in

Arjan Shehaj dhe “Gjeometritë Poetike” të Artit Shqiptar

“Gjeometri poetike”, të tilla janë trajtat e përvijuara  nga dora e Arjan Shehaj, i cili përcjell energji dhe kthjelltësi. I riu shqiptar që vjen nga Akademia e Arteve e Brerës në Milano, është në Ripa Teatina me një ekspozitë të tijën, e hapur deri më 16 Maj
Nga Fioralba DUMA, Fotografitë ©Matteo Girola

Artisti i ri që sapo është specializuar në Akademinë e Artit të Brerës në Milano përfaqëson gjendjen e begatë që po përjeton arti shqiptar. Këtë mendoja ndërsa po lexoja kritikën (Gaetano Centrone, Antonio d’Avossa, Daniele Capra, Alberto Mattia Martini) dhe sidomos duke parë veprat e tij. Ku më pasqyrohej arti shqiptar i viteve të fundit, si përfaqësim i lirisë së shprehjes artistike, i kurajos si udhëtim brenda dhe drejt artit dhe i mesazhit universal që mbart. Rrezatimi i artit shqiptar preku këtë vit Bienalen “Stemperando” (katalogun e së cilës pata kënaqësinë të përkthej) me ndalesë në Shqipëri dhe pjesëmarrjen e 18 artistave shqiptar, ndërsa nuk numërohen vlerësimet dhe ekspozitat e artistëve tanë.

Në ndonjë vepër shoh një tkurrje që, duke u çliruar në shpërthim krijon galaksi, në një tjetër një tunel të cilit i shihet gjithnjë e më shumë fundi, drita, apo një çlirim nga zgjedha ndaj një “kanuni”, atij realisto-socialist që i zë frymën shpirtit “ilir” shqiptar. Ashtu si në testet pamore psikologjike Rorschach, sytë e mi panë këto mesazhe të projektuara në veprat e Arjanit ndërsa të tjerë kanë vrojtuar “gjeometri poetike”, “përkëdhelje universi, të dritës dhe të jetës” (D’Avossa), një “tregim metapikturik” (Capra), apo “absoluten përtej kohës dhe hapësirës shqisore” (Martini).

Ndjenja është në sytë e atij që shikon, dhe sytë janë pasqyrë e shpirtit, ose të paktën e mendjes, sepse, siç shprehet vetë Arjani, ‘kërkimi i tij artistik shkon nga klasiciteti në drejtim abstrakt, me qëllim universalizimin e veprës, që shndërrohet jo në një pamje apo në send, por në lirinë dhe nxitjen për të përdorur përfytyrimin’.

Studimet e Psikologjisë mësojnë që çdo veprim, çdo krijim historik, letrar, artistik buron nga psiche, shpirti. Dhe libri që kam në duar këto ditë, “Hapa drejt një Ekologjie të Mendjes”, artin e përcakton  si kërkim i hijeshisë, problemi më i madh njerëzor, puqje e pajtim i pjesëve të ndryshme, kundërshtuese: mendja dhe zemra, ndërgjegjja dhe nënvetëdija. Nëse e arrin këtë, atëherë është art, dhe arti është ndërkulturor, thotë Bateson.

Këtij procesi, individual dhe kolektiv (nuk jemi ishuj, por prodhim i kohës dhe  vendit dhe ndërveprues me to), i shkon merita e gjendjes së artit shqiptar, përfaqësuesit e së cilës, kanë bërë të mundur që vepra, me mjete dhe mënyra të ndryshme, të kalojë përtej të brendshmes personale a kombëtare, për t’i folur gjithë njërëzimit. Mënyrë e të bërit art që i jep shikuesit rolin e ndërtuesit të domethënies së veprës. Ky është çelësi i veprës dhe i suksesit të këtyre artistave: thjeshtësim simbolik deri gati në abstraksion me qëllim përftueshmërinë nga të gjithë. Vepra e Arjanit ka bërë pikërisht këtë, dhe jo pa qëllim.

I lindur më 1989 në Patos të Fierit, filloi të vizatojë në moshën 8 vjeçare, kur gjendej me familjen në Stuttgart, në Gjermani. Pas kthimit në Shqipëri, në vitin 2000, talenti i tij u zbulua në shkollë nga mësuesja Enkelejda Çapuri Selmani, e cila këshilloi familjen të ndiqte kursin e pikturës me mësuesin Dorjan Ikonomi. Zhvendoset në Lodi për të ndjekur Liceun Artistik, e më pas në Milano për Akademinë e Arteve të Bukura të Brerës, ku u diplomua me Ignazio Gadaleta.

