in

Ardian Cerga, mes Romës dhe Vlorës

Ardian Cerga, aktori që u bë i njohur në vitet ’80 me filma si “Në çdo stinë” e “Mësonjëtorja”, pas shumë vitesh emigracion në Itali, sot jeton mes Romës dhe Vlorës. Në Shqipëri është i angazhuar në nisma për heqjen e pengesave arkitektonike për t’u ardhur në ndihmë personave me aftësi të kufizuara, apo “Shqipëria me biçikletë” për një vend më pak të ndotur

Njëzet e ca vjet më parë, Ardian Cerga iku n Itali. Ajo që asokohe preku artistin e njohur të kinemasë shqiptare ishte kontakti dhe predispozita e një populli, që me kulturën, traditën, zemergjerësinë, iu gjend pranë emigrantit shqiptar. Prej disa vitesh jeton mes Romës dhe Vlorës. Kjo e fundit është për Cergën një dhuratë që natyra i ka bërë Shqipërisë dhe shqiptarëve, një “copë” e rëndësishme e historisë sonë. “Është puthja e dallgës me bregun, kënga e vetmuar e zgalemit, ironia dhe humori i hollë …, kënga labe, magjia e përqafimit të diellit me horizontin në perëndimet e mrekullueshme”.

Lëvizja me biçikleta dhe ndërtimi i vendkalimeve për personat me aftësi të kufizuara, nisma në të cilat është angazhuar vitet e fundit janë jo vetëm dëshirë e tij qytetare por domosdoshmëri për vendin, “pasi edhe këto elemente janë simbole të qytetërimit, janë shenja të emancipimit të asaj që quhet kultura e të jetuarit në komunitet”, siç thotë Cerga në intervistën – pjesë e librit “Vlora – Histori suksesi” – dhënë Flora Nikollës, kryeredaktore e Atsh&Albanian Excellence, një pjesë të të cilës botojmë në vijim.

Atsh&Albanian Excellence: A Jeni një ndër aktorët më të njohur të kinematografisë shqiptare në vitet ’80. Si e kujtoni Shqipërinë e asaj kohe?

Ardian Cerga: Shqipëria e viteve ’80 ishte Shqipëria e ëndrrave që nisën të materializohen, ishte Shqiperia e zgjimit të ndërgjegjes. Ishin vitet që përgatitën dhe sollën rrëzimin e një diktature dhe krijimin e një forme të re qeverisje dhe jetese. Mund të kem shumë për të thënë për ato vite. Ishin vite që, për “çudi”, kujtohen me nostalgji nga jo pak njerëz.

Dhe ju nga një ‘hero’ i shoqërisë shqiptare u ndodhët në fillim të viteve ’90 në Romë si emigrant. Si i kujtoni vitet e para atje?

Ardhja ime në Itali, nuk u bë për shkaqe ekonomike apo si “arratisje”. Unë u largova nga Shqiperia për “probleme” të miat familiare. Mbresat e asaj periudhe janë pozitive, kanë të bëjnë me kontaktin e predispozitën e një populli, që me kulturën, traditën, zemergjerësinë, iu gjend pranë emigrantit shqiptar!

Pas mëse 2 dekadash, si i shihni ju sot shqiptarët në Itali, duke i krahasuar me vitet ’90 kur emigruan ?

Kam shumë miq dhe shokë të atyre viteve që sot janë integruar në jetën sociale në Itali me shumë dinjitet. E vërteta është që në fillimet e atyre viteve nuk është se na mungonte pasioni apo dëshira për t’u marrë me profesionin, por në kushtet konkrete ajo që mbizotëronte ishte “lufta” për të siguruar të përditshmen. Megjithate provuam disa herë të realizonim “diçka” por që për motive nga më të ndryshmet jo gjithmonë arritëm të finalizonim.

