“Më parë të punësojmë të papunët”. Dy ministrat shprehen kundër një dekreti të ri fluksesh për punonjës jostinorë
Pasi u kanë hapur dyert 86 mijë hyrjeve, kryesisht për punë stinore, qeveria shprehet kundër hipotezës së dekreteve të reja fluksesh për bashkëpunëtorë familjarë, punëtorë ndërtimi apo për të tjerë punonjës të varur. “S’ka as hyrje, as sanatore të reja” ka thënë në raste të ndryshme muajin e fundit ministri i Brendshëm Maroni. Më 12 prill, në përfundim të një takimi në Universitetin Bocconi të Milanos, kujtoi që “ekziston një mocion i aprovuar në Parlament që angazhon qeverinë” për një dekret të ri fluksesh.
“Por ne – ka shtuar menjëherë – duhet të mbajmë parasysh nevojat e tregut të punës, në prani të një niveli të lartë papunësie. Para se të sjellim të rinj, duhet t’u mundësojmë gjetjen e një vendi të ri pune të gjithë atyre që e kanë humbur atë dhe që ndodhen në Itali, qofshin këta italianë apo të huaj”. Tani për tani, të vetmet flukse të autorizuara nga qeveria janë ato për punonjës stinorë, ndërsa një dekret për “punonjës të tjerë jostinorë, nuk parashikohet”.
I njëjti avaz edhe dy ditë më pas, gjatë një audience përpara Komitetit parlamentar Shengen për imigracionin.
“Nuk është e nevojshme të nxjerrim një dekret të ri fluksesh, as të ndryshojmë normat ekzistente” ka shpjeguar ministri. Këtë linjë dikton kriza ekonomike: “Detyra jonë, para se të sjellim në Itali të huaj të rinj, është t’u japim mundësi të gjejnë një vend pune qytetarëve italianë dhe të huaj që e kanë humbur atë”.
Kriza, ka shtuar ministri, “po godet punonjësit e huaj dhe italianë. Nuk do të ishte koherente të sillnim punonjës të rinj në Itali dhe të kthenim në shtëpi ata që ndodhen tashmë në Itali, ndoshta edhe me familjet e tyre”.
Të njëjtën ditë, gjatë një konference në Romë, ka folur mbi këtë temë edhe ministri i Punës Maurizio Sacconi, duke shpjeguar që është i një mendimi me Maronin. “Ka të drejtë, mbi ardhjet e reja duhet të mbajmë parasysh tregun e punës dhe në këtë aspekt po punojmë së bashku”.
Atëherë? Gjatë vitit 2010 nuk do të ketë flukse për punonjës jostinorë? Vështirë të thuhet. Së pari, sepse qeveria ka bërë një modifikim në ligj pikërisht për t’i hapur rrugën një dekreti fluksesh. Së dyti, sepse, duke përjashtuar kategorikisht një sanatore të re, dekreti i flukseve mbetet i vetmi mjet për të legalizuar të gjithë ata që nuk kanë leje qëndrimi dhe për t’i ardhur ndesh një sektori, si ai i punës shtëpiake, që duket se nuk po goditet nga kriza ekonomike. Ndoshta, është herët të flitet për një gjë të tillë. Për të hapur këtë diskutim është mirë të pritet vjeshta.
Elvio Pasca