Ministri grek Kotzias: “Çështja çame është e paqenë, dhe si e tillë, kurrë nuk është pranuar si objekt negocimi. Komisioneri Hahn është i detyruar në bazë të rolit të tij institucional të japë shpjegime të menjëhershme”
Idrizi: “Çështja çame do të ekzistojë për aq sa do të ekzistojë qoftë dhe një shqiptar i vetëm i Çamërisë”
Vetëm pak orë pas lajmit se komisioneri i Zgjerimit të Bashkimit Europian, Johannes Hahn renditi si çështje të diskutueshme mes Shqipërisë dhe Greqisë, edhe çështjen çame, kanë reaguar autoritetet e Athinës.
Në një deklaratë, të cilësuar si ndër më të ashprat në vitet e fundit prej saj, ministri i jashtëm grek, Nikos Kotzias, i ka kërkuar komisionerit të tërheqë deklaratën e tij dhe ta korrigjoje atë, pasi, sipas Athinës, komisioneri ka shkelur kompetencat e tij, duke ndërhyrë në punët e vendeve anëtare, duke çelur debate për çështje që nuk ekzistojnë.
Në deklaratën e Ministrisë së Jashtme greke shkruhet: “Deklarata e komisionerit Johannes Hahn është e pavërtetë dhe e papranueshme. Siç dihet, çështja çame është e paqenë, dhe si e tillë, kurrë nuk është pranuar si objekt negocimi, midis qeverive të Greqisë dhe Shqipërisë. Komisioneri Hahn, me përgjigjen e tij të gënjeshtërt, tregon se nuk ushtron rolin dhe detyrat e tij në bazë të parimit të paanësisë, në mënyrë që të çohet përpara interesi i përbashkët i BE-së, siç parashikohet në nenin 17 të Konventës së Lisbonës. Që tani i është kërkuar dhe është i detyruar në bazë të rolit të tij institucional të japë shpjegime të menjëhershme, bindëse përsa i përket përmbajtjes së papranueshme dhe të gënjeshtërt të përgjigjes së tij të kontestuar”.
Ndaj deklaratës së Ministrisë së Jashtme të Greqisë reagon kryetari i PDIU-së Shpëtim Idrizi në profilin e tij në Facebook, sipas të cilit, reagimi i palës greke ngjan si përgjigje e të fortit të lagjes, është arrogancë e papranueshme e groteske.
“Keqardhje e madhe për një vend të BE-së, e vendin e Aristotelit. Reagimi i MJ greke më ngjan si përgjigja e të fortit të lagjes e arrogancë e papranueshme e groteske. I keqardhur për Qeverinë e sotme greke që me detyron të them që është njësuar e mbron krimet e bandave vrastare të Napolon Zervës. E ftoj Qeverinë greke të distancohet nga krimet kundër njerëzimit e kompleksi i Makbethit”, shkruan Idrizi.
Ai thekson se “deklarata e Komisionerit Hahn është një shuplakë për nacionalizmin grek vërteton se çështja çame nuk është as çështje dypalëshe e as shumëpalëshe, por çështje themelore e të drejtave të njeriut. Çështja çame do të ekzistojë për aq sa do të ekzistojë qoftë dhe një shqiptar i vetëm i Çamërisë”.
“Deklarata e BE përforcon qëndrimin e kahershëm të PDIU dhe Shoqatës Çamëria se integrimi evropian i Shqipërisë dhe zgjidhja e çështjes çame janë e njëjta rrugë, pasi vetë çështja çame është çështje të drejtash evropiane. PDIU inkurajon qeverinë shqiptare të vijojë në rrugën e drejtë, atdhetare dhe humane të zgjidhjes së çështjes çame, duke e ndërkombëtarizuar atë, siç tashmë pranon edhe Bashkimi Evropian”, mbyllet deklarata e Idrizit.