Propozim për ligj në Piemonte për të përjashtuar të huajt. Monaco i partisë Scelta Civica: “Kanë dhënë kontribut për të ndërtuar vendin e tyre, jo Italinë”
Torino, 15 korrik 2015 – Quhet çeku social e është një shumë rreth 450 euro në muaj, që jepet 13 herë në vit. Është ndihma që shteti italian u jep të moshuarve më në nevojë, italianë e të huaj, por për këta të fundit me disa kritere shtrënguese.
Para së gjithash, për ta marrë duhen pasur të ardhura më të ulëta se çeku social, duhet të jetë mbushur mosha 65 vjeç e tre muaj dhe të kesh rezidencë në Itali të paktën dhjetë vjetët e fundit. Kaq mjaftojnë për italianë e qytetarë të BE-së, për të tjerët nevojitet edhe që të jenë mbajtës së kartës së qëndrimit apo të lejeqëndrimit BE për qëndruesit afatgjatë.
Nga Piemonte, tani, mbërrin një propozim për të përjashtuar krejtësisht imigrantët dhe për dhënien e çekut social vetëm qytetarëve italianë. E ka paraqitur këtë tekst Alfredo Monaco, këshilltar krahinor i Scelta Civica, sipas të cilit, e bën këtë në emër të “barazisë” e për të goditur veçanërisht të moshuarit e huaj të ardhur në Itali falë bashkimit familjar.
“Me kapërcimin e 65 vjeçëve, – shpjegon Monaco – qytetarët italianë që kanë marrë pjesë në jetën e vendit dhe në rindërtimin e tij ndodhen në të njëjtën situatë me qytetarë të huaj të ardhur këtu edhe falë bashkimit familjar, të cilëve u njihet njësoj e drejta e çekut social edhe pse kanë kaluar pjesën më të madhe të jetës së tyre për ngritjen shoqërore të vendit të tyre”.
Këshilltari krahinor ngre zërin edhe kundër abuzimeve që herë pas here zbulohen. “Nëse vdes një qytetar italian përfitues i çekut – nënvizon ai – INPS e mëson menjëherë edhe pa komunikim nga familjarët të këtij fakti. Për të huajt ndodh që çeqet vazhdojnë t’u jepen personave të vdekur apo atyre që jetojnë në vendin e vet e jo në Itali”.
Tani për tani, kjo e Monacos është vetëm propozim për ligj e do të nevojitet mbështetja e këshillit të Krahinës së Piemontes për ta çuar në Parlament. Scelta Civica është në mazhorancë, por teksti ka gjetur mbështetje edhe në radhët e Legës që është në opozitë. “Jam plotësisht dakord. – ka komentuar eksponenti legist Alessandro Benvenuto – Paratë e kursyera në këtë mënyrë mund të investohen për piemontezët në vështirësi”.
Stranieriinitalia.it/Shqiptari i Italisë
(Ndiqni Shqiptariiitalise.com edhe në Facebook dhe Twitter)
Lexo edhe: Çeku social. Si merret në Itali (Shqiptarët në Romë)