Një amendament i qeverisë në Dekretin për shkollën heq diskriminimin. Kanë të drejtën e bonusit të gjithë 18-vjeçarët me rezidencë të rregullt në Itali
Romë, 4 maj 2016 – Le ta quajmë “kthesa” e mirë. Qeveria më në fund korrigjoi bonusin e kulturës për të rinjtë që sapo mbushin 18 vjeç, duke ua dhënë edhe djemve dhe vajzave të huaja 500 eurot që mund të shpenzohen për libra, teatër, opera, kinema.
Siç ishte shkruar në ligjin e fundit të Qëndrueshmërisë, bonusi do të kishte lënë jashtë shumë e shumë bij imigrantësh, sepse u dedikohej vetëm “qytetarëve italianë ose të vendeve të tjera të BE-së”. “Një diskriminim shumë i rëndë dhe jo i pari, që ne italianë e italiane me lejeqëndrim, të rritur në Itali, vuajmë në kurrizin tonë” denoncoi në Stranieriinitalia.it rrjeti G2 Seconde Generazioni.
Mazhoranca bëri menjëherë autokritikë për atë përjashtim por deri dje nuk kishte mbërritur një ndërhyrje konkrete për të korrigjuar gabimin. Ndërkaq, pas disa muajve përgatitje, po shpallte dekretin që do të vinte në jetë bonusin, siç u paralajmërua para disa ditëve nga vetë Matteo Renzi dhe nënsekretari i Kryeministrisë Tommaso Nannicini, që po merret me këtë çështje.
Dje (3 maj), më në fund, ekzekutivi ndërhyn. Duke shfrytëzuar në Senat rastin e kthimit në ligj të të ashtuquajturit “dekreti i shkollës” (dekretligji 42/2016 “Funksionimi i sistemit shkollor dhe i punës kërkimore”), qeveria paraqiti një amendament në Komisionin e Arsimit Publik dhe të Monumenteve të Kulturës.
Amendamenti ndërhyn drejtpërdrejt në ligjin e Qëndrueshmërisë, duke hequr çdo referim që i bëhet shtetësisë së djemve e vajzave. Nëse, siç është mëse e mundur, do të miratohet, do të kenë bonusin e kulturës të gjithë “rezidentët në territorin italian, që kanë, kur parashikohet, lejeqëndrim të vlefshëm”, që mbushin 18 vjeç gjatë vitit 2016.
Mjaftuan dy rreshta për të hequr një padrejtësi të madhe e nuk do të ketë nevojë për të gjetur mbulim të ri financiar. Drejtoria e Përgjithshme e Buxhetit (Ragioneria Generale dello Stato) ka bërë llogaritë e ka dhënë miratimin e saj: 290 milionë eurot të vëna që në fillim në dispozicion për bonusin e kulturës mjaftojnë edhe për t’ua dhënë dhurëtan edhe të gjithë të rinjve të huaj (“Kë quani të huaj ju? do të thonin ata…).
Elvio Pasca
Shqiptari i Italisë
(Ndiqni Shqiptariiitalise.com edhe në Facebook dhe Twitter)