in

CGIL kundër manovrës ekonomike: “E padrejtë dhe e papërgjegjshme”

Sot punonjësit e anëtarësuar në sindikatën Cgil  janë në grevë njëditore. Me mijëra kanë dalë në sheshet e Romës dhe të rreth 100 qyteteve italiane për të protestuar kundër manovrës ekonomike e financiare të qeverisë Berlusconi

Romë, 6 shtator 2011 – Mijëra manifestues janë mbledhur sot në Romë por edhe në Firence, Torino, Milano, Genova, Cagliari, Napoli, Mestre, etj., për të protestuar kundër manovrës ekonomike e financiare, që po shqyrtohet në Senat. Manifestimi, dhe greva e përgjithshme njëditore janë thirrur nga sindikata më e madhe italiane, CGIL.

“Është një manovër e padrejtë, barbare dhe e papërgjegjshme. Ajo shkel paktin me qytetarët. Duan të zhdukin Statutin e punonjësve, e bashkë me të edhe të drejtat e tyre”. Kështu shprehet sekretarja e përgjithshme e CGIL, Susanna Camusso, nga tribuna e ngritur pranë Koloseut për mitingun kryesor në kryeqytet.

Camusso ka mbyllur fjalën e saj, dhe me të edhe manifestimin e sotëm në Romë, duke thënë: “Ne nuk e meritojmë një vend të tillë dhe nuk dorëzohemi” ndaj Cgil do të provojë “të gjitha rrugët e mundshme, gjykatën kushtetuese, gjykatën e Drejtësisë evropiane për të mbrojtur kushtetutën dhe të drejtat e punonjësve”.

Thirrja për grevë, që do të vazhdojë tetë orë, ka paralizuar sektorë të ndryshëm, veçanërisht transportet. Avionët, trenat, autobusët, metrotë dhe anijet regjistrojnë anulime dhe vonesa. Greva ka prekur gjithashtu spitalet, postat, por edhe shkollat ku gjithsesi ende nuk ka filluar viti i ri shkollor.

CGIL bëri thirrje për manifestim në shenjë proteste kundër planit të masave shtrënguese të miratuar me urgjencë më 12 gusht nga qeveria, që ajo e cilëson si “shumë të padrejtë” dhe “negativ”, sidomos sepse rëndon mbi punonjësit e varur, cenon të drejtën e punës, duke favorizuar pushimin nga puna.

Shqyrtimi i këtij plani, që mendohet t’i bëjë të mundur Italisë arritjen e ekuilibrit buxhetor në vitin 2013 dhe jo në 2014-n, ka filluar sot në Senat.

Qeveria është shprehur se dëshiron miratimin përfundimtar të manovrës ekonomike përpara mesit të shtatorit.

Itali-Shqipëri me not, në më pak se 24 orë

Irene Pivetti…{br}Po sikur ta hedhim ne në det?