu të tilla.
Lidhur me ate aspekt të pyetjes tuaj që ka të bëjë me legalizimin e marrëdhënieve të punës dhe të qëndrimit, për të kryer këtë proces legalizimi nuk ka asnjë pengesë aktuale, por natyrisht, si në rastin e mësipërm, në momentin e rinovimit të pasaportës, do të duhet të aktualizohet edhe leja e qëndrimit në përputhje me numrin e ri.
Lidhur me mundësinë e rikthimit në Itali me pasaportat e skaduara, më duhet të saktësoj se Vendimi i Këshillit të Ministrave është një akt normativ për të ndihmuar dhe lehtësuar, por nuk përbën një normë të re. Nëse qytetarët ndodhen në Shqipëri, ku janë rezidentë të përhershëm, ata do të duhet të rinovojnë pasaportën përpara se të udhëtojnë.
Shpresoj të kem qenë e qartë në përgjigjet e mia”.
Një çështje e mbetur pezull prej mëse 6 muajsh tashmë është përtëritja e marrëveshjes reciproke të konvertimit të lejeve të drejtimit të automjeteve e skaduar më 25 dhjetor 2019. I njëjti problem u has edhe në vitin 2014, kur marrëveshja skadoi në gusht e u përtëri pas katër muajve, në dhjetor; por këtë herë po shkon edhe më keq. Bashkëfajtor, natyrisht, edhe koronavirusi… A mund të na thoni në ç’pikë janë negociatat/puna?
“Është një pyetje e drejtë për një temë të ndjeshme, sigurisht. Dua t’ju informoj se autoritetet përgjegjëse shqiptare dhe italiane edhe gjatë periudhës së Covid-19 kanë qenë në komunikim të vazhdueshëm për të finalizuar teknikalitetet e nevojshme për përmbylljen e një marrëveshjeje përfundimtare për konvertimin e lejeve të drejtimit. Nënshkrimi i marrëveshjes së re nuk do të jetë i largët”.
Një problem që prej vitesh pret zgjidhje është ai i pensioneve të migrantëve shqiptarë në Itali. Më saktësisht, e kam fjalën për marrëveshjen mbi mbrojtjen sociale që do të mundësonte njohjen e periudhave të punës dhe kontributeve të sigurimeve shoqërore në të dyja vendet për efekt të përllogaritjes së pensioneve. A është bërë ndonjë hap përpara në këtë drejtim?
“Jam shumë e ndërgjegjshme se kjo çështje prek masa të mëdha të komunitetit tonë në Itali. E njohim dhe e çmojmë presionin e drejtë të shoqatave shqiptare, të cilat kanë ngritur zërin për zgjidhjen e këtij problemi. Në fund të fundit, kjo ka të bëjë me njohjen dhe vlerësimin e mundit dhe djersës që njerëzit tanë kanë derdhur duke punuar këtu. Kjo temë është pjesë e vazhdueshme e dialogut tonë me palën italiane, deri në nivelet më të larta. Sigurisht, një numër institucionesh të të dy vendeve janë të përfshira në diskutimet për arritjen e një marrëveshjeje të drejtë. Ju siguroj që kjo temë qëndron lart në agjendën dypalëshe mes Shqipërisë dhe Italisë”.
Një pyetje e fundit. A ka pranë Ambasadës në Romë e Konsullatës në Milano “oficer koordinues për diasporën për çështjet e arsimit, të drejtësisë dhe të nxitjes së investimeve? Kush është, çfarë mbulon konkretisht e çfarë ka bërë gjatë kësaj periudhe?
“Siç e parashikon vendimi i Qeverisë i fundit të vitit të kaluar, së shpejti në Romë dhe në Milano do të kemi oficerët koordinues për diasporën, të cilët do t’i japin një shtysë të rëndësishme punës tonë me komunitetin e madh shqiptar në Itali. Oficerët koordinues do të fokusohen në forcimin dhe zhvillimin e komuniteteve shqiptare, ruajtjen dhe promovimin e gjuhës shqipe, nxitjen e bizneseve shqiptare për të investuar në atdhe, asistimin e shtetasve shqiptarë që janë të dënuar në Itali etj. Në punën e tyre oficerët koordinues do të bashkëpunojnë ngushtë me Agjencinë Kombëtare të Diasporës, Qendrën e Botimit të Diasporës, Dhomën e Biznesit të Diasporës etj.
Ardhja e tyre së shpejti në Romë dhe në Milano është një lajm i mirë, pasi krijon mundësinë për të patur një qasje më të strukturuar dhe më sistematike në punën me komunitetin tonë në Itali, të cilit i detyrohemi shumë”.