Ditën e shtunë, më 23 prill në orën 19.00, në Vaccarizzo Albanese do të zhvillohet ceremonia e dorëzimit të titullit “Qytetar Nderi” ambasadorit të Republikës së Shqipërisë në Roma, Z. Llesh Kola. Titulli është një vlerësim për rolin e tij si ambasador nga një qytezë që ka rrënjë të përbashkëta me Shqipërinë dhe është e banuar kryesisht nga arbëreshë. E autoritetet vendore të qytetit kanë vlerësuar kujdesin e madh dhe vëmendjen e veçantë të përfaqësuesit të diplomacisë shqiptare në Itali ndaj komunitetit arbëresh, një lidhje që e ka bazën në të shkuarën, por që projektohet drejt të ardhmes.
Zoti Llesh Kola deklaroi se “Natyrisht ky titull është një nder i veçantë. Por ky çmim është vlerësim dhe shenjë mirënjohjeje për të gjithë ambasadën, të gjithë ata që punojnë me mua. Sepse qytetar nderi i Vaccarizzo Albanese do të bëhet Ambasadori shqiptar në rolin e tij institucional, për aktivitetin e kryer brenda kornizës së këtij roli”.
Që në vitin 2009 e tutje bashkëpunimi mes Komunës së Vaccarizzo Albanese dhe ambasadorit shqiptar është bërë gjithnjë e më i ngushtë dhe i larmishëm. Binjakëzimet me komuna shqiptare, perspektiva të mundshme për të rinjtë e dy vendeve, lidhja e një rrjeti kontaktesh të frytshme, janë vetëm disa nga aspektet që motivojnë titullin nderit.
Vaccarizzo Albanese është një qytezë arbëreshe në Kozenca, e themeluar rreth 1470 nga grupe arbëreshësh të ardhur në Kalabri pas vdekjes së Gjergj Kastriot Skënderbeut. Në vitin 1863 i është vënë shtesa “albanese” për të nderuar origjinën e banorëve. Banorë që administrata lokale i ka ftuar të gjithë në ceremoninë e të shtunës për të përshëndetur qytetarin e nderit.