U miratua përfundimisht në Parlament shtrirja edhe 18-vjeçarëve të huaj. Tani mungon vetëm dekreti zbatues për t’u hapur rrugën shpërndarjes së parave
Romë, 25 maj 2016 – Më në fund, mund të festojnë ditëlindjen me dhuratën e Qeverisë, edhe 18-vjeçarët e huaj, që të tillë janë shpesh vetëm për ligjin pasi janë bij imigrantësh që kanë jetuar thuajse tërë jetën e tyre në Itali. Do të marrin edhe ata 500 euro nga shteti për t’i shpenzuar në librari, teatër, opera etj.
Bonusi i kulturës që fillimisht qeveria ua kishte dedikuar vetëm qytetarëve italianë dhe të BE-së, tani do të jetë për të gjithë 18-vjeçarët pa dallim shtetësie. Dhoma e Deputetëve miratoi sot përfundimisht konvertimin në ligj të dekretit shkolla që mes të tjerash parashikon edhe heqjen e këtij diskriminimi të padrejtë.
Praktikisht bonusi do t’u shkojë të gjithë rezidentëve në Itali që mbushin 18 vjeç gjatë vitit 2016, “që kanë, kur parashikohet, lejeqëndrim të vlefshëm”. Nga kjo risi duhet të përfitojnë gjithsej 576.953 18-vjeçarë, nga të cilët 24.305 djem e vajza jokomunitarë, dhe shtetit do t’i kushtojë 290 milionë euro.
Përjashtimi i brezave të dytë ishte diçka e pajustifikueshme dhe e turpshme. Kryeministri Renzi e kishte prezantuar bonusin si “mirëseardhje në bashkësinë e të rriturve, por mbi të gjitha një mënyrë me të cilën shteti të ngarkon me përgjegjësinë e të qenit protagonist e bashkë-trashëgimtar i pasurisë më të madhe kulturore të botës”, duke harruar që ajo pasuri është edhe e djemve dhe vajzave që ndihen plotësisht italianë edhe pse për ligjin nuk janë akoma.
Pas protestave të të interesuarve, rendeve të ditës të paraqitura në Parlament, përpjekjeve të pafat të opozitës për ta hequr qafe problemin, më në fund, pasi e mori shumë shtruar, qeveria bëri prapa-kthehu. Amendamenti i futur në konvertimin në ligj të dekretit për shkollën, më kot i penguar nga Forza Italia dhe Lega, zgjidhi problemin.
Të paktën, në këtë aspekt, bijtë e italianëve e bijtë e imigrantëve trajtohen njësoj nga Shteti. E tani të gjithë së bashku presin dekretin e Kryeministrit (pritet prej muajsh) që do t’i hapë efektivisht rrugën dhënies së bonusit të rinjve.
EP
Shqiptari i Italisë
(Ndiqni Shqiptariiitalise.com edhe në Facebook dhe Twitter)