in

Arben Dedja: “Poezia është një festë që e ke gjithmonë me vete”

Një Shqipëri e ndryshme nga ajo që tregonin gazetat dhe televizionet. Një Tiranë, ku flitej, përkthehej e shkruhej poezia. Njëlloj si në Parisin e rrëfyer nga Heminguej, në kryeqytetin shqiptar të 1997 përkundeshin ëndrra të mëdha. Gjashtë vjet më pas, Arbeni, Aleph-i dhe të tjerët…

Në kujtim të Shqipërisë letrare

Nga fillimi i marsit 1997 e për disa muaj me radhë, televizionet e Shqipërisë dhe të gjysmës së Europës, nisën të transmetonin pa pushim lajme e pamje nga vendi. Rënia e piramidave financiare, që kishin krijuar njëfarë mirëqenieje në përditshmërinë shqiptare, u shoqërua me demonstrime dhune në Tiranë dhe disa qytete të tjera të vendit. Një pjesë e mirë e personelit të ambasadave dhe konsullatave të huaja, braktisën sa hap e mbyll sytë kryeqytetin shqiptar. E pas tyre, edhe një pjesë e mirë e qeveritarëve. E kujtoj si sot 13 marsit, në një Tiranë që s’e kisha përjetuar kurrë, me 7 vetë gjithsej në të gjithë Parkun Rinia, aso kohe ende me bare e kafene të paprishura. Dy ditë më vonë, nga periferitë e kryeqytetit vinte jehona e shtënave, porse njerëzit kishin nisur të dilnin rrugëve e aty-këtu qe hapur deri dhe ndonjë dyqan. Pasuan disa javë shtetrrethimi zyrtar, i pari dhe i fundit, shpresoj! që kishim përjetuar. Orari i fundit i qëndrimit jashtë u zhvendos nga ora 15.00 në orën 18.00 e më pas në 20.00. Pak e nga pak, politika shqiptare zbriti nga malet dhe u vendos, së bashku me gazetarët shqiptarë dhe ata huaj, në hotel “Rogner”. Në shtyp u dukën krijimet më të fundit të një poetit tonë kombëtar që ankohej se pat humbur shtëpinë në skemat piramidale.

E pra për të gjithë ata që mendojnë se Shqipëria e 1997 ishte thjesht ajo e banditëve të armatosur, që shndërroheshin nga sot nesër në heronj të kombit, ngase ruanin me armë (nga kush?) ndonjë fabrikë a ndonjë ministri, apo ajo e gazetarëve të huaj që paguheshin me 1.000 dollarë ditën për të marrë lajmet më të fundit nga salla me ajër të kondicionuar e “Rognerit”, për të gjithë shqiptarët që aso kohe jetonin larg, duhet rrëfyer edhe një Shqipëri tjetër. Një Shqipëri letrash që i ngjante nga pak Parisit të fillimshekullit për nga energjitë krijuese, ambicjet e reja e sidomos baret. Në atë Shqipëri e kam njohur për herë të parë Arben Dedjen (për miqtë Ben Dedja), në kafenetë post-piramidale, ku për orë të tëra, në një atmosferë që s’lidhej kurrkund me ç’ndodhte përqark, flitej për poezi dhe botimin e një reviste letrare si “Aleph”. Shkrehja e vendit kish krijuar në mënyrë të çuditshme një çast të volitshëm për të gjithë ne: Gentian Çoçoli, që pak vite më parë kish botuar një libër me poezi, tashmë kujdesej për botimin e Aleph-it; Genci Muçollari kish botuar një libër me ese mbi poezinë amerikane; Idlir Azizi botonte në shqip tre novelat e Beketit; Agron Tufa kthehej nga Moska për pushime me një roman të vetin (debati për botimin e cilit, do të shkaktonte, sipas traditës më të mirë të rrymave letrare, ndarjen e Aleph-it); Alket Çani vinte nga Gjirokastra me një libër poezish dhe përkthimin e “Varrezës detare” të Valerisë; Artan Babaramo përkthente “Ushtrimet e stilit” të Kënosë… Grupit i shtoheshin hera-herës Ilir Sofroni që përkujdesej për botimin e “Mehr Licht!” dhe botuesja e Shtëpisë “Afërdita”, që që aty e për disa vite, do të publikonte jo vetëm Aleph-in, por edhe një pjesë të mirë të librave tanë.