Kërkimi i vërtetë në art, dhe në rrënjët e tij, filloi që nga 2011, ku hollësitë e figurave ikonike i lëshuan vendin dora-dorës, gjithmonë e më shumë, thjeshtësimit në trajtë gjeometrike. Aty filloi rrugëtimi nëpër ekspozitat e shumta, kolektive dhe vetjake, me piktura dhe instalacione ku, për shembull, mori pjesë në një ekspozitë që me rastin e EXPO-së afronte Akademinë e Milanos me atë të Washingtonit, pikërisht në Washington në vitin 2013.  Pastaj u përzgjodh si një nga më të mirët në pikturë nga Akademia e tij për “Premio Nazionale delle Arti”, që u zhvillua në Akademinë Albertine, ku drejtor ishte Nicola Maria Martino. Gruaja e tij, galeristja Marianne Wild, e mbajti mend veprën e tij ndaj dhe, në vitin 2014, me anë të Shoqatës Kulturore “Marianne Wild Arte Contemporanea UnicA” i propozoi të hapte një ekspozitë në Abruzzo.

Ishte një çast plot me projekte dhe një përvojë jete dhe arti e priste artistin: qëndrimi prej disa muajsh në Berlin. Kthimi në Gjermani, ku kishte kaluar vitet e fëmijërisë së “pavetëdijshme” ndaj artit, ndarja e studios dhe të punuarit krah më krah me shokun dhe artistin serb Nebojsa Despotovic, pasurimi reciprok që zë fill nga pikëvështrimet e ndryshme mbi artin, dhe njohja nga afër e jetës artistike berlineze, i dhanë linfë të re, duke treguar akoma më qartë se arti nuk njeh kufij apo paragjykime. 

Pas specializimit, me relator prof. Gaetano Grillo, i erdhi rradha e ekspozitës, që u çel më 25 Prill në Torre di Porta Gabella, një kullë magjepsëse, kujdesur nga Marianne Wild dhe Shoqata e saj, përkrahur nga Bashkia e Ripa Teatinës, Provinca e Chietit dhe Rajoni i Abruzzos.

Kjo ekspozitë u bë shkas për të treguar marrëdhëniet ekonomike dhe kulturore që ekzistojnë mes dy vendeve, dhe kryebashkiaku Ignazio Rucci u tregua i ngazëllyer të vepronte në drejtim të një binjakëzimi kulturor dhe sportiv, në çiklizëm, në boks (krenaria e qytezes: i famshmi Rocky Marciano) dhe në art.

Marianne Wild e quan veten një përkrahëse të artit bashkohor shqiptar, për të burim ‘mahnitjeje e admirimi’, dhe shfaq njohuritë rreth Shqipërisë, që shpesh ka shëtitur.  “Kjo tokë me histori të madhe, por me një traditë arti të kufizuar i jep artistave të saj të ri, një shikim të kulluar e të virgjër, që përkthehet në një liri të madhe shprehjeje artistike. Për këtë vepra e tyre është një mundësi për ekonominë e Shqipërisë sepse të investosh në të përbën një investim të përkryer”. I shoqi, artisti i madh italian, Nicola Maria Martino, na paraqet përsiatje të çmuara. Për të “artisti është një akrobat që zotëron ekuilibër-skuilibër dhe tejkalon perin e tendosur, me sy dhe dorë të prerë. Arti ka nevojë të jetë i vetëm dhe i pazëvëndësueshëm, pa zbritje, pa garime stilesh, epokash apo etiketimesh kritike, prandaj historia e Artit duhet të shkruhej në rend alfabetik, koha nuk ekziston, piktori nuk pikturon as për dje as për nësër, pikturon sot. Sot është gjithmonë”.

Përveç ekspozitës, edhe darka, me kuzhinë vendase, kështu mbrëmja  u shndërrua në një njohje reciproke, më të thellë. Pejsazhi sa i vrazhdë aq edhe i ëmbël me kodra, fusha, lumenj, male me dëborë në largësi të qonin mallin e Shqipërisë, të paktën ashtu si mund të ishte nëse … dhe sikur…

Suksesi i tanishëm i Arjanit – dhe ai që i urojmë – po hedh shtat, dhe kjo edhe në sajë të rrënjëve të forta, të bazës së sigurtë si thotë Psicologjia, që i lejojnë të eksplorojë botën e artit bashkëkohor me besim dhe pozitivitet: kureshtja e tij ndërsa po mësonte në Akademi, ishte të njihte artin e vendit të tij, dhe duke mos u mjaftuar me atë që gjeti, iu kushtua kërkimit dhe intervistimit të artistave të shquar si Adrian Paci, Anri Sala, Artan Shabani, Venera Kastrati, kuratori dhe redaktori Giancarlo Politi, i pari që bëri një Bienale në Shqipëri bashkë me kritikun Edi Muka dhe Ministrin e Kulturës të asaj kohe, Edi Ramën.

Rezultatet e para të kësaj pune kanë qenë pjesë e projektit të diplomës, por kërkimi vazhdon, sepse, përveç dy ekspozitave satelitore të EXPO-së Universale që u hap më 1 Maj në Milano, planet e Arjan Shehaj përfshijnë një libër që flet, me gojën e protagonistëve, rreth Artit Bashkëkohor Shqiptar, emblematik i të cilit është ai vetë.

Shqiptari i Italisë
(Ndiqni Shqiptariiitalise.com edhe në Facebook dhe Twitter)

 

Bonus bebe, nis paraqitja e kërkesave. Deri 160 euro në muaj për tre vjet

Azilkërkuesit shqiptarë në Gjermani, në prill më të shumtit se çdo kombësi tjetër