“Anija e ëmbël” e regjisorit Daniele Vicari, shfaqet në tv. Më 18 korrik, ora 21.15
Romë, 14 korrik 2014 – Imigracioni shqiptar në Itali zë ërish një vend të rëndësishëm në kanalet tv italiane. Pas shfaqjes në prill të Anijes së Roland Sejkos, “Film Doc” i Rai 5 trajton përsëri zbarkimet e shqiptarëve të 1991-shit, këtë radhë duke transmetuar filmin “Anija e ëmbël” të regjisorit italian Daniele Vicari. Takimi është më 18 korrik, ora 21.15 sërish në Rai 5 (kanali 23).
“La nave dolce” e Vicarit e merr titullin nga fakti që anija Vlora ishte e ngarkuar me sheqer, por në të vërtetë historia e atyre ditëve e mijëra shqiptarëve të ardhur me të nuk ishte aspak e ëmbël. Filmi trajton historinë e hidhur të shqiptarëve të eksodit të gushtit 1991, apo më mirë të stadiumit të Barit, shumica dërrmuese e të cilëve u kthyen mbrapsht.
Filmi është ndërtuar përmes intervistave me persona që e kanë përjetuar personalisht atë udhëtim, kush pse ishte në anije e kush pse atë anije e priti në Bari. Halim Milaqi (komandanti i Vlorës), Eva Karafili, Agron Sula, Kledi Kadiu, Robert Budina, Nicola Montano, Domenico Stea, Fortunata Dell’Orzo, Luca Turi, Raffaele Nigro, Maria Brescia etj, kujtojnë atë histori që ka shenjuar jetën e tyre. Prodhim italo-shqiptar, i shtëpive filmike Indigo Film, Apulia Film Commission, Rai-Cinema në bashkëpunim me Telenorba dhe shtëpinë shqiptare Ska-Ndal Production, filmi u shfaq për herë të parë në festivalin e Venecias 2012.
Shqiptari i Italisë
(Ndiqni Shqiptariiitalise.com edhe në Facebook dhe Twitter)