in

Berisha: “Duhet të votojnë edhe 16-vjeçarët”{br}Pse nuk mendon për emigrantët?

Në këta 20 vjet, vota efektive e shqiptarëve që jetojnë jashtë atdheut ka mbetur vetëm një premtim elektoral. Asnjë hap konkret nuk është hedhur nga ndonjë forcë politike për gjetjen e një rruge, në mënyrë që qindra mijëra shqiptarë të ushtrojnë këtë të drejtë.

Romë, 11 mars 2013 – “Do t’i kërkoja kreut të grupit parlamentar të negociojë me krerët e grupeve të tjera parlamentare uljen e moshës së votimit në 16 vjeç. Janë me qindra të rinj, të cilët më pyesin në facebok dhe me sms, po ne a do të votojmë? Po ne pse nuk votojmë? Kjo është një gjeneratë kretësisht tjetër, e pakrahasueshme me asnjë gjeneratë të vetme në historinë e kombit.  Kështu ka propozuar sot në mbledhjen e e grupit të PD-së kryeministri i vendit Sali Berisha, sipas mediave shqiptare.

Më tej, duke i mëshuar idesë së tij, Berisha ka theksuar se këtë praktikë e kanë zbatuar edhe disa vende të tjera. “Në këtë proces nuk ka asgjë teknike, sepse çdo gjë e kemi automatike. Mjafton vetëm vullneti politik për të përfshirë në votime edhe 16-vjeçarët e vendit”, shtoi Berisha.

Pa marrë në konsideratë nëse është apo jo e drejtë të bëhet një gjë e tillë, një pyetje lind menjëherë: pse të mos u kushtohet më shumë vëmendje qindra mijëra emigrantëve shqiptarë që edhe pse e kanë të drejtën e votës, nuk mund ta ushtrojnë atë? A nuk do të ishte më e rëndësishme që t’u sigurohej efektivisht të gjithë atyre që e kanë të sanksionuar me kushtetutë e që përbëjnë një pjesë të konsiderueshme të shoqërisë shqiptare, e më pas të mendohej që kjo e drejtë t’u shtrihej të tjerëve?

Neni 8 i kushtetutës së Shqipërisë e thotë qartë: “Republika e Shqipërisë mbron të drejtat e shtetasve shqiptarë me banim të përkohshëm ose të përhershëm jashtë kufijve të vet”. Pra Republika duhet të mbrojë edhe të drejtën e votës së qytetarëve të saj që jetojnë jashtë. Dhe kjo drejtë nuk mund të konsiderohet e mbrojtur vetëm duke i përfshirë këta persona në listat zgjedhore, por duke u krijuar kushtet që këta të mund të shprehin konkretisht vullnetin e tyre politik.

Në këta 20 vjet, vota e shqiptarëve që jetojnë jashtë atdheut ka mbetur vetëm një premtim elektoral i liderëve partiakë, veçanërisht në takime me emigrantët, por asnjë hap konkret nuk është hedhur nga ndonjë forcë politike për gjetjen e një metode në mënyrë që qindra mijëra shqiptarë të ushtrojnë këtë të drejtë.

Për një vend që po përjeton “epokën digjitale”, për ta thënë me fjalët e Berishës, ofrimi i mundësisë së votimit elektronik duhet të ishte diçka e lehtë për t’u arrirë. Por ndoshta mungon pikërisht ai “vullnet politik” falë të cilit, sipas Berishës, do të mund të votonin edhe 16-vjeçarët.

Edhe pse, me thënë të vërtetën, kjo çështja e votës së 16-vjeçarëve nuk duhet të jetë edhe aq e lehtë. “Çdo shtetas që ka mbushur tetëmbëdhjetë vjeç, qoftë edhe ditën e zgjedhjeve, ka të drejtën të zgjedhë dhe të zgjidhet” thotë neni 45 i Kushtetutës, gjë që nënkupton se për t’u dhënë të drejtën e votës edhe të miturve duhet vënë dorë në Kushtetutë. Apo edhe kjo ndryshohet si dhe kur i teket këtij apo atij politikani?

Red. Shqiptari i Italisë

 

Ballakumja, ëmbëlsira që tundon Elbasanin

New York Times: ‘Saimir Pirgu, tenori nga ana e errët e Hënës’