in

ANSA: “Brukseli jep ok për njohjen e statusit Shqipërisë, topi u kalon 28 vendeve anëtare”

Sipas agjencisë italiane të lajmeve, Komisioni jep “dëftesën” me vlerësime pozitive për Shqipërinë, por dhënia e statusit në mbledhjen e 27 qershorit nga qeveritë e vendeve anëtare nuk është e sigurt

Romë, 5 qershor 2014 – “Komisioni evropian promovon sërish Tiranën: Shqipëria meriton statusin e vendit kandidat për në Bashkimin Evropia”. Është “dëftesa” e fundit e dhënë nga Komisioni evropian, shkruan Ansa që nënvizon se vlerësimet e Komisionit janë për 28 vendet anëtare të cilat do të thonë fjalën e fundit në Këshillin e BE-së në fund të qershorit.

“Komisioni evropian konfirmon rekomandimin që Këshilli t’i japë Shqipërisë statusin e kandidatit” lexohet në relacionin e Brukselit, që merr në konsideratë në mënyrë të veçantë sektorë si drejtësia, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. E mbi këto aspekte Shqipëria dhe vendet mbështetëse të saj, mes të cilave bën pjesë edhe Italia, javët e ardhshme duhet të bindin vendet më skeptike mes 28 anëtareve të BE-së: Francën, Gjermaninë, Britaninë e Madhe, Danimarkën dhe Holandën.

Komisioni evropian, kujton Ansa, kishte rekomanduar dhënien e statusit edhe dhjetorin e shkuar, por Këshilli i BE-së kërkoi një “dëftesë” vlerësimesh të re, duke shtyrë vendimin për në qershor 2014. Pas vlerësimeve të botuara më 4 qershor, topi u kalon sërish Shteteve anëtare, vendimi i të cilave, pas rritjes së ndjeshme të euroskeptikëve në zgjedhjet e fundit, nuk është i sigurt.

Ndër vendet e Ballkanit perëndimor, Sllovenia dhe Kroacia janë pjesë e BE-së, janë zyrtarisht kandidate për t’u bashkuar me të Serbia, Mali i Zi dhe Maqedonia.

Shqiptari i Italisë
(Ndiqni Shqiptariiitalise.com edhe në Facebook dhe Twitter)

Fyle: KE rekomandon statusin për Shqipërinë pa asnjë hezitim

Raporti KE: “Këshilli duhet t’i njohë Shqipërisë statusin e vendit kandidat”