Mblidhen sot në Bruksel ministrat e Jashtëm të BE-së, që do të diskutojnë edhe për njohjen apo jo të statusit të vendit kandidat për Shqipërinë
Tiranë, 10 dhjetor 2012 – Nis sot në Bruksel mbledhja e ministrave të Jashtëm të BE-së gjatë të cilës do të diskutohet mbi çështjet e zgjerimit, në veçanti do të flitet edhe për Shqipërinë, Kosovën dhe Serbinë. Pas këtij takimi dhe konkluzioneve që do të dalin prej tij, varet edhe vendimi që do të marrë samiti i ardhshëm i BE-së, që do të mbahet po këtë javë.
Sipas agjencisë EurActiv, që bazohej në burime diplomatike, Shqipërisë nuk do t’i jepet statusi i kandidatit për anëtarësim në këtë organizëm.
“Të paktën një vend, Hollanda, ka kundërshtuar me forcë dhënien e statusit të kandidatit për Shqipërinë”, shkruante EurActiv pak ditë më parë.
Duket se edhe vende të tjera kërkojnë më shumë garanci nga Shqipëria, vende si Gjermania apo dhe Franca. Shqipërisë i kërkohet të bëjë më shumë për plotësimin e 12 kushteve, të cilat i ka paraqitur Komisioni Evropian në raportin e tij në tetor. Sipas Brukselit, mangësi ka në veçanti në sistemin zgjedhor të Shqipërisë. “Vendet anëtare të BE-së do të mbajnë nën kontroll zgjedhje të ardhshme politike në Shqipëri e do të marrin në konsideratë faktin nëse këto do të zhvillohen me standarde europiane e pa tensionet që kanë shoqëruar zgjedhjet e mëparshme” shkruante edhe EurActiv
Lexo edhe: EurActiv: Shqipërisë do t’i mohohet sërish statusi i vendit kandidat i BE-së