I ftuar në Toskanë për takimin e organizuar në universitetin e Firences “Shqipëria dhe Europa. Pesë vjet nga pavarësia e Kosovës”, ish presidenti Bamir Topi, kryetar i FRD-së, ka zhvilluar edhe një sërë takimesh me emigrantët shqiptarë në krahinë gjatë të cilave ka shpalosur programin elektoral të partisë që drejton
Kryetari i Frymës së Re Demokratike, Bamir Topi, i ftuar në Toskanë, zhvilloi fundjavën e shkuar takime me emigrantët shqiptarë që jetojnë aty, duke shpalosur dhe programin elektoral të FRD-së. Ai i ftoi emigrantët që jetojnë në Itali që të jenë aktivë gjatë fushatës zgjedhore në Shqipëri dhe të shkojnë të votojnë për zgjedhjet parlamentare të qershorit të këtij viti.
Topi ishte i drejtpërdrejt kur theksoi se ata duhet të marrin pjesë masivisht në votime më 23 qershor, për të dhënë dhe kontributin e tyre për rotacionin politik në vend. Ish-presidenti i vendit, Topi, gjatë bisedimit me shqiptarët në Luca dhe Siena theksoi se si pjesë e qeverisjes së vendit pas muajit qershor, FRD do të kërkojë ngritjen e një ministrie për emigracionin. “FRD do të angazhohet me të gjitha forcat dhe mundësitë e saj për ngritjen e një ministrie posaçërisht për emigracionin për t’u marrë me problematikat e emigrantëve”, deklaroi Topi, duke e quajtur këtë domosdoshmëri për vendin, kur një pjesë e madhe e popullsisë së tij jeton jashtë kufijve.
Duke folur për çështje tipike të emigracionit shqiptar, Bamir Topi theksoi rolin e RTSH në mësimin e gjuhës shqipe përmes emisioneve të posaçme për ata që jetojnë jashtë vendit si dhe u shprehu mirënjohjen të gjithë emigrantëve shqiptarë për kontributin që kanë dhënë në zhvillimin ekonomik të Shqipërisë.
Shoqata e Studentëve Shqiptarë të Firences, në shenjë respekti dhe vlerësimi, i dha ish-presidentit Bamir Topi, titullin “President Nderi”. Gjatë takimeve me komunitetin shqiptar në Toskanë kur u themeluan edhe degët e reja të FDR-së, fjalë të posaçme mbajtën dhe Urim Qinami, koordinator i FRD në Firence, Gentian Doda, koordinatori i FRD në Siena dhe aktivitetin në Luca e përshëndeti Drejtoresha e Departamentit të Çështjeve Sociale në FRD, Edlira Seferi.
FRD pritet që në javët e ardhshme të ndërmarrë një seri takimesh me emigrantë shqiptarë në Europë dhe t’i ftojë ata të kontribuojnë në nevojën që ka vendi për rotacion politik. Një vëmendje e madhe nga përfaqësuesit e FRD-së pritet t’i jepet dhe emigrantëve që jetojnë në Greqi, për shkak të afërsisë së vendeve dhe mundësive të tyre për të qenë më aktivë në politikën e brendshme dhe në proceset zgjedhore.
Bashkimi Europian, e ardhmja e shqiptarëve të pesë shteteve
Kryetari i FRD-së Bamir Topi i ftuar nga Drejtori i Departamentit të Studimeve Strategjike dhe Ndërkombëtare në Universitetin e Firences Profesor Luciano Bozzo ka mbajtur një leksion të hapur me studentët dhe pedagogët e Universitetit të Firences. Tema e trajtuar në takim ishte “Pesë vjet nga pavarësia e Kosovës”. Gjatë fjalës së tij, Bamir Topi vlerësoi heroizmin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës maturinë e liderëve kosovarë si dhe rolin vendimtar të NATO-s dhe të Shteteve të Bashkuara për ndihmën dhe mbështetjen në funksion të pavarësisë së Kosovës. Duke folur mbi të ardhmen e shqiptarëve në rajon, Kryetari i FRD-së tha se shqiptarët e Shqipërisë, Kosovës, Malit të Zi dhe Maqedonisë duhet ta shohin të ardhmen e tyre të përbashkët në Bruksel. Topi nuk la pa përmendur edhe rëndësinë e faktorit shqiptar, si faktor stabiliteti në rajon dhe më gjerë.
Lexo edhe:
Ruçi e Balla të PS-së takojnë emigrantët në Udine
Qeveria shqiptare vendos ngritjen e Komitetit të Diasporës