Çeku social është një ndihmesë në para që u njihet të moshuarve të shtresave më të varfëra të popullsisë, apo më saktë, atyre pa të ardhura ose me të ardhura të ulëta, nën një kufi të përcaktuar me ligj
Sipas të dhënave më të reja të INPS-it (që i përkasin vitit 2016) të përfshira në Raportin vjetor 2017 mbi “Komunitetin shqiptar në Itali” të ministrisë së Punës, janë shqiptarë rreth 11.250 përfitues të çekut social,nga 30.450 jokomunitarë që marrin këtë ndihmesë ekonomike.
Ç’është çeku social
Kur është miratuar vite më parë, mosha në të cilën mund të kërkohej ishte 65 vjeç, por vitet e fundit, kjo moshë po rritet (ashtu si edhe mosha e pensionit nga puna). Për 2018-tën për të kërkuar pensionin social i moshuari duhet të ketë mbushur 66 vjeç e 7 muaj.
Fillimisht çeku u njihej vetëm italianëve dhe shtetasve të BE-së rezidentë në Itali, më pas (në vitin 1998) kjo e drejtë u shtri edhe për të gjithë të huajt jokomunitarë me lejeqëndrim të paktën njëvjeçar. Në vitin 2000 u vendos që nga të huajt jokomunitarë të mund të përfitonin vetëm ata me kartë qëndrimi dhe në vitin 2008 kriteret e përfitimit të çekut u shtrënguan edhe më shumë duke vendosur që të huajt jokomunitarë të kishin jo vetëm kartën e qëndrimit por edhe 10 vjet rezidencë të vazhdueshme në Itali.
Për vitin 2018 shuma e çekut social është 5.889,00 euro (ose dyfishi, 11.778 €, për personat e martuar) dhe u jepet të moshuarve pa të ardhura ose me të ardhura nën shumën e çekut, e në këtë rast të fundit, të moshuarve u takon diferenca mes çekut të plotë dhe asaj që ata fitojnë. Jepet në shuma nga 453,00 euro për 13 këste në vit.
Kanë të drejtën e çekut social të plotë të gjithë të moshuarit e pamartuar që nuk kanë asnjë të ardhur dhe të martuarit që kanë të ardhura familjare më të ulëta se çeku social.
Kanë të drejtën e çekut në masë të reduktuar të gjithë të pamartuarit me të ardhura nën shumën e çekut dhe të martuarit me të ardhura familjare nga shuma e një çeku deri në dyfishin e tij.
Dhënia e çekut social nis nga dita e parë e muajit pasues të paraqitjes së kërkesës.
Kujdes! Çeku social ka gjithnjë karakter të përkohshëm pasi çdo vit verifikohet përmbushja e kriterit të të ardhurave nën shumën e çekut dhe i rezidencës efektive në Itali.
E drejta e çekut nuk u kalon trashëgimtarëve (si pensioni nga puna, për shembull, që me vdekjen e pensionistit, një pjesë i kalon bashkëshortes dhe bijve të mitur). Çeku nuk është as i transferueshëm jashtë Italisë, pra nuk jepet jashtë shtetit. Dhënia e çekut social pezullohet nëse personi qëndron jashtë italisë për më shumë se 30 ditë rresht. Një vit pas pezullimit e drejta e çekut humbet plotësisht.
Paraqitja e kërkesës
Kërkesa paraqitet online në INPS përmes shërbimit përkatës (e gjeni në butonin “Accedi al servizio” lart në të djathtë apo në fund të kësaj faqeje të Institutit italian të sigurimeve shoqërore). Në brendësi gjeni edhe udhëzimet e nevojshme.
Kërkesa mund të paraqitet edhe përmes numrit të gjelbër 803.164 (falas nga rrjeti i telefonisë fikse) ose 06.164.164 (nga celularët).
Mënyra e tretë dhe më e këshillueshme e paraqitjes së kërkesës është ajo përmes patronateve që gjenden gjithandej në Itali ku personel mjaft i kualifikuar dhe me eksperiencë, jo vetëm jep të gjitha informacionet rreth dokumentacionit të nevojshëm, por edhe përpilon dhe paraqet kërkesën për të interesuarit.