Ky libër me autor Aldo Renato Terrusi, rrëfen udhëtimin e tij dhe të dajës, Xhakomo, të cilët kthehen në Shqipëri pas dyzet e katër vjetësh. Aldo ishte ende fëmijë kur regjimi i Enver Hoxhës i burgosi të atin në famëkeqin burg të Burrelit, ku dhe vdiq pa i dhënë as lamtumirën e fundit të birit dhe të shoqes. Dëshira e Aldos është të kthejë në atdhe eshtrat e të atit, dëshirë që ndërkëmbehet pikëllueshëm me të kaluarën e dhimbshme të familjes Terruzi në Shqipëri dhe të një kombi që edhe sot e kësaj dite ka në lëkurë shenjat e pashlyeshme të diktaturës. Nëpërmjet kujtimeve të familjes, dëshmive, fotografive të kohës dhe dokumenteve origjinale të procesit të të atit në vitin 1945, ripërshkohen ngjarje dramatike të faqeve historike më të zymta të Vendit të Shqiponjave. Me dëshirë të autorit dhe lejen e botuesit, po botojmë pjesë pjesë, të gjithë librin.
Pjesa e parë (vijim)
Lexo më parë:
Brenga ime shqiptare – Rikthimi
Dajti
Shoku i vjetër
Aurelia dhe Xhuzepe
Shtëpia e Xhavitit
Rrugës për në Vlorë
Takimi me Petritin
“Mirë dajë, tani duhet të shkojmë ndoshta, Toli dhe shoferi po na presin”.
“Sa të pijmë diçka freskuese dhe nisemi sërish drejt Vlorës”.
Rruga bëhet më e dëmtuar, me shumë gropa, shpesh të thella dhe me shumë shmangie.
Bashkë me grigja dhensh, qe dhe tek tuk ndonjë derr, ndeshim shumë pak makina por më së shumti njerëz që ecin në këmbë, të ngarkuar me sende nga më të ndryshmet, dhe shumë të rinj shqiptarë të veshur ushtarë që përparojnë përgjatë buzërrugës.
Ndonjë karrocë e tërheur prej kuajve, e stërngarkuar me njerëz dhe foragjere, na e ngadalëson më tepër udhëtimin.
Paradite vonë më në fund mbërrijmë në Vlorë. Shoferi i taksisë, sipas porosive të Tolit, ndalon bash para shtëpisë përdhese të Petrit Velajt.
Petriti, me të cilin kemi lënë takim që prej disa ditësh, po na pret të mbërrijmë qysh në mëngjes herët. Sapo sheh taksinë, na afrohet me një pamje serioze dhe të përmbajtur.
Është një burrë hollak, trupvogël, me flokët ende të pathinjur në tëmtha dhe thuajse qeros në teçpelek, që mban një kapele tiroleze. Fytyrën e ka me shenja, por rioshe, më sy të vegjël të zinj, dinakë dhe bishtnues.
Ka veshur një xhaketë të murrme dhe një palë pantallona doku, këmishë bojëqielli me jelek jeshil dhe kravatë blu, këpucë kamoshi. Do të dukej gati elegant po të mos qe për kombinimet paksa të tepruara të rrobave thuajse dalëmode.
Prezantohemi me përshëndetjet e zakonshme.
Banesa është një vilë e këndshme me një oborr të vogël të selitur, rrethuar nga shtëpi të tjera ndërtuar pa pikë projekti urbanistik.
Petriti na prin të rehatohemi në sallon, ku vëmë re një tavolinë ngrënieje të rrumbullakët me dru arre të errët, sipër të cilës triumfon një statujëz allçie në stil liberty, dhe rreth tryezës katër karrige me mbushje. Në një kënd dy kolltukë të mbuluar nga mbulesa me therje me dizenjo orientale – më tavolinëzën përkatëse mbi të cilën ndodhej një vazo me lule artificiale, një komo me vetrinë në të cilën janë vënë në dukje pjatat dhe gotat, një sënduk kundruall kolltukëve dhe afër dritares sërish dy karrige druri. Mobilimin e plotësojnë disa stampa lulore me korniza të holla të varura në muret ngjyrë rozë, të lyera së fundmi.
“Ime shoqe do t;ju bëjë nga një kafe dhe pastaj unë do t’ju shoqëroj vërdallë”.
Hyn një grua, e kolme, esmere, te të gjashtëdhjetat, me veshje tradicionale: mban veshur një fund të zi, të gjerë me pala që i mbërrin deri në kyçet e këmbëve, me një këmishë të bardhë shumë të qëndisur, sipër një hapësire të çelët me lule, një bluzë rozë me gjysmëmëngë dhe me kopsa argjendi, në këmbë papuçe cohe të ngjyrosura dhe në kokë një shami të bardhë që i mbulon flokët edhe më të zinj. Duket iskur ka ardhur nga një kartolinë e viteve 1800.
Nuk flet, bën vetëm një shenjëz përshëndetjeje me kokë dhe një buzëqeshje të drojtur.
Një shenjë tjetër përshëndetjeje dhe ashtu siç erdhi, iku.
