in

Ambasadori italian në Vlorë: “Shqipëria vendi më i preferuar për investime”

Gjatë vizitës së tij në Vlorë, Ambasadori i Italisë në Tiranë, Massimo Gaiani: “Shqipëria është vendi më i preferuar për investitorët italianë për disa arsye, ku përfshihen afërsia gjeografike, traditat kulturore, komuniteti i emigrantëve shqiptarë në Itali, mjedisi i përshtatshëm që ekziston për biznesin në Shqipëri etj”

Tiranë, 20 prill 2012 – Ambasadori i Italisë në Tiranë, Massimo Gaiani, gjatë një vizite sot në qytetin e Vlorës e cilësoi Shqipërinë si vendin më të preferuar dhe më të favorshëm për investime, nga ana e sipërmarrësve italianë. Gjatë vizitës në qytetin bregdetar, ambasadori Gaiani u takua me kryetarin e Bashkisë, Shpëtim Gjika, Prefektin Eduart Veçani dhe Kryetarin e Këshillit të Qarkut, Anesti Dhimojani, me të cilët diskutuan rreth marrëdhënieve që ekzistojnë mes dy vendeve, si dhe për projektet dhe mundësitë që ofron Shqipëria dhe Vlora për investitorët italianë.

Ambasadori Gaiani u shpreh se, “Shqipëria, vendi më i preferuar për investitorët italianë argumentohet me disa faktorë, ku përfshihen mes të tjerash afërsia gjeografike, traditat kulturore, komuniteti i emigrantëve shqiptarë në vendin tim, si një element nxitës, mjedisi i përshtatshëm që ekziston për biznesin në Shqipëri etj”. Në këtë kuadër, Vlora zë një vend të veçantë, sepse përveç faktorëve të mësipërm që janë të spikatur, qyteti jugor bregdetar dhe Italia, kanë një traditë të shkëlqyer në marrëdhëniet reciproke. 

Kjo reflektohet aktualisht edhe në numrin e madh të sipërmarrjeve italiane në Vlorë, apo në projektet e përbashkëta që janë realizuar apo janë në proces, në investimet për infrastrukturën rrugore të mbështetura nga ana e qeverisë italiane etj. Gaiani e cilësoi Italinë një portë hyrëse të Shqipërisë në Evropë.

Në takimin e zhvilluar në Bashkinë e qytetit, ku ishte i pranishëm edhe Konsulli i Përgjithshëm i Italisë në Vlorë, Sergio Strozzi, u diskutua veç të tjerash edhe për mundësinë e rritjes së bashkëpunimit dhe të investimeve italiane. 

Kryetari i Bashkisë, Shpëtim Gjika, evidentoi një nga investimet më cilësore dhe me rëndësi që ka realizuar qeveria italiane, përmes Kooperimit Italian, në qytetin e Vlorës, atë të rehabilitimit të infrastrukturës rrugore në lagjen periferike “24 maji”, duke parashtruar mundësinë e vazhdimit edhe me të tjera projekte të ngjashme. Në këtë kuadër, u vlerësua efektiviteti i vazhdimit të projektit të restaurimit të një numri objektesh të vjetra të ndërtuara në qytetin e Vlorës në vitet 1920-1930, të cilat kanë firmën e projektuesve dhe ndërtuesve italianë.      

Ndërkohë u diskutua edhe rreth projekteve të tjera me rëndësi për Vlorën, siç është ai i ndërtimit të landfilldit për trajtimin e mbetjeve urbane, apo ai i zhvendosjes së portit aktual industrial, në zonën industriale të qytetit, duke ja lënë vendin një porti jahtesh në përputhje me profilin turistik të Vlorës.

Sportelet on line të Administratës publike në Itali

Paraqitja e kërkesave për flukset e sezonalëve. Udhëzues i ilustruar