in

Brezat e dytë. Kryetarët e komunave do t’u shkruajnë të rinjve: “Tani mund të bëhesh italian”

Një letër atyre që kanë lindur në Itali dhe kanë vetëm një vit kohë për të kërkuar shtetësinë. Nis fushata “18 vjeç … në Komunë!”, edhe me një udhëzues on-line

Romë, 14 tetor 2011 – Janë rreth 15 mijë të rinjtë e të rejat me moshë nga shtatëmbëdhjetë në tetëmbëdhjetë vjeç, të lindur në Itali me prindër të huajt të cilëve do t’u drejtohet vitin e ardhshëm fushata “18 vjeç … në Komunë!” e shpallur në Romë më 13 tetor nga ANCI, Save the Children dhe Rrjeti G2-Brezat e Dytë.

Objektivi është sensibilizimi i sa më shumë kryetarëve të komunave që të informojnë në kohë brezat e dytë – pra të miturit e lindur në Itali nga prindër të huaj – mbi mënyrën e marrjes së shtetësisë mbe mbushjen e moshës madhore. Iniciativë e nisur tashmë në disa komuna, si për shembull, prej disa javësh në Milano.

Sipas normativës aktuale, bijtë e imigrantëve mund të bëhen italianë nëse kanë lindur këtu dhe, përveçse janë regjistruar në zyrën e Gjendjes Civile, kanë pasur rezidencën legale në Itali deri në mbushje e 18 vjeçëve pa ndërprerje. Për të marrë shtetësinë duhet të paraqesin kërkesë në Komunë të rezidencës para se të mbushin 19 vjeç. Problemi qëndron në faktin që një pjesë e mirë e tyre nuk e dinë që për të paraqitur kërkesën kanë vetëm një vit kohë duke filluar nga çasti kur mbushin 18 vjeç.

Nga kjo merr shkas ideja që Komunat t’u nisin një letër të rinjve me origjinë të huaj të lindur në Itali që po mbushin moshën madhore, për t’i informuar ata mbi mundësinë e ushtrimit të të drejtës së tyre për t’u bërë qytetarë italianë. Rrjeti G2 ka është përkujdesur edhe për një udhëzues të botuar on-line me titull “18 anni… in Comune!”, që shpjegon procedurën dhe të mirat e përdorimit të këtij kanali për të marrë shtetësinë.

Janë shifrat ato që demonstrojnë rëndësinë e kësaj iniciative, mbi të gjitha për të qenë largpamës. Në vitin 2010, sipas ISTAT-it, kanë lindur rreth 78 mijë fëmijë të huajish, 13,9% e të gjithë të lindurve rezidentë në Itali, me një rritje prej 1,3% krahasuar me një vit më parë.

Shkarko udhëzuesin “18 anni… in Comune!”

G2: “Italia të jetë Vendi i të gjithë bijve të saj”

“Marrja e shtetësisë, e bashkë me të, e të gjitha të drejtave dhe detyrimeve, përbën një etapë të rëndësishme në rrugën drejt  integrimit të plotë” thotë Graziano Delrio, kryetar i komunës së Reggio Emilias dhe president i ANCI-t (shoqata kombëtare e komunave italiane). “Kjo – shton ai – vlen veçanërisht për të rinjtë e lindur e të rritur në Itali, bashkëqytetarë tanët faktikisht por jo ligjërisht. Për këtë motiv si shoqatë ANCI kemi përkrahur me bindje këtë fushatë informimi, në gjurmët e iniciativave pozitive tashmë të nisura nga Komuna ime e nga të tjera Komuna italiane”.

Sipas Flavio Zanonato-s, kryebashkiak i Padovas dhe nënkryetar i ANCI-t me prokurë për politikat e imigracionit, “e kemi për detyrë të mundësojmë brezat e dytë e të tretë që të mund të kontribuojnë në rritjen e zhvillimin e Vendit që është edhe atdheu i tyre. Kapitali njerëzor – përfundon Zanonato – është në fakt burimi më i madh që ka në dispozicion një Vend”.

Raffaela Milano, Drejtoreshë e Programit Itali-Europë e organizatës Save the Children Italia konsideron të domosdoshme “një ndërhyrje të koordinuar normative, arsimore dhe shoqërore, për të shoqëruar në mënyrë të qëndrueshme këtë proces integrimi, duke filluar nga komunitetet lokale. Me urimin që Italia të ketë sa më parë një reformë të shtetësisë që t’i bëjë të ndihen krejtësisht italianë djemtë e vajzat që lindin e rriten në këtë Vend, duke zotëruar të njëjtën gjuhë e duke ushqyer të njëjtat pasione dhe ëndrra të bashkëmoshatarëve të tyre”.

“Rrjeti G2-Brezat e Dytë – komenton zëdhënësi, Mohamed Abdalla Tailmoun, mbështet e nxit me forcë këtë iniciativë në favor të bijve të imigrantëve që hyjnë në moshë madhore. Është e rëndësishme që brezat e dytë të lindur në Itali të ushtrojnë të drejtën e tyre të zgjedhjes sipas nenit 4 të ligjit 91 të vitit 1992. Ky nen bazohet në parimin e ius soli, parim themelor që ne mendojmë se duhet të frymëzojë reformën e këtij ligji. Jemi plotësisht të bindur se tashmë është koha që Italia të jetë Vendi i të gjithë bijve të saj pa asnjë diskriminim”.

Lexo edhe: Shtetësia. Bashkia e Milanos u shkruan 18-vjeçarëve: “Mund të bëhesh italian”

Migjeni përballë shqiptarëve

Lamtumirë Ndrek Prela