Vlora na shfaqet në gjendjen e saj më të mirë, e shkëndritur nga një ditë e bukur me diell. Përshkojmë rrugën kryesore që të çon nga shtëpia e Petritit drejt sheshit qendror të qytetit të vjetër. Pasi mbërritëm aty, shohim në të majtë një shatërvan ndërsa përballë nesh ngrihet ndërtesa e një banke, një pallat trekatësh në ngjyrë të murrme dhe me pamje solide të arkitekturës klasiko-koloniale. Në katin përdhes ndodhen zyrat e bankës me dritare të mëdha të mbrojtura me kangjella. Aty dikur në katin e parë banonin prindërit e mi dhe kisha lindur edhe unë.
Gjëja e vetme që kishte ndryshuar përgjatë viteve është tabela e madhe e bardhë mbi hyrjen kryesore të ndërtesës – që gjatë viteve të pushtimit italian ishte banka kombetare e shqipnis ndërsa tani është banka e shtetit shqiptar – pamja është më e veshur dhe dekadente, mesa duket nuk është meremetuar e as lyer qëkur u dëbua familja jonë prej andej në 1945.
Të pajisur me një leje stë veçantë dhe të shoqëruar nga një roje vendase, për të mos thënë nga gjithë familja e kujdestarit, hyjmë në zyrat e katit përdhes. Banka është bosh, nuk shohim as nëpunës e a më pak klientë. As nuk pyesim pse.
Më kthehen në mendje shumë rrëfime të sime ëme mbi ngjarjet që kanë ndodhur në këtë vend, thuajse thuajse arrij t\i shoh.
12 tetorin e vitit 1943 banka e Vlorës u rrethua nga një grup prej njëzet ushtarësh gjermanë që zbritën nga dy automjete. Nga automjeti i parë me zinxhirë zbritën pesë ushtarakë dhe togeri i tyre, që me mënyra të ashpra dhe me armët në duar hapën rrugën mes dy rojeve shqiptare të shërbimit të sigurisë, duke i detyruar të ngrinin duart lart, të mos lëviznin e të mos bënin ndonjë shaka. Togeri kërkoi të takohej me drejtorin dhe arkëtarin. U paraqitën im atë dhe avokat Beluci. Këtyre iu kërkua fare hapur të dorëzonin gjithë paratë e arkës bashkë me rezervat e arit që ndodheshin në depozitë.
Im atë u përgjigj se nuk ishte i autorizuar të kryente një kërkesë të tillë, dhe së bashku me avokatin iu vunë prangat. Menjëherë pas kësaj, togeri së bashku me ushtarët e vet filluan të frikësonin nëpunësit pas banakut duke i urdhëruar të hapnin kasafortat dhe të hidhnin paratë në thasë; natyrisht që s’mund të bënin gjë tjetër veçse të bindeshin. Çelësat e dyfishtë iu dorëzuan tpgerit dhe një nëpunës u detyrua të shoqëronte dy ushtarakët në depozitë dhe ta hapte. Aty gjetën shumë pak napolona ari.
Banka Qendrore Italiane, akoma më parë armëpushimti të 8 shtatorit, një pjesë të arit e kishte transferuar në Itali, ndërkohë që një pjesë tjetër e konsiderueshme kishte shërbyer për të financuar industritë italiane që nga viti 1939, të mbështetura nga regjimi, ishin vendosur dhe punonin në Shqipëri.
Togeri gjerman, shumë i zemëruar, kërcënoi babain me vdekje duke e akuzuar për tradhëti , pastaj i hodhi prangat dhe e morën me vete në një nga automjetet. Më pas erdhi mandati i kontrollit të banesës në kat të parë, ku rrinte dhe aurelia me shërbyeset. Ndërkohë që disa ushtarë morën pozicion, të tjerët u ngjitën në shkallët e brendshme.
Shërbyeset u përpoqën t’i pengonin qysh në hyrje duke mbajtur derën, ndërsa Aurelia vrapoi në dhomën e gjumit ku, nën dollap, në një të çarë të dyshemesë, kishte fshehur stërlinat e arit që i shoqi i dhuronte sa herë që gjente në tavolinën e ngrënies një ëmbëlsirë të bërë prej saj. I vuri monedhat dhe disa stoli, sa më shpejt që të mundtte, në një çantëzë cohe, vrapo te dritarja dhe i hodhi të gjitha përtej murit rrethues të bankës, në oborrin e vilës ngjitur të prindërve të saj.
Gjermanët e bënë lesh e li krejt banesën nën sytë e tmerruar të grave, por nuk gjetën asgjë të dëshirueshme apo kompromentuese.
Xhuzepen e çuan në kazermë për ta marrë në pyetje dhe rrjedhimisht, e mbajtën në qeli. Akuza me të cilën përballej parashikonte edhe dëbimin në një kamp përqendrimi.
Gjithë familja ishte në ankthin më të thellë. Aurelia e shoqëruar nga Xhakomo, shkoi në Tiranë për t’i kërkuar ndihmë drejtorisë qendrore. I priti inspektori i përgjithshëm i Bankës së Italisë, Etore Melis – shok si vëlla i Xhuzepeës, që u garantoi bashkëpunimin e tij të plotë për të çuar në lirimin e shokut të vet.
