Ministri i brendshëm gjerman: “As 10% e tyre përfitojnë strehim në Gjermani. Do të përshpejtojmë procedurat që kush nuk fiton të drejtën e qëndrimit të kthehet sa më shpejt mbrapsht”
Tiranë, 9 maj 2015 – Ka arritur një shifër rekord numri i shqiptarëve që kërkojnë strehim në Gjermani. Ministria e Brendshme ka njoftuar dje se numri më i lartë i azilkërkuesve gjatë muajit prill 2015 ka qenë ai i shqiptarëve: plot 4.794 vetë, apo 59% më shumë se në muajin mars. Kjo do të thotë se vetëm gjatë këtyre katër muajve të parë të këtij viti kanë kërkuar të qëndrojnë në Gjermani në këtë mënyrë 11.256 shqiptarë. Për më tepër, shira është rritur nga muaji në muaj e është që tani shumë më e lartë se ajo e vitit të shkuar kur gjatë të dymbëdhjetë muajve kishin kërkuar azil në Gjermani “vetëm” 7.856.
Sot pas një takimi të nivelit të lartë mes Federatës dhe Landeve gjermane, ku ishte e pranishme edhe vetë Angela Merkel, ministri i Brendshëm Thomas de Maiziere ka ngritur shqetësimin se “në katër muajt e parë të këtij viti, gjysma e azilkërkuesve ka ardhur nga Ballkani Perëndimor – pra nga shtete që ose konsiderohen “vendlindje të sigurta”, shkak për të cilin aplikuesit nuk kanë thuajse asnjë shans për të marrë azil, ose nga shtete si Shqipëria, shtetasit e së cilës kanë një kuotë pranimi nën dhjetë përqind”. Por “numri i azilkërkuesve nga ky rajon do të ulet – ka pohuar ministri duke shpjeguar se “procedurat e azilit do të bëhen më të shkurtra e më efikase. Refugjatët me më pak shanse për të marrë azil do të strehohen së bashku, në mënyrë që nëse kërkesat e tyre hidhen poshtë të mund të kthehen në mënyrë më të koncentruar. Vetëm pak javë do të zgjasë derisa të zbatohet vendimi i kthimit”.
Në takim u vendos që për përshpejtimin e shqyrtimi i praktikave të azilkërkuesve, të shtohet gradualisht personeli i Zyrës Federale për Migrimin dhe Refugjatët me 2.000 persona.