Mario Brunetti, personalitet arbëresh i politikës dhe kulturës italiane, ish deputet i parlamentit italian në tre legjislatura, si ish konsull Nderi i Shqipërisë, në një intervistë për të përditshmen shqiptare ‘Dita’
“Berisha është sinonimi i Berlusconit në politikën shqiptare. Të dy ata kanë qenë aventurierë në politikë. Fatmirësisht, si në Shqipëri dhe në Itali kapitulli i Berishës dhe Berlusconit mund të quhet i mbyllur. Tashmë ata i përkasin një historie të shkuar. Rama ka vizion krejt tjetër, një vizion bashkëkohor europian dhe këtë po e tregon me reformat që po bën. Ishin këto ndryshime që sollën dhe hapin e rëndësishëm që bëri Shqipëria në muajin qershor me marrjen e statusit të vendit kandidat për në BE. Unë këtë ia dedikoj tërësisht qeverisjes së re të Shqipërisë. Pra kemi një realitet të ri dhe një perspektivë të re për Shqipërinë”.
Janë fjalët e Mario Brunetti-t, personalitet arbëresh i politikës dhe kulturës italiane, në një intervistë për të përditshmen shqiptare ‘Dita’, ndërsa ndodhej para pak ditësh në Shqipëri në krye të një grupi të madh studiuesish dhe studentësh arbëreshë, për të nderuar kujtimin e mendimtarit dhe luftëtarit Antonio Gramshi.
Si ish deputet i parlamentit italian në tre legjislatura, si ish konsull Nderi i Shqipërisë, Mario Brunetti ndjek me shumë interesim prej vitesh zhvillimet politike në Shqipëri. Në intervistën për gazetën ‘Dita’, flet, mes të tjerash, për ndryshimet që ka vërejtur në Shqipëri gjatë këtij viti, pas zgjedhjeve të 23 qershorit, për rëndësinë e marrëdhënieve midis Shqipërisë dhe Italisë dhe sidomos me komunitetin arbëresh.
Kur gazetari e pyet si e sheh të ardhmen e Shqipërisë, Brunetti thekson se “realiteti i ri shqiptar ka nevojë për më shumë mbështetje edhe nga jashtë. Rama po punon fort në këtë drejtim. Gjatë këtij më pak se një viti në qeverisje ai i ka vizituar thuajse të gjitha kancelaritë evropiane. Ka ardhur disa herë edhe në Itali. Unë besoj se Qeveria e Ramës ka mbështetje veçanërisht nga Italia dhe BE-ja. Më përpara nuk ka qenë kjo mbështetje”. Por nga ana tjetër “i tërheq veshin” klasës politike shqiptare për një interesim të vagët ndaj arbëreshëve: “Si ka mundësi që si në Shqipëri, edhe në Itali, nga viti 1991 e këtej, asnjë prej qeverive shqiptare (në Itali ka ndodhur edhe më përpara) nuk është interesuar për praninë e fortë edhe të arbëreshëve. Para vitit 1991 kishte një raport pozitiv, kishte shkëmbime kulturore të herëpashershme, janë konsoliduar raporte të suksesshme me arbëreshët, pavarësisht situatave të vështira politike të kohës, ka patur lidhje e bashkëpunim të ngushtë që janë projektuar edhe në realitetin shqiptar. Si në Shqipëri, edhe në Kalabri, ku ka arbëreshë, kanë vijuar këto raporte edhe pse në heshtje, për vetë kushtet politike në të cilat ndodhej Shqipëria. Mendoj se arbëreshët janë një stimul i fortë dhe një faktor më shumë për të mbështetur ndryshimin dhe zhvillimet pozitive që po ndodhin në Shqipëri dhe forcojnë raportet dhe marrëdhëniet mes dy vendeve. Për këtë unë i kam shkruar Edi Ramës dhe besoj se ai do ta ketë parasysh këtë në lidhjet me Italinë”.
Lexo intervistën të plotë:
Ish-deputeti italian: Berisha dhe Berluskoni, aventurierë politikë që i përkasin së shkuarës