Nga datat 12 dhe 20 shtator pati shumë seanca hetuesie: gjermanët donin të dinin ku fshiheshin ushtarët italianë dhe arsyen se pse kishte aq pak para në bankë.
Ndoshta i kishin spiunuar: dy ushtarë italianë ishin fshehur në vilën e Emës, pikërisht përballë bankës.
Banka e Vlorës u mbyll dhe patryullohej, ndërsa familjet e nëpunësve u degdisën në Llakatund, një fshat pak kilometra në veri të Vlorës.
Më pas, Xhuzepe u lirua dhe banka filloi sërish punën, por nën mbikëqyrjen e rreptë të gjermanëve.
Petriti na thotë se banakët, tryezat dhe karriget janë po ato të kohës italiane.
Ngjitemi në katin e sipërm ku, shumë vite më parë, banonte familja ime.
Edhe pse ishin pikërisht të njëjtat dhe i kishin përdorur, me të njëjtat dysheme dhe madje të njëjtat mobilje, dhomat tashmë i kishin shndërruar në zyra.
Hyjmë në sallonin kryesor në qendër të apartamentit, nga dritarja e madhe shihet sheshi i shatërvanit, pastaj dalim në terracë, dëshmitare e shumë ngjarjeve e peripecive.
Ishte një periudhë shumë e trishtueshme për Shqipërinë: nga njëra anë lëvizja nacionalçlirimtare e Enver Hoxhës ishte vënë kundër Qeverisë në ngarkim të Zogut, nga ana tjetër partizanët e Ballit Kombëtar mbështesnin Zogun duke bashkëpunuar me italianët. Duke marrë pastaj parasysh që në atë territor përballeshin mesvedi edhe trupa italiane, angleze dhe gjermane dhe në kufirin shqiptar ishin grumbulluar trupa të çrregullta jugosllave dhe greke, gjendja e krijuar ishte pak me thënë kaotike.
Në 20 shtator 1944 Xhuzepe kishte shkuar në Tiranë për një mbledhje me drejtorët e bankave italiane: duhej të vendosej qëndrimi që do të mbahej në situatën e re të konfliktit të ashpër mes forcave të partizanëve shqiptarë dhe kontingjentit gjerman që ende kontrollonin Vlorën.
Ishte natë dhe Aurelia, gjithmonë në ankth, flinte në dhomën e saj të gjumit në katin e parë të bankës. Kamarierja dhe kuzhinierja flinin në anën kundruall të banesës. Aurelia dëgjoi Kri Krinë, volpino-n e bardhë të saj, që po lehte nga ana e shtëpisë që ishte përballë oborrit të brendshëm të bankës.
Dëgjoi hapat e dikujt mbi terracë dhe filoi të ulërinte duke zgjuar edhe shërbyeset, të cilat vrapuan te ajo menjëherë. Arritën të shihnin vetëm hijen bishtnuese të dikujt që po zhdukej ndërsa kapërcente murin rrethues. Euxhenia, e cila flinte ngjitur me dhomën e Aurelias, as që ndjeu gjë.
Mëngjesin tjetër u zbulua që deriçka e pasme e bankës ishte hapur me dhunë, por nuk ishte vjedhur asgjë. Ai që e pësoi më keq qe Tu Tuja, maçoku angorë që ishte goditur me thikë, shtrirë në dysheme, që mjaullinte mekshëm; vetëm kujdesi dashuror i Aurelias arriti ta shpëtonte.
Partizanët shqiptarë po fillonin të bënin presion mbi italianët.
Pak ditë më vonë, ndërsa jashtë bëhej mugëtirë, Aurelia po rregullonte rrobat e të sapolindurit. Ishte vetëm, i shoqi kishte shkuar në Konsullatën Italiane që s’ndodhej larg, shërbyeset kishin dalë për të bërë pazar; edhe Euxhenia kishte ikur, në shtëpinë e Vitalianos, sepse Ema ishte pak pa qejf. Aurelia ndjeu zhurmë hapash dhe zëra të inatosur në shqip dhe italisht që vinin nga shkallët e brendshme; arriti të dallonte zërin e Albertos, i cili, si e kishte vënë re praninë e të paftuarve, po përpiqej të mbronte ambientet e bankës.
Nuk kishte asnjeri që ta ndihmonte: vetëm mund t’ia mbathte ose të fshihej. Filloi të ndjehej e rrezikuar.
Vendosi të ikte. Me rrobdëshambër dhe me barkun shtatëmuajsh hapi dritaren e katit të parë, u ngjit në korniza dhe pastaj, duke u kapur pas hekurave të dritares së katit përdhes, arriti të hidhej në rrugë. Me frymën që i mbahej arriti në vilën e prindërve dhe dha alarmin. Shkuan aty të afërmit, u lajmërua konsullata dhe Xhuzepe.
Asnjë gjurmë e keqbërësve.
Gjithsesi, kishin marrë vetëm ato pak para që kishin lënë në sirtarët e bufesë. Hajdutët, që ishin njohur se i përkisnin lëvizjes nacionalçlirimtare, nuk patën dot mundësi ‘të punonin’.
