Gjashtë vetë, tre italianë e tre shqiptarë, janë arrestuar natën e shkuar për sekuestrimin rrufe që duket se ka ndodhur natën mes 15 dhe 16 tetorit e ku viktimat kanë qenë llogaritari i besuar i Berlusconit, Giuseppe Spinelli dhe e shoqja e tij Anna. Sipas Spinellit, sekuestruesit donin që përmes tij t’i bënin shantazh Silvio Berlusconit: i kërkonin 35 milionë euro në këmbim të disa dokumenteve që mund ta nxirrnin të larë nga çështja gjyqësore e njohur me emrin ‘Lodo Mondadori’ që i kushtoi ish kryeministrit 500 milionë euro.
Romë, 19 nëntor 2012 – Forcat e rendit kanë arrestuar këtë natë gjashtë persona me akuzën se kanë sulmuar e mbajtur peng për një natë të tërë (duke gdhirë 16 tetori) në shtëpi të vet në Bresso të Milanos, Giuseppe Spinellin, llogaritarin e besuar të Berlusconit dhe të shoqen e tij Anna.
Të arrestuarit janë Francesco Leone 51 vjeç nga Bari (që konsiderohet nga hetuesit kreu i bandës), Pierluigi Tranquilli, 34 vjeç, Alesso Maier, 46 vjeç dhe shqiptarët, Ilirjan e Laurenc Tanko, rezidentë në provincën e Trevisos, dhe Marjus Anuta rezident në provincën e Grossetos.
Me marrjen peng të çiftit Spinelli, banda kishte për qëllim të arrinte të Silvio Berlusconit, të cilit donin t’i shisnin për 35 milionë euro materiale që mund ta shpëtonin në çështjen gjyqësore me Carlo De Benedetti mbi pronësinë e Mondadorit. Sekuestrimi është bërë natën duke gdhirë 16 tetori i shkuar në shtëpinë e Spinellit dhe ky i fundit është detyruar që mëngjesin e asaj dite të telefonojë në rezidencën e Berlusconit në Arcore e nën kërcënimin e bandës ta bindë ish kryeministrin që materiali ishte vërtet i rëndësishëm e ia vlente që ta blente. Llogaritari duket se ka folur në telefon edhe me avokatin e Berlusconit, Ghedini, që i kishte kërkuar më shumë kohë. Në këtë pikë, gjashtë personat kanë lënë të lirë çiftin dhe duket se do të viheshin në kontakt me të tjerë punonjës të Berlusconit për të mbyllur shitblerjen e dokumenteve, gjë që sipas stafit të Berlusconit nuk u bë.
Hetimet e drejtësisë mbi këtë çështje kanë nisur më 17 tetor, pasi vetëm atëherë studioja Ghedini-Longo e avokatëve të Berlusconit denoncoi ngjarjen
Çifti Spinelli, i cili prej asaj date jeton në një vend të mbrojtur, ka dhënë detaje shumë të hollësishme që kanë lejuar rënien në gjurmët e bandës. Të përgjuar duke filluar pak orë nga denoncimi i ngjarjes, të arrestuarit e sotëm kanë lënë shpesh të kuptohej mbi lëvizjen e një shume prej tetë milionë eurosh, të cilës policia po punon për t’i kuptuar prejardhjen. Në fakt arrestimi i gjashtë personave është vendosur me nxitim këtë fundjavë kur huetuesit kanë kuptuar se pjesëtarë të bandës kanë tërhequr shuma të mëdha parash ng llogaritë e tyre bankare e po përgatiteshin t’i çonin ato në Zvicër.
Gjatë këtyre orëve po bëhen kontrolle e verifikime në qytete të ndryshme të Italisë për të kuptuar nëse këto shuma ekzistojnë, sasinë e vërtetë dhe prejardhjen e parave, si edhe për të kuptuar më mirë ç’ndodhi nga çasti kur çifti u la i lirë nga banda deri në çastin kur njerëzit e Berlusconit denoncuan ngjarjen.