Një kirurg poet dhe përkthyes

Pjesa më e madhe e grupit s’i kish mbushur ende të tridhjetat dhe Beni ishte më i madhi ndër ne. Në takime mbërrinte pothuaj gjithnjë së bashku me të birin, Klestin trevjeçar, dhe rrëfimet për të shoqen, Silvën, që studionte në një kurs pasuniversitar në Shtetet e Bashkuara. Shtëpia e tyre, diku në unazë, kthehej shpesh në shesh polemikash letrare, shoqëruar prej tymit të duhanit, verës dhe ndonjë dreke të improvizuar me bazë vezësh të skuqura dhe salçiçesh. Aty nga pasditja, Beni mbyllej në dhomën e gjumit, për të folur në telefon me Silvën…

Ben Dedja ka studiuar mjekësi dhe ka punuar si kirurg për vite në Repartin e Endokrinologjisë në Spitalin nr.2 të Tiranës. Ende dhe sot e kam të vështirë të kuptoj se ku e gjente kohën për të përkthyer e shkruar, për t’u kujdesur për Klestin (meqë ra fjala, ky i fundit që katër vjeç të habiste me shqipen e lëvruar) dhe për të punuar në spital. Thosh se përfitonte nga netët kur ishte roje për të marrë me vete një çantë të madhe me libra dhe një fjalor anglisht-shqip të viteve tridhjetë, që një Zot e di nga e kish rrëmuar. Përkthente (dhe përkthen) nga anglishtja dhe italishtja, poezi nga Saba, Bertoluçi, Uilliamsi, Triluza, Odeni, Silvia Plathi, etj. pjesa më e madhe e të cilave janë botuar në gazeta e revista në Shqipëri. Libri i tij i parë me poezi origjinale “Shpella e trishtimeve të mia” fliste që në 1994 për një dashuri të thellë e përkujdesje të veçantë për gjuhën, ndërsa për të kuptuar dashurinë e tij për poetët e përkthyer mjafton të lexosh rreshtat paraqitëse me të cilat shoqëron çdonjërin prej tyre. Po fundja, vetëm një kujdes i tillë do ta shpinte në përkthimin e një poeti bashkëkohës të Dantes, Guido Kavalkantit, mbi rimat e të cilit djersin prej disa vjetësh tashmë. Apo në botimin e “Harbimit” (1999), përmbledhje me poezi të përkthyera të Mirosllav Holubit.
“I thopërkuom” përmbledh vargje të shkruara nga 1995 e këtej. Ka një lloj spontaneiteti, një thjeshtësi plot dije në vargjet e Arben Dedjes, që e dallon atë nga poezia bashkëkohore shqipe. Të vërtetat e rëndësishme nuk i mbërrijnë asnjëherë kufijtë e patetikës, ndërsa notat autobiografike treten në një universializëm formal. Nuk ka dyshim që librin e tij mund ta lexojë gjithkush, por jo sepse bëhet fjalë për një poezi të lehtë, por sepse “I thopërkuom” i shpëton një kurthi të rëndomtë ku bie shpesh poezia moderne: personalizimit. Me një elegancë të natyrshme rrëfehen ngjarje dhe fate të tjerësh, vuajtje të pabuja e histori tragjike. Poeti e shtrin vëmendjen e vet mbi njeriun me një humanizëm që të prek deri në palcë. Për nga mënyra sesi e vendos këtë njeri në qendër të universit, Dedja i ngjan një rilindasi të vonuar europian.

6 vjet më vonë

Aleph-i, – megjithëqë revista vijon të publikohet-, u shpërnda aty e disa vjet më vonë: A. Ç. u përpoq të studionte diplomaci në Kinë; pasi u nda me të dashurën ruse A. T. u kthye përfundimisht në Shqipëri; G. M. iu përkushtua organizatave joqeveritare; A. B. pas disa muajsh kursi në Francë fitoi llotarinë kanadeze… Ndërsa Arben Dedja u transferua në Padova, për të punuar pranë një qendre eksperimentale, që provonte transplantimin e veshkave të derrit tek majmunët, e ku vijon të punojë edhe sot e gjithë ditën. Silva ka mbyllur studimet pasuniversitare, Klesti (të cilit i kushtohen disa poezi në vëllimin e dytë “I Thopërkuom”) është rritur, ndërsa pak javë më parë, familjes i është shtuar Sara e vogël.

E gjitha i ngjan kaq shumë një happy end-i filmi, por vështirë t’i harroj kohët e para në Itali të familjes Dedja, mesazhet elektronike me anë të të cilave Beni më bënte të ditur shëndetin e majmunëve të qendrës dhe titullin e poezisë së fundit të përkthyer. Ndaj dhe botimi i librit të tij të dytë “I Thopërkuom” (Korbi, 2003) më ngjan si përmbyllja e një periudhe të rëndësishme të jetës së gjithsecilit prej nesh, e sidomos si mesazhi poetik i një kirurgu, që bashkon instiktin e jetës dhe vdekjes siç ia do profesioni. Si triumfi i një poezie që do të kish nderuar çdonjerin prej poetëve të njohur, që në këto vite kanë patur fatin të përkthehen prej tij.

Ilirjana Stringa
Botuar në Bota Shqiptare 92, shtator 2003

Tirana socialiste e intrigave, dashurive dhe spiunëve

Kovaçhanat e dijes shqiptare