Ditën tjetër u bë një hetim i brendshëm mes nëpunësve dhe drejtorit. U mbërrit në përfundimin se një nga dy nëpunësit shqiptarë kishte ‘harruar’, si me thënë, yë mbyllte portën e pasme të bankës.
Një marrëveshje e nënshkruar midis Bankës së Italisë dhe Qeverisë shqiptare, finalizuar në drejtimin e rrjetit bankar vendor, parashikonte që një pjesë e të punësuarve duhej të ishin shtetas shqiptarë.
Nëpunësi ‘harraq’, i cili fillimisht ishte përpjekur t’ua hidhte fajin të tjerëve, nuk duhej pushuar: ky ishte urdhër i Enverit.
Kryengritja e partizanëve shqiptarë mori përmasa të mëdha dhe gjermanët filluan të tërhiqeshin”.
Nga një prej letrave të shumta të Xhuzepes për të motrën, Kiarën: “Vlorë, 22/10/1944. Jemi liruar prej thuajse dhjetë ditësh dhe banditët gjermanë ia mbathën me bisht ndër shalë”.
“Në 29 nëntor u shpall republika popullore e Shqipërisë me në krye Enver Hoxhën.
Partizanët e tij çliruan edhe Tiranën, duke forcuar kështu qeverinë e ngritur një muaj më parë me mbështetjen e grupeve komuniste të lëvizjes nacionalçlirimtare.
Largimi i trupave të huaja nga Shqipëria, pa pjesëmarrjen e komunistëve sovjetikë, forcoi edhe më tej prestigjin e Hoxhës.
Me marrjen përsipër të detyrave si president dhe Ministër i Mbrojtjes Kombëtare në Qeverinë provizore demokratike të Shqipërisë, Hoxha u bë heroi thuajse legjendar i një vendi të varfër dhe të prapambetur”.
Hyjmë sërish dhe në të djathtë është dhoma ku pashë dritën për herë të parë.
Ambienti është i ndriçuar mjaft mirë, jo shumë i madh, i pamobiluar, me një dritare pa perde.
Ndërkohë që zmadhoj buzëqeshjet rrethanore, fsheh emocionin që bën të më rrahë zemra fort dhe të më vërshojë gjakun në vena. Arrij të fshij në kohë edhe një lot vjedhacak.
Agimin e 4 janarit 1945, pas pak më pak se tre orë nga dhimbjet e lindjes, të afërmit dhe miqtë e mbledhur në sallonin ngjitur dëgjuan të qarat e mia të para. Anitës dhe Brunës iu hap shumë punë, sepse ato duhej të siguronin dhe të qetësonin gjyshërit, xhaxhallarët dhe miqtë. Euxhenia doli nga dhoma dhe me zë të lartë deklaroi”
“Është një goxha djalë, gjithçka shkoi mirë!”
Përgëzime dhe urime nga të afërmit: Xhuzepe u bë me trashëgimtar! I menjëhershëm telegrami në komunën e kastelanetës për të vërtetuar lindjen e Aldo Renatos.
Dy mua më pas u pagëzova dhe kumbar u bë Piero Rovigati, adimistratori i deleguar i aipa-s dhe mik i ngushtë i familjes. Ishte një ceremoni gati e fshehtë, për shkak se qeveria kërcënonte me luftë kundër italianëve dhe atmosfera rrethuese ishte menjëmend shtypëse.
Disa ditë pas pagëzimit, dy inspektorë të qeverisë së enverit erdhën në bankë dhe kërkuan drejtorin dhe arkëtarin. Donin të verifikonin librat e llogarisë.
Babai u çoi çfarë donin. Të dy u hodhën nga një vështrim të pavëmendshëm, shfletuan shpejt e shpejt faqet, konfiskuan gjithçka që morën dhe ikën as pa u përshëndetur.
Ishte e qartë që italianët, edhe pse në dukje të lirë, në të vërtetë ishin të burgosur të qeverisë së Enverit.
Dhe s’kaloi shumë kohë kur, aty nga fundi i marsit 1945, policia shqiptare e lëvizjes nacionalçlirimtare u paraqit në bankë me një mandat arresti për drejtorin dhe arkëtarin, me kundërfirmë të Hoxhës. Akuza ishte zhvatje e pasurisë së popullit shqiptar.
Që të dy u çuan në burgun më të afërt.
Pas kësaj, regjimi organizoi një proces të montuar në të cilin të vetmit dëshmitarë ishin pikërisht nëpunësit e diktuar nga Enver Hoxha.
Procesi, i mbajtur me dyer të mbyllura, zgjati gati një muaj, praktikisht pa avokatë të njëmendët mbrojtës: ata të zyrës kishin vetëm rolin e figurantëve të rëndomtë. Po ata dëshmitarë, Alkani dhe Balishi, nuk arritën të jenë efikasë dhe arritën ta lëkundnin trupin e akuzës. Megjitahtë Balishi, kundër çfarëdo prove, akuzoi haptas bankën se kishte përvetësuar paratë.
