Nis sot edicioni i dytë i konkursit fotografik në mediat Sociale i organizuar nga Ministria e Jashtme. “Për të qenë çdokush ‘ambasador dixhital’ i vendit”.
Postoni fotot tuaja në faqet e Instagram, Facebook, Twitter mjafton ta shoqëroni foton me #ColoursofAlbania e automatikisht merrni pjesë në konkurs
Romë, 27 maj 2016 – Ministria e Punëve të Jashtme të Shqipërisë, me mbështetjen e Telekom Albania, fton qytetarët të marrin pjesë në #ColoursofAlbania, konkursi fotografik në mediat sociale për promovimin e Shqipërisë. Me këtë nismë, kushdo mund të bëhet “ambasador” i Shqipërisë duke përcjellë përmes fotografive më të bukurën e vendit të tij.
Konkursi është i hapur për të gjithë shqiptarët, veçanërisht të rinjtë, të apasionuarit pas fotografisë, udhëtimit, artit, kulturës, natyrës. Pjesëmarrja në të është e lehtë e kriteret që ve ministria janë të pakta:
1. Fotografoni bukuritë e Shqipërisë;
2. Shënoni vendin ku keni bërë fotografinë (duke bërë “CHECK IN”)
3. Publikoni fotografitë në profilin tuaj në Instagram, Facebook ose Twitter me hashtag #CouloursofAlbania;
4. Bëni TAG profilin e nismës në Instagram @ColoursofAlbania;
5. Bëni TAG në Facebook @Colours of Albania.
6. Mund të dërgohen edhe fotografitë e publikuara muaj më parë, mjafton të vendoset hashtag #ColoursofAlbania.
“Në këtë konkurs, procesi i postimit dhe i përzgjedhjes së fotografive më interesante nga Shqipëria fillon sot, më 27 maj. Postimet që do të bëhen deri më datë 31 korrik 2016, do jenë pjesë e përzgjedhjes se edicionit të 2-të të kësaj nisme. Nga ku do të dalin dhe fituesit për këtë vit” – thotë për Shqiptariiitalise.com, Donika Hoxha, drejtore e drejtorisë së diplomacisë publike, partneriteteve dhe diasporës.
Në fund do të ketë disa fitues (Vendi i parë; dy vende të dyta; tre vende të treta) të cilët do të ftohen të marrin pjesë në ekspozitën e fotografisë dhe aktivitetet që do të zhvillohen në kuadër të nismës #ColoursofAlbania, ndërsa fotografitë më të mira do të përmblidhen në një album që do të shpërndahet në të gjitha përfaqësitë shqiptare nëpër botë dhe do të përdoret si dhuratë simbol i Ministrisë së Punëve të Jashtme. Hoxha shton që fituesve do t’u jepen edhe çmime materiale që “do të jenë gadgets elektronike si smartphones, tablets etj”.
Nisma ka mbështetjen e personazheve të njohura shqiptare si Ermonela Jaho, Saimir Pirgu, Kledi Kadiu, Skuadra Kombëtare e Futbollit, Laura Mersini, James Belushi, Elina Duni, Ermal Mamaqi. Çfarë do të bëjnë? “Ermonela, Kledi, Saimiri e shumë artistë të tjerë të ftuar nga MPJ-ja, do të jenë ‘zëri’ ftues i kësaj nisme për ketë vit. – shpjegon drejtorja e drejtorisë së diplomacisë publike, partneriteteve dhe diasporës – Ata do të ndërveprojnë publikisht nëpërmjet video-mesazheve të tyre, për të ftuar shqiptarë kudo që ndodhen, për të marrë pjesë në promovimin e Shqipërisë. Për të qenë çdokush “ambasador dixhital” i vendit”.
Ky është edicioni i dytë i #ColoursofAlbania, e duke mbajtur parasysh ecurinë e të parit, në ministri janë optimistë e mendojnë se do të ketë rreth 50 mijë prurje. “Edicioni i parë qe një sukses! – thotë Hoxha – Si një nismë e re, skepticizmi ynë për t’u pranuar nga të gjithë qe i ulet, por, përtej pritshmërive tona, pjesëmarrja qe e gjerë madje kapërceu kufijtë shqipfolës. Edicioni i parë u mbyll me pjesëmarrjen e 8.000 fotografive, shumë konkurruese, nga Shqipëria, ku paraqiteshin kultura, peizazhe mbresëlënëse, vende të panjohura për syrin shqiptar, veshjet popullore, shoqëria shqiptare, historia e shumë tema të tjera”.
“Në edicion e parë janë përzgjedhur 11 fotografi më të mira, nga një juri e mirënjohur në fushat e ndryshme të artit dhe kulturës shqiptare. Fotografia e vendit të parë, ishte ajo e shkrepur nga Nëntor Oseku, në plazhin e bukur të Gjipesë, e cila qe dhe fotoja e vitit 2015, me të cilën Shqipëria u përfaqësua jashtë. – vazhdon Hoxha – Fotografitë më të mira të edicionit të parë bënë shëtitje në të gjitha përfaqësitë shqiptare në botë, ku u hapën për publikun e huaj, ekspozita mbi Shqipërinë. Afro 80 fotot më të mira të edicionit 2015 të konkursit janë botuar edhe në libërthin me fotografi mbi Shqipërinë, i cili është shpërndarë në të gjitha përfaqësitë tona, e tanimë janë dhe pjesë e kartolinave të ambasadorëve në çdo delegacion”.
Shqiptari i Italisë