in

Arezzo. Integrimi dhe shtetësia përmes sportit

Në kuadrin e Ditës Botërore të Emigrantit, më 17 dhjetor në Arezzo u organizua një eveniment mbi temën e shtetësisë italiane dhe sportit. Deputeti Sarubbi: “Në Itali vazhdojmë të quajmë bijtë e emigrantëve, ‘emigrantë të brezit të dytë’, ndërsa në SHBA këta konsiderohen si ‘brezi i parë i amerikanëve të rinj’”.

Arezzo, 24 dhjetor 2012 – Jemi mësuar të flasim për sportin si një shembull integrimi dhe bashkëjetese civile mes qytetarëve, por kjo nuk është gjithmonë kështu, veçanërisht kur flitet për atletët e huaj që jetojnë në Itali.

Në qytetin e Arezzo-s, në kuadrin e Ditës Botërore të Emigrantit, më 17 dhjetor u organizua një eveniment mbi temën e shtetësisë italiane dhe sportit. Veprimtaria u organizua nga Bashkia e Arezzo-s në bashkëpunim me Coni, ANA, UISP, Unar dhe “Zyra e Venedikut dhe të Këshillit të Evropës”.

Një ngjarje e rëndësishme për qytetin e Arezzo-s, në të cilën morën pjesë disa personalitete të shquara, përfshirë Gianni Rivera, një nga futbollistët më popullorë të Milanit, të Kombëtares italiana dhe fitues i topit të artë në vitin 1963. Një tjetër mysafir i rëndësishëm ishte Andrea Sarubbi, parlamentar i Partisë Demokratike italiane, nënshkruesi i pari i propozimit të ligjit “Sarubbi-Granata” për dhënjen e shtetësinë italiane fëmijëve të emigrantëve.

Në Itali jetojnë rreth 1 milion fëmijë të huaj, më shumë se 700 mijë prej tyre kanë lindur në këtë vend ose kanë ardhur këtu shumë të vegjël, por vetëm ata që kanë të paktën një prej prindërve italianë mund të përfitojnë shtetësinë italiane menjëherë, kurse pjesa tjetër duhet të presë deri në moshën 18 vjeçare për të aplikuar. Pavarësisht vështirësive, shumë të rinj të huaj vendosin të angazhohen në aktivitete sportive, në shumicën e rasteve ata shtyhen nga dëshira për të qëndruar së bashku me shokët dhe shoqet e klasës edhe jashtë orarit shkollorë kurse disa prej tyre angazhohen me shpresën për të arritur një objektiv dhe resultate të larta për një të ardhme më të mirë.

Pavarësisht dëshirës së integrimit të të rinjve, inkuadrimi i tyre në ekipet sportive italiane mbetet tepër i vështirë. Shpesh herë shumë prej tyre stërvitet me shpresën për të qenë një ditë protagonist në fushën e lojës, e njëjta fushë të cilën ata janë të detyruar ta vështrojnë nga pankina ose nga tribuna për arsye burokratike dhe diskriminuese.

Duke folur me të rinjtë, Deputeti Sarubbi theksoi domosdoshmërinë e një ndryshimi në ligjin n.91/1992 për shtetësinë, ai më tej theksoi se: “Në Itali ne vazhdojmë të flasim për “emigrantë të brezit të dytë”, ndërsa në SHBA këta konsiderohen si “brezi i parë i amerikanëve të rinj”. Koncepti i shtetësisë nuk mund të shkojnë dorë për dore me “komoditet” por me një ndjenjë përgjegjësie dhe përkatësie. Këto janë çështje me të cilat qeveria e ardhshme duhet të ballafaqohet, nuk duhet të jemi të mirë apo të këqinj por thjesht të drejtë”.

Gianni Rivera, si President i Rinisë Shkollore Kombëtare dhe i Federatës së Futbollit, gjatë fjalës së tij, duke iu drejtuar të pranishmëve, sidomos nxënësve të mbërritur për rastin nga disa shkolla të mesme të qytetit, tha: “I kam bërë disa propozime Federatës për të rritur standardet ndaj mbrojtjes së atletëve të rinj. Ekziston një problem shumë i madh në futbollin tonë që është i lidhur me trafikun e fëmijëve, në veçanti ndaj të miturve që vijnë nga vendet afrikane. Ky problem është dokumentuar edhe në filmin “Dielli brenda”, ku flitet për histori që tregojnë fillimisht shfrytëzimin e fëmijëve të huaj në fushat e futbollit dhe braktisjen e këtyre të fundit në momentin që “nuk plotësonin kriteret”. Duhet më pak burokraci dhe më shumë vëmendje dhe vlerësim ndaj atletëve. Unë mendoj se bota është e të gjithëve po ashtu edhe sporti u përket të gjithëve, duhet të jetë një botë më e lidhur dhe me vlerat të vërteta, për të ndihmuar fëmijët të rriten në një sistem vëllazëror dhe me të drejta të barabarta, pa nxitur dhunën dhe paragjykimet.”

Qëllimi i takimit ishte jo vetëm për të tërhequr vëmendjen e organeve kompetente ndaj çështjes së shtetësisë për fëmijët e emigrantëve, por edhe për heqjen e pengesave burokratike dhe diskriminuese në mënyrë që edhe të rinjtë e huaj të angazhohen në aktivitetet sportive pa dallime shtetësie.

Arbër Agalliu

Festivali në RTSh. Adrian Lulgjuraj e Bledar Sejko fitojnë me ‘Identitet’

Foggia. Qëllohet me pistoletë ndaj dy shqiptarëve. Një i vdekur, një i plagosur rëndë