Nga një deklaratë e Enverit vite më vonë:
“Pas kapitullimit të Italisë fashiste në shtator 1943, ushtria naziste mori arin shqiptar të depozituar pranë Bankës së Italisë në Romë. Përfaësuesit e Ministrisë së jashtme të Gjermanisë dhe ata të qeverisë shqiptare arritën në njohjen, me anë të një protokolli të firmosur në pranverë të vitit 1944, në njohjen shtetit shqiptar të kësaj sasie ari. Si të mos mjaftonte kjo, në tetor 1944 komandanti i trupave hitleriane në Tiranëv mori arin që kishte mbetur në bankën kombëtare të Shqipërisë, duke deklaruar se do ta depozitonte atë në filialin e kësaj banke në Shkodër…”
Edhe pse e kërkoi akuza, me premtimin për shpërblim, asnjë tjetër nuk u paraqit kundër Xhuzepes dhe bankës së tij. Nuk u pranua asnjë dëshmi e italianëve.
U treguan të gatshëm disa miq shqiptarë, por u akuzuan menjëherë për kolaboracionizëm dhe iu mbyll kështu goja.
Xhuzepene dënuan me dhjetë vjet burg.
Para se ta riatdhesonin, Melisi shkoi ta takonte në burgun e Vlorës dhe i tha se i kishte duart e lidhura. Biseda ishte njëmend dramatike: Melisi, miku i shtrenjtë i Xhuzepes, ishte i vetëdijshëm se nuk mud të bënte dot asgjë në ndihmë të tij. Xhuzepeja, duke e marrë me mend se pak gjasa kishte për ta liruar, iu lut shokut të bet t’i mbronte si një at të birin Aldon e tij dh të ndihmonte të shoqen Aurelian në vështirësit me të cilat do të përballej në Itali. Melisi i premtoi se do ë bënte gjithçka që i kërkoi shoku i vet, madje e quante tamam si detyrë të vetën.
As Banka e Italisë, as Kryqi i Kuq Ndërkombëtar, as qeveria italiane nuk mundën dhe as deshën të bënin gjë. Përgjegjësitë ranë mbi shumë autoritete të ndryshme, por asnjëri nuk i mori përsipër. Më e përshtatshme ishte të varroseshin fakte dhe njerëz që mund t’i sillnin telashe posteve të rëndësishëm të shtetit italian.
Nga ana e vet, Enver Hoxha nuk kërkonte më mirë se kaq: e kishte përmbushur hakmarrjen e vet personale karshi Xhuzepes dhe familjes së tij.
Shumë italianë e shqiptarë përfunduan në burg gjatë asaj kohe, duke i lejuar diktatorit një demonstrim të qartë të pushtetit karshi popullit të vet, që sapo kishte dalë, i ndrydhur e i dnarë, nga luftërat e brendshme dhe nga luftërat e tjera.
Kërkesat vijuese për falje u shpërfillën çdo herë, shteti shqiptar me ardhjen e diktaturës komuniste u mbyll në vetvete si një iriq.
Me kalimin e viteve, shumë italianë u falën dhe u kthyen në Itali, por jo Xhuzepeja.
Kam vetëm një kujtim të vagullt të tim eti, pas hekurave të burgut të Vlorës, dhe të vetes sime si fëmijë në krah të nënës me duart e shtrira drejt tij. Prej aty pas pak ditësh na hipën në anije për në Itali. Nuk e pashë kurrë më.
Familja e kujdestarit të ndërtesës, të cilit i treguam shkurtimisht arsyen e vizitës sonë të papritur, para se të na përshëndeste, na sajdisi me një festë të vogël duke na qerasur me gatime e pije freskuese.
U urojmë me mirësjellje qëndrim të mbarë, duke u dhënë një bakshish shumë bujar si kujdestarit, ashtu edhe rojes së turnit.
Vila në krah, që gjendej në të majtë të bankës, është ajo ku kanë banuar gjyshërit e mi, Vitalianoja dhe Ema, së bashku me të motrën Ida dhe të birin e saj Domenikon.
Trokasim në portë dhe vijnë të na e hapin gjithë kureshtje. Toli u shpjegon arsyen e vizitës sonë. Mikpritja është shumë kordiale dhe miqësore dhe krijohet mes nesh menjëherë një simpati e ndërsjelltë, sidomos kur u themi, nëpërmjet Tolit, se kemi banuar në po këtë shtëpi 50 vjet më parë.
Vila është shumë modeste, thuajse e rrënuar. Vizitojmë nga fillimi në fund të gjitha hapësirat: kuën e errët dhe të nxirë, dhomën e ndenjjes me oxhakun, shkallët kërkëllitëse të drurit si spirale që të çojnë në dy dhomat e epërme, në një nga të cilat unë dhe nëna ime kishim jetuar për disa muaj kur u larguam nga banka para se të na transferonin me gjithë familjen në Tiranë.
Një fotogramë lulëzon në kujtesën time: oxhaku i dhomës së ndenjjes ishte objekt i projekteve të mia në maket.
Një gjë më tërhiqte në mënyrë të veçantë. Ishte një objekt misterioz, metalik, shumë i rëndë, me formë harku gotik, ngjyrë të kuqe e blu që binte shumë bukur në sy në anën e epërme të oxhakut. Një ditë, me oxhak të fikur, u kacavirra mbi një karrige për të kapur atë objekt të shumëdëshiruar, me sforcim të madh u rrka për ta marrë por ky u përmbsy dhe ra në dysheme duke shkaktuar rrapëllimë të madhe.
