Zyra finlandeze e imigracionit vë në dukje edhe se azilkërkuesit që marrin përgjigje negative sepse kërkesa konsiderohet e pabazë nuk përfitojnë as ndihmën për kthimet vullnetare e rrezikojnë t’u ndalohet hyrja në të gjithë zonën Schengen për disa vjet
Romë, 22 gusht 2015 – Finlanda nuk i njeh asnjë shqiptari statusin e azilantit, madje do të ndërpresë edhe paketën e ndihmës të parashikuar për azilkërkuesit që kthehen në mënyrë vullnetare, nëse ka arsye për të dyshuar se sistemi i ndihmës për kthim vullnetar keqpërdoret.
Kështu shkruan në një komunikatë për shtyp ambasada e Finlandës në Greqi, që mbulon edhe Shqipërinë, duke theksuar se, sipas zyrës finlandeze të imigracionit, numri i shqiptarëve që shkojnë e kërkojnë azil në Finlandë është rritur ndjeshëm gjatë verës 2015 dhe se të gjithë kanë marrë përgjigje negative. Edhe atyre, që do të tentojnë të kërkojnë këtej e tutje azil, do t’u refuzohet, sepse edhe Finlanda e konsideron Shqipërinë një vend të qetë, përsa i përket sigurisë.
Vendimet ndaj kërkesave për azil të shqiptarëve janë marrë kryesisht më procedurë të përshpejtuar dhe janë konsideruar si të pabazuara.
Kohët e fundit, sqaron ambasada në komunikatën e saj, “të gjithë shqiptarët që kanë marrë përgjigje negative, kanë marrë edhe ndalim-hyrjeje” duke kujtuar që masa e dëbimit nga një prej vendeve të Schengenit u mbyll dyert për disa vjet të ndëshkuarve nga e gjithë zona.
Duke qenë se një pjesë e madhe e azilantëve, deri më tani kanë përfituar nga paketa e ndihmave të dhëna nga ky shtet, Ambasada ka sqaruar edhe një herë se kjo paketë përfitohet vetëm një herë dhe u jepet vetëm atyre që kanë nevojë për riintegrim. Ndihma miratohet e pjesshme ose nuk miratohet, nëse ka arsye të dyshohet se aplikanti ka për qëllim vetëm ta keqpërdorë sistemin e ndihmës, ose nëse konsiderohet se personi që do të kthehet në atdhe nuk ka nevojë për të gjithë ndihmën.