Si arriti suksesin e jetës së tij profesionale Ardian Cerga në Itali? Ju keni interpretuar edhe në disa filma…

Kontaktet e mia me artin në rastin konkret me kinemanë erdhën natyrshëm, pasi unë nuk kisha dhe nuk isha regjistruar në asnjë “agjenci”. Kjo për faktin e thjeshtë pasi puna e përditshme më merrte shumë kohë. Ndërkohë unë kisha krijuar një shoqëri timen (që vazhdon edhe sot), me dhjetëra të punësuar.

Regjisori i njohur Daniele Vicari kishte bërë një kërkese në ambasadën tonë në Romë për aktorë që jetonin në Itali. Kështu që u takuam. më thirri për dy filma me metrazh të gjatë “L’orizzonte degli eventi” dhe “Il passato è una terra straniera” në të cilët kam luajtur me aktorë si Elio Germano dhe Valerio Mastandrea. Ndërkohë në Shqipëri kisha përfunduar një bashkëpunim me regjisorin e talentuar Artan Minarolli. Kam punuar me disa projekte të miat që kanë mbetur në letër nga mungesa e fondeve. Shpresoj shumë që së shpejti të marrin jetë në sheshet e xhirimit.

Papritur ju vendosni të jetoni mes Romës dhe Vlorës. Pse ku vendim?

Rikthimi në Shqipëri erdhi natyrshëm. Tashmë jetoj mes Romës dhe Vlorës. Kjo zgjidhje nuk është e rastësishme. Së pari sepse sot në Vlorë, së bashku me një mik, kam një aktivitet sezonal, por edhe sepse në Vlorë ndihem shumë i qetë, dhe larg zhurmës, rrëmujës dhe ambienteve ku nuk mungon hipokrizia.

Çfarë është Vlora për ju?

Vlora është një dhuratë që natyra i ka bërë Shqipërisë dhe shqiptarëve. Një “copë” e rëndësishme e historisë tonë. Është puthja e dallgës me bregun, është kënga e vetmuar e zgalemit, është ironia dhe humori i hollë, është kënga labe, tradita, është magjia e përqafimit të diellit me horizontin në perëndimet e mrekullueshme.

Po me sytë e mendjes si do të dëshironit ta shihnit ?

Nuk do të doja të ndryshonte, nuk do të doja që sëmundja e betonit të mbulonte Sazanin dhe Karaburunin. Do të doja që qyteti të kishte një jetë më aktive në dimër.

Kanë kaluar mbi 23 vite nga vendosja e demokracisë në Shqipëri. si e shihni ju sot këtë demokraci ?

Është e vërtetë që kanë kaluar 23 vjet (sa shpejt që kalon koha) që nga vendosja e e një formë te re jetese dhe qeverisjeje që në përgjithësi e quajnë demokraci. Sipas meje edhe pse kaluan 23 vjet, dhe nuk janë pak, jemi akoma në një gjendje kaotike ku shpesh ngatërohen “liria” me anarshinë, ku shpesh kërkojmë gjithçka nga shteti dhe nuk i japim asgjë, ku vazhdojmë të hedhim mbeturinat nga ballkoni, ku mungon edhe thjesht një përshëndetje kur këmbehesh me dikë në ashensor, ku ka nevojë edhe thjesht për atë që quhet edukatë qytetare.

Ju jeni imazhi i “lëvizjes me biçikleta” dhe “heqjes së pengesave arkitektonike”, lëvizje mbarëkombëtare që kanë qëllim mbrojtjen e mjedisit dhe t’u vijë në ndihmë personave me aftësi të kufizuara.

Lëvizja me biçikleta dhe ndërtimi i vendkalimeve për personat me aftësi të kufizuara, mendoj se është jo thjesht një dëshirë imja, por një domosdoshmëri, pasi edhe këto elemente janë simbole të qytetërimit, janë shenja të emancipimit të saj asaj qe quhet kultura e të jetuarit në komunitet. Mendoj se, sado pak, kjo lëvizje shoqërore do të sjellë frutet e veta.

Intervista e plotë: Roma dhe Vlora e Ardian Cergës

“Votoni PD për një Evropë solidare e të drejtë”. Thirrja nga Shqipëria për shqiptarët e Italisë

Nxënësit e huaj. Ministria (jo ligji) kërkon lejen e qëndrimit