Erdhi menjëherë gjyshja që më gjeti ende në këmbë mbi karrige, ndërkohë që mbi pllakat e thyera të dyshemesë prehej ai objekt që kishte qenë një predhë mortaje. Gjithkund përreth ishte përhapur çfarë kishte brenda saj: gozhdë, vida, rrotelina, fije spangoje, etj. Bëhej fjalë për një mbeturinë lufte të çaktivizuar që Domenikoja, kushëriri im katërmbëdhjetëvjeçar, e kishte gjetur dhe më pas lyer tërë kujdes dhe në fund e kishte mbushur me gjithë thesaret e tij… i ziu ai që e prekte!
Që nga ajo ditë, megjithë ankesat e Domenikos, bomba u bë lodra ime më e dashur.
Mobilja e rrënuar që shohim ndoshta është e njëjta e asaj kohe.
Gjithçka duket se ka mbetur si shumë vite më parë, përveç skutës së fshehtë poshtë shkallëve ku ishte murosur një pistoletë për të mos lejuar gjermanët ta merrnin gjatë bastisjeve të tyre apo të akuzonin familjen për terrorizëm dhe spiunazh, me pasoja që mund të merren me mend. Tani në vend të kësaj skute është një kamare me një shënmëri.
Ndërsa dalim nga banesa i hedhim një sy edhe oborrit të papunuar dhe pusit të tharë.
Daja kujton që po në atë vend, për t’u ikur telasheve, hodhën dy pushkë dhe dy shpata menjëherë pas datës 18 shtator 1943.
Largohemi me përshëndetjet kordiale të njëjta dhe ceremoniale të rastit.
“Hajde na vizitoni prapë”.
“Ndoshta ndonjë ditë, ku i dihet…”
Drejtohemi nga ajo që ka qenë Konsullata Italiane e Vlorës, një ndërtesë masive që binte në sy me ngjyrë të errët; dera kryesore e të cilës ishte e pajusir me një portik hijerëndë në stil klasik dhe ku aktualisht nuk banonte njeri.
Burgu i vjetër, pa funksion prej vitesh, ndodhet pikërisht përballë. Bëhet fjalë për një ndërtesë modeste dykatëshe në ngjyrë të hapur, me plasa të mëdha në muret e jashtme. Porta e drunjtëngjyrë jeshile është e kyçur me zinxhirë, në anët e saj ndodhen dhe dritaret e vendrojeve.
Petriti na tregon dritaret me hekura në katin e epërm: aty ndodheshin të gjitha qelitë.
“Në këtë burg në 1945 përfunduan të gjithë funksionarët e bankës, përfshi edhe drejtorin babai juaj, arkëtari dhe shumë të tjerë. Akoma para se të dënoheshin, i kishin burgosur dhe rrasur në një qeli të vetme, ajo e cepit. Pas disa vitesh, i ndanë dhe kështu unë rashë në qeli më tët atë dhe më dy italianë të tjerë që nuk ua kujtoj dot emrat. Po atë vit na dërguan të gjithëve në Burrel”.
Daja i kërkon Petritit të na çojë në anën më lindore të vendit, ku dikur ishte shtëpia e stërgjyshes.
Gjatë rrugës për atje shohim një shesh shumë të madh me në qendër një xhami të madhe e të bukur. Rreth saj ka shtëpi modeste me mure të ngrënë e të ronitur. Shkojmë drejt njërës prej tyre dhe trokasim. Pas disa sekondash dëgjohet një zë në shqip i pakuptueshëm edhe për vetë Petritin. Presim.
Deriçka hapet me ngadalë dhe na shfaqet një plakë, veshur fshatarçe, e shëndoshë, e pakrehur, e përgjumur, që fillon të flasë me Petritin.
Pas disa çastesh na fut brenda dhe na lejon të vizitojmë shtëpinë.
Një kolibe prej dy dhomash të vogla, njëra që shërben si dhomë ndjenjjeje e dhomë gjumi dhe tjetra e përshtatur për kuzhinë me banjon ngjitur. Që të dyja kapluar nga një aromë shpuese që vjen nga kanali i ujërave të zeza aty pranë.
E përshëndesim plakën dhe ikim me nxitim nga ai vend aq dëshpërues.
Përballë asaj shtëpie është një kodër e vogël që Xhakomoja thotë se është vendi ku ndodheshin varrezat e vjetra katolike të prishura nga partizanët në 1943, në të cilën u varros trupi i Lilinos.
Petriti thotë emrin e një futbollisti që Xhakomoja e njeh mirë, njëfarë Zezen Sharra, i cili për fat të keq ishte gati duke vdekur. Vendosëm të shkonim ta takonim. Shtëpia e tij ndodhej lart në lagjen e vjetër dhe duhej ngjitur nëpër një rrugine dredha-dredha.
Të afërmit e futbollistit na mirëpresin me temena dhe mirënjohje dhe na shoqërojnë te shtrati i të sëmurit. Zezeni e mban mend Xhakominon dhe shkëmbejnë mes tyre disa fjalë shqip, ndërkohë që Xhakomos i janë njomur sytë nga lotët. Përshëndesim tërë përulësi mallëngjyese dhe kthehemi në shtëpinë e Petrit Velajt.
