in

Bonus bebe diskriminues. Gjykata dënon Komunën e Brescias

Humbja e shtatë gjyqësore për Komunën e drejtuar nga Adriano Paroli, që nuk donte t’u jepte kontributin për të sapolindurit edhe emigrantëve. Paroli: “Doja të luftoja rënien e lindjeve”

Romë, 11 janar 2013 – Kryetari i komunës së Brescias Adriano Parolika një obsesion që po u kushton shtrenjtë bashkëqytetarëve të tij.

Historia është e gjatë, nis në vitin 2008 kur, në krye të këshillit bashkiak të djathtë (PdL-Lega), miraton një bonus bebe: 1.000 euro për çdo fëmijë të lindur apo të adoptuar nga familjet me të ardhura të ulëta, por vetëm nëse të paktën njëri prej prindërve është italian. “Aq shumë vrasim mendjen për të mos diskriminuar të huajt sa harrojmë italianët” shpjegonte ato ditë, madje shkonte më tej duke thënë se donte të kufizonte atë kontribut të vogël vetëm për breshanët dembabadem.

Por kjo zgjedhje është raciste, pra e paligjshme, siç certifikon në janar 2009 gjykata e Brescias. Gjykatësi, pranon aktin civil anti-diskriminim të paraqitur nga shoqata Studimeve Juridike mbi imigracionin, ASGI, dhe nga katër prindër të huaj, dhe urdhëron komunën që vendimi i marrë nga Paroli të zhduket.

Kryebashkiaku kërkon falje e bën modifikimet sipas sentencës së gjykatës? As të mos e çosh nëpër mend! Përkundrazi, nxehet dhe vendos t’ua heqë të gjithëve bonusin bebe. Me një fjalë, vetëm e vetëm për të mos ua dhënë të huajve, ua heq edhe italianëve.

Nis një betejë e re gjyqësore, dhe deri më sot Paroli humbet gjashtë herë të tjera. Më 10 janar mbërrin sentenca e shtatë mbi këtë çështje (e fundit???) kundër Kryebashkiakut: seksioni i Punës i gjykatës së Brescias e deklaron diskriminuese vendimin që anullonte për të gjithë bonusin bebe dhe urdhëron Komunën të paguajë, si dëmshpërblim për “dëmin nga diskriminimi”, 15 mijë euro ASGI-t dhe 3 mijë euro secilit prej katër emigrantëve. Për më tepër, Komuna duhet të paguajë edhe 8.500 euro (plus IVA) për shpenzime legale. Pra vetëm me sentencën e fundit fatura është mjaft e kripur për breshanët, rreth 40 mijë euro.

Por kryetari është akoma i mendimit se ka të drejtë, gjë që duhet të alarmojë bashkëqytetarët. “Përtej shërbimeve parësore që në qytetin tonë u garantohen të gjithëve, – shprehet Paroli – kundrejt dhjetëra ndërhyrjeve në favor vetëm të emigrantëve, mendova se mund të bëhej të paktën një në favor vetëm të qytetarëve italianë breshanë, lidhur me një problem specifik të tyrin: rëniën e theksuar të lindjeve”.

EP

Lecco. I njihet statusi i refugjatit shqiptares që keqtrajtohej në vendlindje nga i shoqi

Casapound paraqitet në zgjedhje. “Stop emigracionit”