Me të mbërritur, na sjellin raki dhe bëjmë një dolli.
Pas pak e pyes Petritin: “Velaj, çfarë kujton nga babai im?”
“Drejtori ishte një zotëri i rrallë… e shoqja Aurelia ishte zonja më e bukur dhe elegante e Vlorës. Me të vërtetë një grua e bukur. Shëtiste gjithmonë me dy mikesha të tjera”.
Ndërkohë më kujtohet që kam parë foto të nënës sime në shëtitje e sipër nëpër rrugët e Vlorës bashkë me dy shoqe italiane, të martuara më bashkëkombas të tyre, funksionarë të bankës së tim eti.
Petriti vazhdon: “Ai ishte falltar. Një ditë, kur ishim në burg në Vlorë, më mori dorën dhe ma lexoi. Më tha – atëherë isha 19 vjeç – që do të dilja nga burgu dhe do të hyja sërish. Më parashikoi një pleqëri të qetë, që do ta kaloja në shtëpinë time bashkë me familjen, përfshirë dhe nipër e mbesa. Ndërsa ai nuk do t’ia dilte dot, më thoshte. Kishte parashikuar edhe që një ditë do t’i rrëfeja për të të birit”.
Kjo fjali e fundit, kaq e goditur dhe e saktë, më shtang duke më shkaktuar edhe të ngjethura por njëherësh edhe një pështjellim të fortë.
Velaj, sipas Tolit, ishte burgosur një herënë 1945 dhe pastaj për herë të dytë në 1983.
“Ju keni qenë me tim atë edhe në burgun e Vlorës, edhe në atë të Burrelit?”
“Po, fillimisht në Vlorë, në burgun që sapo pamë dhe më pas në Burrel”.
“Ju kujtohet gjë tjetër?”
“Po. Për mua ai ishte si baba, të dy i kishim shtretërit afër, në një qeli plot e përplot”.
“Si i shtynit ditët?”
“Flisnim shumë, tregonim historitë e njëri-tjetrit. Ai na lexonte edhe gazetat dhe na shpjegonte ngjarjet politike. Më mësoi italishten… edhe ta shkruaja”.
“Si vdiq im atë?”
“Në Burrel, dha frymë në krahët e mi. Më kujtohet që dy ditë më parë e kishin çuar në qelinë numër 9 – kjo ishte për ata që s’e kishin të gjatë – sepse vuante shumë dhe nuk arrinte dot të merrte frymë. Shkova ta takoja dhe gjatë kohës që isha aty, pati një shtrëngim të fortë në kraharor dhe nga goja i doli një çurgë gjak. Ditën tjetër vdiq”.
Unë dhe imë më, ishte viti 1952, ndodheshim në Arma të Taxhisë, mysafirë të tezes sime Karmen.
I shoqi Mario kishte ndërtuar një vilë shumë të bukur në kodër, me detin përballë dhe me një kopsht të madh me disa bimë tropikale.
Kishim shkuar aty nga Kastelaneta, dhe kishim me vete vetëm rrobat e veshura dhe një pajë shumë modeste që na e kishte dhuruar Kiarina, motra e babait.
Kohët e fillimit ishin të vështira, por unë isha përshtatur lehtësisht me sistemimin e ri, isha fëmijë dhe për mua qe më e lehtë.
Më dhuronin shumë lodra, të cilat i çmontoja rregullisht dhe, megjithë praninë e tim kushëriri Aleks, djali i Karmenit dhe bashkëmoshatar i imi, shpesh më pëlqente të luaja vetëm në dhomën time ose në oborr, po të ishte kohë e mirë.
Kisha filluar shkollën dhe isha në klasën e dytë, por më kujtohet se kam qenë përherë pak i shpërqendruar dhe i drojtur, thuajse sikur ata vite në Shqipëri të kishin lënë shenja në karakterin tim.
Më kujtohet një mëngjes i bukur prilli, kur isha në dhomën e nënës sime dhe po vizatoja anije të mëdha e pa pikë lidhjeje, kur teze Karmeni hyri papritur duke tundur një telegram. Kishte një buzëqeshje të madhe në fytyrë dhe ia dha nënës zarfin që vinte nga Ministria e Jashtme.
Një dritë gëzimi iu shfaq në sy: mund të ishte fjala për lirimin e babait, flitej se mund të kishte lirim të menjëhershëm ose një amnisti të mundshme.
Gjithë familja, gjyshi, gjyshja dhe Mario, të lajmëruar nga Karmeni, po mbante frymën. Unë isha ulur në dysheme dhe po ndiqja skenën, nuk e kisha fort mirë idenë e asaj që po ndodhte.
Nëna hapi telegramin dhe as nuk pati kohë ta lexonte të gjithë përmbajtjen, kur ia dha ulërimës dhe dënesës, duke i dhënë lajmin tragjik gjithë familjes.
Se kush e ngriti fletën e letrës që kishte rënë afër meje dhe lexoi fjalët e ftohta rrethanore: Ju bëjmë me dije se…
Im atë kishte vdekur në burgun e Burrelit në 2 mars 1952, në moshën 52 vjeçare.
Tre vjet pas këtij lajmi tragjik, Xhorxho Ponte, i cili ndërkohë na kishte gjetur pas kthimit tonë nga Shqipëria, i dorëzoi nënës sime një zarf të rrudhosur. Pale si i kishte rënë në dorë. Mbi të shkruhej:
“Sëm 29/2-952 ora 16-Vde 2/3-952 ora 21 Xhuzepe Zanuto”.
Ishin pikërisht fjalët për orët e fundit të Xhuzepes, shkruar me dorë, me gjasë nga ndonjë shok i tij i dhimbjes dhe dëshimtar i drejtpërdrejtë”.
“Ku e varrosën?”
“Detyra e varrosjes më takoi mua dhe tre të dënuarve të tjerë, ndoshta sepse ishim më të rinjtë ose sepse kishim qenë më të këqinjtë. E mbështollëm të ndjerin me një batanile dhe hapëm një gropë afër një peme qershie mes dy rrethimeve të burgut. Ishin ditët e para të marsit. Ishte acar, bënte shumë ftohtë dhe toka ishte e fortë si gur, prandaj dhe u munduam shumë për të gërmuar. Na kishin ngrirë duart. Ndërkohë që përmbushnim këtë detyrë të trishtueshme, rojet talleshin me ne dhe na fyenin, duke na kujtuar se së shpejti kjo gjë do të ndodhte dhe me ne. Ato roje nuk janë më, ama unë jam akoma gjallë! Do t’ju them edhe diçka tjetër, e di me siguri që dy nga rojet e atëhershme u vranë gjatë regjimit të Enver Hoxhës, por vrasësit nuk u gjendën kurrë”.
Mendojmë se tashmë ka ardhur koha të ikim, vajti vonë, ora ka shkuar 14.00 dhe kemi gjithë atë rrugë në kthim.
E përshëndesim Petritin duke e falenderuar ngrohtësisht dhe e ftojmë në Tiranë të kalojë një ditë me ne, por shprehia e fytyrës së tij është mjaft dyshuese.
Vetëm më pas i bie në të se pse: ndoshta ka pritur ndonëj shpërblim për bashkëpunimin e tij.
Shoferi na pret dhe nuk duket aspak i mërzitur.
Nisemi për rrugë.
Edhe rruga është e kreshpëruar dhe ngurruese, por ia dalim të mbërrijmë në Tiranë shëndoshë e mirë rreth orës 17.00.
Ndalojmë para Dajtit, paguajmë shoferin dhe përshëndesim Tolin.
Jemi shumë të lodhur dhe shumë të emocionuar: brenda pak orësh në sytë tanë kaluan shumë vite të jetës sonë.
Është vonë për të ngrënë ndonjë gjë në hotel, ndaj shkojmë në një kioskë aty afër dhe ulemi. Ngjarjet e ditës na e kanë bjerrë oreksin dhe porositim vetëm ëmbëlsira me çaj dhe qumësht.
Mendojmë se duhet të shkojmë në hotel për një ndalesë të vogël. Xhakomo mendon të pushojë pak, ndërsa unë shkoj në sallon të shoh kanalet italiane.
Aty nga ora 18.00 daja shfaqet sërish.
“Më duket se në vend të dremitjes ishte gjumë me plot gojën!”
“Po, më zuri gjumi, isha vërtet i lodhur”.
Ndërsa porositim nga një ekspres të bari, vjen përballë nesh Spartaku”
“ia kaluat mirë në Vlorë?”
“Po”, i them unë. “Mund të them se ishte një ditë vërtet e ngarkuar dhe në disa anë, edhe tronditëse. Vetëm se mbeta pak i pështjelluar nga qëndrimi i Velajt”.
“I dashur Aldo, nuk mendoj se hipoteza jote qëndron. Këtu njerëzit të shohin ende me dyshim, regjimi i vjetër i Enverit ka lënë plagë të thella që zor se do të shërohen brenda pak kohësh. Edhe sot e kësaj dite grindjet mes familjeve nuk kanë marrë akoma fund. Mëritë e vjetra mes klaneve nuk janë fashitur ende. Pastaj Petriti ka pasur probleme edhe me drejtësinë… Në rastin tuaj, familja ka qenë shumë e njohur, dhe sidomos në Vlorë, dhe ata që ju takojnë i shpërfillin arsyet tuaja të njëmendëta, pa llogaritur këtu që ka edhe nga ata që kontrollojnë lëvizjet tuaja dhe mbajnë shënim njerëzit me të cilët takoheni. Disa sjellje dhe qëndrime mund të jenë të përligjura, mos ua vini shumë veshin”.
E falenderojmë Spartakun dhe vendosim të bëjmë një shëtitje të qetë drejt Sheshit Skënderbej.
vijon
Lexo edhe:
Një varr për Xhuzepe Terruzin – Parathënie e librit nga Agron Tufa
Një gur në muzeun e kujtesës – Parathënie e librit nga Gëzim Peshkëpia
“Brenga ime shqiptare”. Përtej detit, aty ku lind dielli – Përsiatje rreth librit nga Eugjen Merlika